Ligji për përfaqësim të drejtë doli nga sirtarët: Për disa drejtësi historike, për të tjerë mashtrim i sofistikuar

Propozim-ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat pritet të kalojë në seancën e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut ditën e martë, derisa partitë vijojnë me reagime dhe akuza ndaj njëra-tjetrës pas publikimit të propozim-ligjit në Alsat, transmeton Portalb.mk. 

Ligji i ri i cili pritet të zëvendësojë mekanizmin ‘Balancues’ që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese vitin e kaluar. 

Ligji bazohet në amendamentin VI të Kushtetutës dhe i obligon institucionet që të kujdesen për respektimin e përfaqësimit të komuniteteve nëpër institucione, megjithatë duke pasur kujdes diskriminimin e qytetarëve dhe duke mbajtur llogari për përgatitjen profesionale, kompetencën, integritetin, transparencën dhe gjithëpërfshirjen. 

Parashihet që deklarimi i përkatësisë etnike të mbetet në vullnetin e vetë qytetarit. 

Ndërsa, për punësimin e etniteteve, parashihet që institucionet do të marrin për bazë të dhënat nga regjistrimi i fundit i popullsisë. 

Zbatimin pritet ta ndjekë një trup i formuar nga Qeveria, i cili do të bëjë analiza dhe do të hartojë raporte e rekomandime në raste të mosrespektimit të ndonjërës prej dispozitave. 

Në afat prej gjashtë muajsh pasi të hyjë në fuqi, do të miratohen dhe aktet nënligjore për të precizuar zbatimin përkatës. 

Për koalicionin VLEN ky ligj do të mbyllë, siç thonë kohën e padrejtësisë, dhe se javën e ardhshme në seancë qeveritare do të kalojë Ligji për Përfaqësimin e Drejtë dhe Adekuat të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera në administratën shtetërore dhe publike. 

“Kjo nuk është një akt politik, është një akt drejtësie. Nuk është show elektoral, është korrigjim historik. Ky ligj, i mbështetur në Amendamentin VI të Kushtetutës, e bën përfaqësimin adekuat obligim ligjor dhe institucional, jo më dëshirë personale apo numërim i rremë nga partitë që gënjyen një popull të tërë. Institucionet do të detyrohen të sigurojnë përfaqësim të drejtë, pa diskriminim, duke respektuar kompetencën, integritetin, transparencën dhe gjithëpërfshirjen”, thonë nga VLEN. 

Për Bujar Osmanin nga BDI, ky propozim-ligj përbën regres serioz në respektimin e një prej parimeve themelore të Kushtetutës, përfaqësimin e drejtë të ë gjitha komuniteteve në institucionet publike. 

“Në tekstin e këtij ligji mungon elementi më thelbësor: mekanizmi detyrues i zbatimit, konkretisht kalkulatori proporcional sipas të dhënave të regjistrimit…Kjo nuk është reformë, është shuarje e përfaqësimit të drejtë në heshtje”, tha Osmani. 

Ai kërkoi që të rikthehet kalkulatori proporcional si mekanizëm obligativ për çdo punësim në sektorin publik, në përputhje me të dhënat e regjistrimit dhe Kushtetutën e vendit, si dhe çdo institucion që nuk respekton përfaqësimin proporcional të ndëshkohet me masa ligjore konkrete, përfshirë ndalimin e punësimeve të reja dhe përgjegjësi personale të drejtuesve. 

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit ka shprehur shqetësim lidhur me propozim-ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Sipas tyre, propozim-ligji rrezikon manipulime me përkatësinë etnike.

“Konstatojmë së paku dy mangësi të rënda që rrezikojnë ta deformojnë qëllimin thelbësor të këtij ligji, siç është deklarimi vullnetar i përkatësisë etnike, një formulim që mund të hapë rrugë për keqpërdorime të mëdha dhe manipulime të përfaqësimit. Po ashtu, ndodh edhe zhvlerësimi institucional përmes vonesës së akteve nënligjore. Draft-ligji parashikon që aktet nënligjore të miratohen vetëm brenda gjashtë muajve pas hyrjes në fuqi të tij. Kjo krijon një zbrazëti të rrezikshme juridike dhe funksionale”, thanë nga ASh-ja e Taravarit. 

Procesit të përpilimit të kësaj zgjidhje ligjore që nga fillimi i ka munguar transparenca. Fillimisht u premtua debat publik. Mirëpo, opinioni nuk pa asnjë debat publik për ligjin. Nga një prolongim në tjetër, procesi hodhi dyshime në opinion për një ligj të dobët dhe jo në dobi të shqiptarëve. 

Kujtojmë se, Portalb.mk, jo nga transparenca e bartësve politik të procesit, por nga burime tjera ka njoftuar se ekipin që punon në zgjidhjen ligjore e përbëjnë: Tanja KarakamishevaAleksandar SpasenovskiDenis Preshova, Jeton Shasivari dhe Mersim Maksuti.

Kujtojmë se, VLEN për Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka dhënë premtime pa afatePortalb.mk, në vazhdimësi ka kujtuar për vonesën e ligjit dhe për anëtarët e grupit të punës.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese e RMV-së më 9 tetor 2024 me shumicë votash vendosi për shfuqizimin e instrumentit “Balancues”, i cili ka rregulluar përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në administratën shtetërore. Pas këtij vendimi, për punësimet në administratën publike nuk është mbajtur llogari për përkatësinë etnike. 

Lënda për shfuqizimin e tij u hap pas një iniciative të dorëzuar nga përbërja e vjetër e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) më 11 janar 2024, sepse, sipas tyre, me të bëhen abuzime gjatë punësimit.