Qentë endacakë dhe autoritetet lokale: Shumë para për dëmshpërblim të qytetarëve, pak veprime në terren

Rritet numri i qenve të pastrehë nëpër komuna, por po rritet edhe numri i qytetarëve të kafshuar që kërkojnë dëmshpërblim nga institucionet kompetente (komuna, ndërmarrje publike, operatorë). Disa komuna kanë ndarë dhjetëra mijëra euro për shpenzime gjyqësore dhe dëmshpërblime. Në vend që të merren me pasojat, autoritetet lokale duhet të jenë më aktive dhe të angazhohen në përdorimin e parave dhe kapaciteteve komunale për zgjidhjen e problemit ekzistues, por edhe për parandalim, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Kjo është pjesë e analizës së OJQ-së Infocenter me disa organizata partnere, të cilat për periudhën tetor nëntor 2023 kryen monitorimin e masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga komunat për zgjidhjen e problemit të qenve të pastrehë dhe trajtimin human të tyre.

Në analizë thuhet se nevojiten masa efikase dhe humane për të kontrolluar qentë e pastrehë.

“Komunat duhet të investojnë në aktivitete të përhershme informative dhe edukative për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve për pronësinë e përgjegjshme, për rëndësinë e regjistrimit, sterilizimit dhe vaksinimit të qenve shtëpiak, për mos braktisjen e kafshëve shtëpiake, si dhe për nevojën e trajtimit human të qenve të rrugës. Për këtë qëllim është i domosdoshëm forcimi i bashkëpunimit ndërmjet komunave, spitaleve, operatorëve dhe aktivistëve për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve”, thuhet në raport.

Monitorimi përfshiu këto tetë komuna: Kumanovë, Veles, Strumicë, Strugë, Kriva Pallankë, Sveti Nikollë, Lozovë dhe Çashkë dhe i referohet periudhës 2020-2023.

Struga pa asnjë zgjidhje sistematike për problemin e qenve të pastrehë

Viteve të fundit në komunën e Strugës vazhdimisht po rritet numri i qenve të pastrehë, rritet edhe numri i qytetarëve të sulmuar dhe kafshuar. Kjo situatë alarmante rezulton me shqetësim të sigurisë së banorëve të komunës, të cilët konsiderojnë se ballafaqimi me qentë e pastrehë dhe trajtimi human i tyre është një nga prioritetet më të mëdha vendore, thuhet në analizë.

“Pushteti lokal nuk ka asnjë zgjidhje sistematike për këtë problem. Komuna nuk ka qëndrim proaktiv dhe konfirmim për këtë është fakti se nuk ka miratuar program për kontrollin e qenve të pastrehë, që është detyrim ligjor i saj. Pushteti lokal thekson se zgjidhja e këtij problemi kërkon shumë fonde, të cilat komuna nuk i ka pasi nuk ka kapacitete adekuate dhe mendon se ky problem duhet të zgjidhet nga pushteti qendror. Në fillim të vitit 2023, komuna përgatiti një projekt zgjidhje për ndërtimin e stacionit për kujdesin e qenve dhe kërkoi ndihmë nga Qeveria për ndërtimin e tij”, thuhet në raport.

Si zgjidhje ad-hok, komuna nga buxheti për vitin 2023, për herë të parë ndau mjete financiare në shumë prej 600.000 denarë nga programi i mjedisit jetësor dhe lidhi marrëveshje me një kompani veterinare për kujdesin e qenve të pastrehë. Kontrata ka një kohëzgjatje prej një viti nga dita e nënshkrimit, pra deri në shkurt të vitit 2024.

Në procesverbalin e marsit të këtij viti thuhet se ekipi i operatorit ekonomik ka kapur 22 qen të paregjistruar të cilët janë dërguar në strehimore për trajtim të mëtejshëm.

“Sipas të dhënave që i kemi marrë nga Gjykata Themelore – Strugë, për periudhën që po hetojmë, janë dhënë gjithsej 12 aktgjykime për kafshime dhe sulme të qenve, 7 prej tyre kundër ndërmarrjes publike “Komunale Struga”, dhe 5 janë kundër komunës së Strugës dhe ndërmarrjes publike “Komunale Struga”, thuhet në të gjeturat e raportit.

Kumanova ka paguar 36 mijë euro për kafshimet e qenve për 4 vjet e gjysmë

Në Komunën e Kumanovës, nëse vlerësohet nga shumat e ndara për dëmshpërblim të qytetarëve të kafshuar nga qentë, mund të konstatohet se ka probleme serioze. Pra, për 4.5 vite komuna ka paguar afër 36 mijë euro për dëmet e shkaktuara nga kafshimi i qenve

Në qytet ka një strehë të miratuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, por nuk ka stacioner, dhe komuna nuk realizon fushata për strehim dhe as nuk planifikon ta bëjë këtë me aktivitetet e programit të sapokrijuar për zgjidhjen e problemit të qenve të pastrehë për 2023-2025. Është planifikuar vetëm edukimi i publikut përmes radios dhe emisioneve televizive.

“Gjëja më e habitshme është se Kumanova, si komuna më e madhe në vend, nuk ka përgatitur programe të veçanta për zgjidhjen e problemit të qenve të pastrehë për periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2022. Rrjedhimisht, meqë na është përgjigjur kërkesës sonë për informacione të karakterit publik, nuk janë prodhuar raporte që duhet të miratohen nga këshilli i komunës”, thuhet në raport.

Në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2023 (fundi i majit), sipas aktvendimeve të gjykatës, Komuna e Kumanovës ka paguar rreth 2,2 milionë denarë ose afro 36.000 euro qytetarëve të lënduar për kafshimin e qenve. Më së shumti mjete, rreth 1,1 milionë denarë (rreth 18.000 euro), janë paguar në vitin 2022.

Në një numër të vogël të rasteve, qytetarët kanë marrë dëmshpërblim prej rreth 100 euro, ndërsa pjesa tjetër kanë marrë mesatarisht nga 1000 deri në 1500 euro.

Në Kriva Pallankë në vitin 2023 janë kapur vetëm 5 qen endacakë

Në Kriva Pallankë, sipas raportit, për periudhën 2019-2022 është realizuar pothuajse i gjithë buxheti, gjegjësisht nga 1.570.000 denarë të planifikuar, komuna ka paguar gjithsej 1.545.971 denarë për shërbimet e kryera për kapjen dhe trajtimin e qenve të pastrehë .

Nga viti në vit mjetet buxhetore rriten, kështu që nga 250.000 denarë në vitin 2019, mjetet e planifikuara për kapjen dhe trajtimin e qenve të pastrehë janë rritur në 720.000 denarë në vitin 2023.

Paralelisht me rritjen e fondeve, është evidente se komuna po shton edhe numrin e planifikuar të kapjeve të qenve të pastrehë. Nga vetëm 35 kapje në vitin 2019, 120 qen janë planifikuar të kapen në vitin 2023, gjë që tregon se numri i tyre po rritet nga viti në vit. Në periudhën nga viti 2019 deri në maj 2023 janë realizuar gjithsej 34 aksione për kapjen dhe trajtimin e qenve të pastrehë. Më së shumti aksione, gjithsej 13, janë kryer në vitin 2022, ndërsa këtë vit deri më 31 maj është kryer vetëm një aksion në të cilin janë kapur 5 qen të pastrehë, thuhet në analizë.

Në rajonin planor të Vardarit, deri në fund të vitit 2024 është planifikuar të ndërtohet një qendër rajonale për përkujdesjen e kafshëve shtëpiake të pastreha dhe shëndetit veterinar, e cila do të vendoset në Kavadar. Projekti do të realizohet përmes Rajonit planor të Vardarit, Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe Agjencisë Zvicerane për Mbështetje dhe Zhvillim.

Është në proces themelimi i një kompanie publike, themeluesit e së cilës do të jenë nëntë komunat nga Rajoni planor i Vardarit. Qëndrueshmëria financiare e kësaj ndërmarrje publike do të sigurohet përmes komunave, të cilat do të financojnë kostot e ardhshme operative të ndërmarrjes në raport me numrin e banorëve të secilës prej nëntë komunave të rajonit.