Prag zgjedhjesh në RMV, politikanët promovojnë politika të mëdha, qytetarët kërkojnë mbështetje nga shoqatat humanitare

Varfëria në mesin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut po thellohet gjithnjë e më shumë përderisa në prag zgjedhjes presidenciale e parlamentare partitë garuese politike bëjnë fushatë me fjalë e premtime të mëdha. Shifrat e varfërisë në vend janë shqetësuese ndërsa shoqatat humanitare po bëhen shpresë për qytetarët. Nga ana tjetër, kostoja e jetës vazhdon të rritet me ritme të shpejta në raport me nivelin e rrogave në vend, shporta mujore e konsumatorit ka arritur vlerën e afër 1000 eurove, shkruan Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut mban zgjedhjet presidenciale më 24 prill ndërsa më 8 maj ato parlamentare. Kryefjalë e fushatës zgjedhore nga të gjithë partitë politike garuese janë politikat e mëdha, madje dhe ato globale. Flitet shumë për zhvillim ekonomik, për paga me standarde evropiane, për shërbime institucionale cilësore, etj. Megjithatë, krejt kjo retorikë duket se nuk korrespondon me jetën reale të qytetarëve hallexhinj në vendin tonë të cilët gjithnjë e më shumë shpresat për ndihmë i drejtojnë tek shoqatat humanitare. Viti 2023 u mbyll me 86 mijë e 405 persona që jetojnë në varfëri të skajshme (ekstreme), të cilët përkatësisht ditën e kalojnë me rreth 60 denarë, dhe 519 mijë e 452 në varfëri të moderuar, të cilët ditën e kalojnë me më pak se 200 denarë. Maqedonia  e Veriut siguron asistencë sociale për të lehtësuar barrën ekonomike të familjeve në nevojë. Shuma e së drejtës për ndihmë minimale të garantuar varet nga numri i personave që jetojnë në një amvisëri, duke filluar nga 4.200 deri në 10.000 denarë, megjithatë në shumë raste kjo ndihmë nuk është e mjaftueshme për ti bërë ballë kostove të jetës momentalisht.

Një pasqyrë të këtij realitet na jep shoqata  humanitare “Bamirësit Struganë”, të cilët ju vijnë në ndihmë personave në nevojë që rajonin e Strugës në forma dhe mënyra të ndryshme. Nga kjo shoqatë thonë se kërkesat për tju ardhur në ndihmë financiare janë të larta. Sipas të dhënave të shoqatës “Bamirësit Struganë”, shumë persona apo familje që jetojnë me ndihmë sociale e kanë të vështirë për të mos thënë të pamundur, të sigurojnë ilaçe, tju sigurojnë mjete shkollore fëmijëve, të sigurojnë veshmathje e gjësende tjera.

Shkelzen Ajrullau nga Shoqata Humanitare "Bamirësit Struganë" / Fotografi nga Portalb.mk
Shkelzen Ajrullau nga Shoqata Humanitare “Bamirësit Struganë” / Fotografi nga Portalb.mk

“Si shoqatë humanitare lokale ne realizojmë disa aksione të ndryshme. Disa nga aksionet janë të përmuajshme si për shembull shpërndarja e bursave mujore në vlerë prej 100 eurosh për rreth 20 studentë, paguajmë qiranë e banesës për 5 nëna të vetmuara, deri në 20 000 denarë paguajmë çdo muaj fatura ilaçesh për persona që nuk kanë mundësi ti blejnë vet, nga marsi deri në maj paguajmë çdo muaj faturat e rrymës për 10 familje nevojtare dhe ndihmojmë me rrogë mujore disa familje anëtarët e të cilëve nuk janë të aftë për punë e assesi nuk munden tia dalin ti mbulojnë shpenzimet mujore me ndihmën sociale që e marrin. Shpesh kemi aksione ku grumbullojmë shuma të caktuara me të cilat ndihmohen persona që kanë nevojë për trajtim mjekçsor jashtë shtetit. Rasti i fundit ishte grumbullimi i 7 000 eurove që një 38 vjeçar kishte nevojë për ti operuar sytë në Turqi”, deklaroi Shkëlzen Ajrullai nga “Bamirësit Struganë”.

Edhe pse është i lartë numri i atyre që ndihmojnë më shqetësues është fakti se gjithmonë e më shumë rritet numri i atyre që kërkojnë ndihmë.

“Kërkesat për mbështetje humanitare shtohen çdo ditë e më shumë. Sidomos gjatë muajit të ramazanit kemi pasur një numër të lartë individë dhe familje që janë drejtuar në derën tonë për të kërkuar ndihmë. Megjithatë shumë i lartë ka qenë dhe kontributi i njerëzve bujarë të cilët kanë dhuruar që të paktën gjatë këtij muaji askujt mos i mungojë ushqim në shtëpi. Gjatë gjithë ramazanit kemi shpërnda 200 paketa ushqimore me vlerë prej 9790 €, 62 paketa me mish me vlerë prej 4000 €, u shpërndanë 150 iftare,  300 paketa për fëmijë me rastin e Bajramit në vlerë prej 460 € dhe veshje për 70 fëmijë në vlerë prej 1830 €, edhe pse vazhdimisht dhurojmë tesha dhe mjete tjera të nevojshme të përdorura por në gjendje shumë të mirë. Këto numra flasin qartë nga njëra anë për numrin e lartë të njerëzve bujarë në shoqërinë tonë por nga ana tjetër tregojnë dhe realitetin e zymtë se shumë njerëz janë në nevojë për të pranuar të tilla ndihma”, theksoi Shkëlzen Ajrullai.

Arjullai shton se gjithë këto ndihma që u grumbulluan vetëm për një muaj sa do që i bënë të ndihen krenar për punën e tyre e i gëzon teksa shohin se në shoqërinë tonë ka kulturë kaq të lartë humanizmi i pashmangshëmi lshtë dëshpërimi kur mendojnë se sa të mëdha janë nevojat për ndihmë bazike në shoqërinë tonë.

Kostoja e shportës së konsumatorit arrin afër 1000 euro ndërsa rrogat mbeten shumë të ulëta 

 

Blerje ushqimesh në market. Foto: Nodar Chernishev në Canva
Blerje ushqimesh në market. Foto: Nodar Chernishev në Canva

 

Vlera e shportës konsumatore për muajin mars 2024 arriti në 58.998,00 denarë (957 euro), në krahasim me vlerën e shportës minimale sindikale për muajin shkurt të këtij viti kostoja u rrit për 1.522,00 denarë (24 euro). Nga ana tjetër, në raport me këtë shumë të shportës konsumatore në përgjithësi pagat vazhdojnë të mbeten shumë të ulëta. Kjo bënë që shumë qytetarë të kenë ta pamundur të sigurojnë një jetesë të mirë e dinjtioze në vendin ku jetojnë.

“Jam nënë vetë-ushqyese me 3 fëmijë. Punojë si pastruese në një institucione dhe punojë jashtë orarit të punës kurdo që gjejë ndonjë shtëpi për të pastruar. Përsëri e kam të pamundur ta përballojë muajin me gjithë shpenzimet që ka si ushqim, fatura, qira, nevojat e fëmijëve etj”, shprehet një nënë.

“Rritja e çmimeve po bëhet e pa përballueshme. Kanë filluar të bëhen të pa arritshme dhe produketet bazike ushqimore, se për të tjera gjëra as nuk flasim… Madje as guxojmë ti ëndërrojmë”, thotë një i moshuar.

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Më kap stresi sa herë që duhet të shkojë në market të marr ushqime”, u shpreh një qytetar.

Paga minimale u rrit për 2,392 denarë në rrogën e marsit, të cilën rreth 60 mijë të punësuar në sektorin publik do ta marrin në prill, duke përfshirë edhe ata që do kenë harmonizim sipas marrëveshjes kolektive. Kjo nënkupton se paga minimale do të arrij në 22.567,00 denarë. Megjithatë nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë kërkojnë që në 100 ditët e para të qeverisë së re, paga minimale të jetë së paku 450 euro për gjithë të punësuarit. Në vendet e rajonit si Shqipëria, Serbia, Mali Zi dhe Bosnje & Hercegovina paga minimale është 450€.

 

Shumat e pagës minimale sipas viteve/periudhave / Burimi i informacionit: Uebfaqja e MPPS
Shumat e pagës minimale sipas viteve/periudhave / Burimi i informacionit: Uebfaqja e MPPS

 

Lexo: “Jetoj nga dita në ditë, varfëria më është futur në palcë”

Lexo: Kriza ekonomike rriti numrin e personave me ndihmë sociale në Strugë