Qeveria nuk ka kërkuar ndihmë nga BE-ja për problemin me qentë endacakë siç paralajmëroi Kovaçevski

Ndonëse në janar të këtij viti, kryeministri i vendit, Dimitar Kovaçevski deklaroi se Qeveria do të kërkojë ndihmë nga Brukseli për problemin e qenve endacakë, konkretisht të ndërtohet strehimore përmes programeve IPARD, kjo deri më tani nuk ka ndodhur. Nga Delegacioni i BE-së në vend për Portalb.mk konfirmuan se deri tani nuk kanë marrë ndonjë kërkesë të tillë nga Qeveria. Ndërkaq Qeveria hesht në pyetjet gazetareske për këtë problematikë.

Problemi me qentë endacakë është i madh dhe është i pranishëm gjithandej në vend.

Në fillim të vitit, kryeministri tha se edhe krahas asaj që bëhet fjalë për kompetencë të autoriteteve lokale, Qeveria do të kërkojë ndihmë nga Brukseli, përmes programeve IPARD që të ndërtohet një strehimore e cila do të jetë shtëpi për qentë endacakë.

Që atëherë kanë kaluar nëntë muaj, ndërkaq Qeveria edhe pse të pyetur për këtë, nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske nëse kanë kërkuar ndihmë të tillë nga BE-ja për këtë problem. Na njoftuan shkurt se presin informacion nga institucionet përkatëse dhe sa të kenë përgjigjen do të na njoftojnë.

Ndërkaq, Delegacioni i BE-së në vend për Portalb.mk bëri të ditur se Qeveria deri më tani nuk ka kërkuar diçka të tillë nga BE-ja.

Deri tani jo, Delegacioni i BE-së është i gatshëm të shqyrtojë opsionet dhe të përgjigjet në përputhje me rregullat nëse paraqitet një kërkesë përkatëse nga institucionet qeveritare”, thanë nga Delegacioni i BE-së.

Nga atje shtuan se për momentin Programi IPARD III i miratuar për Maqedoninë e Veriut nuk parasheh asnjë investim për komunat që të krijojnë strehimore për qen endacakë.

“Delegacioni i BE-së është i gatshëm t’u përgjigjet kërkesave përkatëse të autoriteteve qeveritare, duke shqyrtuar opsionet për mbështetjen e zgjidhjeve për qentë endacakë në kuadër të prioriteteve dhe rregullave për programet e ndihmës së BE-së për Maqedoninë e Veriut”, theksuan nga Delegacioni i BE-së.

Përndryshe, qentë endacakë janë kërcënim për qytetarët në RMV, ndërkaq autoritetet nuk po gjejnë zgjidhe për këtë problem. Për shembull, Portalb.mk vazhdimisht ndjek këtë problem në Tetovë ku aktualisht ka përpjekje për ndërtimin e një strehimoreje nga ana e komunës. Ndërkaq, problemi është i pranishëm edhe në Kërçovë, ku vetëm për një vit komuna ka harxhuar më shumë para për dëmshpërblime për të kafshuarit nga qentë endacakë sesa në trajtimin e qenve.