Makedonski Brodi nuk do të sigurojë tokë për ndërtimin e strehimores së përbashkët me Komunën e Kërçovës

Qyteti i Kërçovës zgjidhjen e problemit të qenve endacak e sheh në ndërtimin e një strehimoreje, mirëpo qyteti nuk ka pronë shtetërore për ta bërë atë, nga ana tjetër problemi me qentë endacak çdo vit po rritet. Andaj Komuna e Kërçovës i ka propozuar Komunës së Makedonski Brod-it që në qoftë se ata e sigurojnë tokën, Komuna e Kërçovës do ta ndërtojë strehimoren. Por, për shkak të nevojës së urbanizimit të parcelave potenciale dhe burimeve financiare, Makedonski Brodi nuk është në gjendje të bëjë një hap të tillë, raporton Portalb.mk.

Për shkak të mosgjetjes së lokacionit për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë në qytetin e Kërçovës, komuna ka qenë në bisedime me Komunën e Makedonski Brod-it që strehimorja të ndërtohet në territorin  e tyre.

Nga Komuna e Makedonski Brod-it thanë se kryetari i tyre dhe kryetari i Komunës së Kërçovës janë takuar dhe kanë biseduar në lidhje me mundësinë për të ndërtuar një strehimore të përbashkët, mirëpo ata për momentin nuk kanë parcelë që i plotëson të gjitha standardet dhe sipas analizave të tyre për shkak të nevojës së urbanizimit të parcelave potenciale dhe burimeve financiare komuna nuk mund të ndërmarrë një hap të tillë.

“Kryetari i Komunës së Makedonski Brod-it dhe ai i Komunës së Kërçovës zhvilluan takime dhe biseduan për zgjidhjen e këtij problemi urgjent me qentë endacak, me ç‘rast është shqyrtuar mundësia e ndërtimit të stacionit për qentë endacak për dy komunat në territorin e komunës së Makedonski Brodit të Maqedonisë. Për momentin nuk kemi një parcelë ndërtimi të caktuar ku duhet të plotësohen të gjitha standardet për këtë lloj objekti (qasje në rrugë, infrastrukturë komunale etj.). Sipas analizave tona, ka disa lokacione potenciale, por për shkak të nevojës për urbanizimin e tyre dhe burimeve të konsiderueshme financiare për zhvillimin e një plani urbanistik, komuna aktualisht nuk është në gjendje të ndërmarrë një hap të tillë.” njoftuan nga Komuna e Makedonski Brod-it.

Rikujtojmë se, Komuna e Kërçovës në vitin 2020 ka marrë një grant prej 300 mijë eurove nga programi TAV për ndërtimin e një strehimoreje për qentë endacak. Mirëpo për shkak të mungesës së një prone të përshtatshme shtetërore, kjo strehimore nuk u ndërtua dhe granti u përdor në projekte tjera. Ndërkaq nga Komuna e Kërçovës thanë se ata janë dakorduar me Komunën e Makedonski Brod-it dhe presin që të mbarojnë procedurat e ndryshimit të planeve urbanistike të Makedonski Brod-it, për dedikim të tokës ndërtimore për realizimin e këtij aktiviteti, gjegjësisht strehimores së përbashkët për qentë endacakë.