Diskutohet lokacioni i strehimores për qentë endacakë në Tetovë
Strehimorja për qentë endacakë në Tetovë nuk u bë për tre muaj siç paralajmëroi në muajin maj kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Sot, katër muaj më vonë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk bëjnë të ditur se ky proces nuk është ndërprerë, por që diskutohet lokacioni, megjithatë afat konkret tani për tani nuk ka.
Tetova jo më gjatë se për tre muaj pritet të ketë strehimore për trajtimin e qenve endacakë, kështu bëri të ditur kreu i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami me 21 maj 2023 kur u pyet për këtë problem kronik i cili me vite nuk po zgjidhet në Tetovë.
Që atëherë kanë kaluar katër muaj, por strehimorja nuk është bërë.
Komuna e Tetovës për Portalb.mk sqaron se procedura për ndërtimin e strehimores për qentë endacakë vijon.
“Në këtë moment, ekipi ynë po zhvillon diskutime të hollësishme lidhur me lokacionin e duhur për këtë strehimore, duke pasur parasysh qëllimin kryesor të këtij projekti: mirëqenien e kafshëve. Në të ardhmen e afërt, do të nisim edhe procesin e prokurimit publik, ku të gjithë palët e interesuara do të kenë mundësinë të paraqesin ofertat e tyre për të ndihmuar në ndërtimin e kësaj strehimoreje të rëndësishme”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Nga atje theksojnë se përfundimi i këtij procesi do të sjellë më shumë transparencë dhe mundësi për angazhim nga komuniteti.
“Jemi të vendosur të sigurojmë se ky projekt do të realizohet me sukses dhe se qentë endacakë në Tetovë do të kenë strehim të sigurt dhe të përshtatshëm. Pas përfundimit të të gjitha fazave të këtij procesi, strehimorja do të lëshohet në përdorim dhe do të jetë një shembull i mirë për bashkëpunimin dhe përkushtimin e komunitetit tonë për mirëqenien e kafshëve”, shtuan nga Komuna e Tetovës.
Mirëpo afat kohor konkret nuk ka ende.
Nga ana tjetër qentë endacakë me vite janë kërcënim për sigurinë publike të qytetarëve.
Numri i rasteve të paraqitura në Polici nga kafshimet dhe sulmet është i lartë, ndërkaq shifrat në terren janë edhe më të larta marrë parasysh se jo të gjithë qytetarët i raportojnë rastet e tilla.
Komuna e Tetovës kishte kontratë me shoqatën “Amos Pet” për trajtimin e qenve endacakë. Por, ky projekt ka mbaruar dhe deri më tani përmes tij janë trajtuar 82 qen dhe të njëjtët janë larguar nga qyteti. Megjithatë, numri i qenve në Tetovë sipas shoqatës “Amos Pet” e cila merrej me trajtimin e tyre është afër 500. Kasami tha se kontrata me “Amos Pet” ka dhënë efekt të mirë, por se nuk është zgjidhur ende problemi.
Zgjidhja për këtë problem shihet te strehimorja, ndërkaq edhe qytetarët kërkojnë që kjo të bëhet sa më shpejtë.