Parregullsi serioze në tre vendvotime të Kumanovës, këtu pritet përsëritja e procesit zgjedhor

Në dy vendvotime në Kumanovë për shkak të mosfunksionimit të aparateve UBIG nuk janë hapur me kohë vendvotimet, në një vend 1090 është humbur vula, informuan sot nga KKZ Kumanovë, raportoi MIA.

Elizabeta Stojkovska, kryetarja e Këshillit Komunal Zgjedhor në Kumanovë ka konfirmuar parregullsitë në këta tre vendvotime.

“”Sot në mëngjes në Kumanovë ishin hapur 164 nga gjithsej 167 vendvotimet. Tre nuk ishin hapur. 1075 për shkak se nuk ishte në funksion aparati UBIG më shumë se tri orë, edhe krahas të gjitha përpjekjeve që të sillen të reja. Gjithashtu edhe për vendvotimin 1100, përderisa në vendvotimin 1090, ka humbur vula”, deklaroi Stojkovska.

Ajo theksoi që votimi nuk ka vazhduar, prandaj me vendim të KSHZ-së votimi do të përsëritet.

Ndryshe, në procesin për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, deri në ora 15:00 janë regjistruar 233 kundërshtime në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve. Deri më tani parregullsi ka raportuar disa herë edhe Ministria për Punë të Brendshme, Prokuroria dhe sektori civil.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot votojnë për presidentin e vendit. Kutitë e votimit janë hapur që në orën 7:00, ndërsa do të mbyllen në orën 19:00. Të drejtë vote kanë 1.814.317 persona ndërsa 1.713.758  votues janë të regjistruar për votim në 3.480 vendvotime në tërë vendin. Në garë janë 7 kandidatë, kurse këto janë zgjedhjet e shtata presidenciale. Të drejtën e votës deri në ora 15:00 e kanë shfrytëzuar 35.89 përqind.