Qëndrimi i Policisë për gjendjen në “Higjienën Komunale” në Shkup
Policia e Maqedonisë së Veriut ka dhënë shpjegimin e tyre në lidhje me revoltën e qytetarëve të punësuar në Ndërmarrjen Publike “Higjiena Komunale” për dy netët e kaluara, transmeton Portalb.mk.
“Në ndërmarrjen publike në territorin e Gazi Babës, pjesë e të punësuarve para hyrjes mbajnë protestë. Punonjësit e policisë dolën në vendin e ngjarjes, ku u konstatua se rreth 50 të punësuar protestojnë”, deklarojnë nga Policia.
Ata sqarojnë që protesta është mbajtur në orët e mbrëmjes më 7 korrik dhe në orët e para të 9 korrikut. Në lidhje me këto ndodhi, Policia ka njoftuar prokurorin publik.
“Njëjtë, më 9 korrik, rreth orës 01:30 është raportuar se një pjesë e të punësuarve e kanë penguar hyrjen e ndërmarrjes dhe të punësuarit e tjerë për të kryer punën”, deklarojnë nga Policia.
Punëtorët e Higjienës Komunale Shkup prej 7 korrikut protestojnë në shenjë revolte ndaj menaxhmentit pasi që siç thonë ata, i kanë larguar dhjetëra punëtorë, por edhe se nuk plotësohen kërkesat e tyre për rritje të pagës, K-15 dhe stazh të beneficuar.
Siç thonë ata, derisa nuk kthehen në punë kolegët dhe nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk do të dalin në terren t’i mbledhin mbeturinat.
Në mesin e të përjashtuarve nga puna, sipas punëtorëve, është edhe kryetari i Sindikatës së Higjienës Komunale, Deli Dardhishta me përvojë pune mbi 30 vjet.
Sipas tyre, janë larguar nga puna me dhejtëra persona, ndërsa 50 punëtorë tjerë kanë marrë paralajmërim për përjashtim pasi kanë protestuar një javë më parë.
Ata ankohen se drejtoresha i shikon kamerat e sigurisë dhe kush shihet se ka protestuar, e largon nga puna.
Drejtoresha e Higjienës Komunale, Kosana Mazneva, rreth orës 1 të mëngjesit mbrëmë, me asistencë policore erdhi për t’i lutur punëtorët që të dalin t’i pastrojnë rrugët me disa premtime të vakta për zgjidhjen e problemit, megjithatë punëtorët njëzëri refuzuan që të dalin në terren pa u plotësuar kushtet. Ajo u ndesh drejtpërdrejtë me punëtorët, të cilët deri sot ka refuzuar t’i takojë.
Kosana Mazneva u emërua drejtoreshë nga kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska më 12 korrik të vitit 2022, pasi paraprakisht u shkarkua asokohe drejtori i vetëm shqiptarë i ndërmarrjeve publike të Qytetin e Shkupit, Zudi Koka për shkak të incidentit gjatë protestave antievropiane në Shkup, ku vëllai i tij kishte gjuajtur me armë në sheshin “Skënderbeu” në Shkup.
- LEXO: Komuna Qendër: Qyteti i Shkupit ta zgjidhë kaosin me mbeturinat
- LEXO: Mazneva me Polici “i luti” punëtorët e Higjienës Komunale të dalin të pastrojnë, punëtorët refuzuan: Ktheni kolegët
- LEXO: Punëtorët e Higjienës Komunale nëpërmjet protestës paralajmëruese kërkojnë të drejta, drejtoresha Mazneva ua thirr policinë
- LEXO: Drejtoresha e Higjienës Komunale, Mazneva kërcënon: Siç i kam përjashtuar 10, s’me pengon asgjë t’i largoj edhe 200 punëtorë