Para pushimeve verore në RMV, rritje e jashtëzakonshme e çmimeve të biletave të autobusit me destinacion jashtë vendit (infografik)

Gjatë pushimeve verore qytetarët janë të detyruar të paguajnë çmime më të larta për biletat e autobusëve ndërkombëtarë. Edhe pse çmimi i naftës për momentin sillet rreth 70 denarë për një litër, disa kompani të autobusëve i kanë rritur çmimet e biletave për udhëtimet jashtë vendit. Maqedonia tashmë disa vite nuk ka transport ndërkombëtar hekurudhor, kështu që qytetarët kur udhëtojnë jashtë vendit janë të detyruar ose të përdorin automjetin e tyre ose të blejnë bileta avioni, të cilat këtë vit gjithashtu janë jashtëzakonisht më të shtrenjta, raporton Portalb.mk.

Biletat e autobusit në linjën Shkup-Stamboll kohëve të fundit janë shtrenjtuar për pothuajse 2.000 denarë për udhëtim në të dy drejtimet, për shkak të heqjes së biletave vajtje-ardhje. Deri pak kohë më parë, kompanitë ofronin bileta vajtje-ardhje për rreth 3.100 denarë, ndërsa që prej disa javësh qytetarëve iu ofrohet mundësia për blerjen e biletës vetëm në një drejtim. Udhëtimi deri në Stamboll në një drejtim kushton rreth 2.500 denarë, ndërsa nëse dikush dëshiron të udhëtojë në dy drejtime duhet të paguajë rreth 5.000 denarë.

Infografik i çmimeve nga Meta.mk
Infografik i çmimeve nga Meta.mk

Rritje të çmimit ka edhe për biletat e autobusëve në drejtim të vendeve të tjera fqinje, të cilat janë destinacione të parapëlqyera për udhëtime nga qytetarët e Maqedonisë. Pra, bileta vajtje-ardhje e linjës së autobusit në mes të Shkupit dhe Beogradit kushton nga 2.800 deri në 3.250 denarë, ndërsa deri vitin e kaluar, para fillimit të verës, çmimet ishin rreth 2.200 denarë.

Njëra nga kompanitë e autobusëve që ka linjë mes kryeqytetit të Maqedonisë dhe Serbisë filloi të operojë sërish në fund të prillit të vitit 2023, por në vend të 2.200 denarë, çmimi i ri i biletës është 2.950 denarë për udhëtim në të dy drejtimet.

Rritje të çmimeve ka edhe për biletat për udhëtim jashtë vendit në linjën Shkup-Sofje-Shkup. Për këtë linjë për momentin çmimi sillet nga 2.720 deri në 2.820 denarë për biletat vajtje-ardhje, për dallim nga periudha e kthimit në funksion të qarkullimit të rregullt të autobusëve në këtë destinacion në gusht të vitit 2021, kur bileta vajtje-ardhje kushtonte rreth 2.000 denarë për dy drejtime.

Sa i përket relacionit mes Selanikut dhe Shkupit, bileta vajtje-ardhje e autobusit kushton 3.430 denarë, ndërsa mes këtyre dy qyteteve ka vetëm një nisje gjatë ditës.

Linja e vetme që vitin e kaluar nuk ka pasur korrigjim të çmimeve të biletave është linja Shkup-Tiranë-Shkup, ku bileta vajtje-ardhje kushton 1.890 denarë.

Nga kompania e autobusëve “Rule Tours”, e cila mirëmban linjën Shkup – Selanik, për Meta.mk thanë se çmimi i biletës në këtë linjë nuk ka ndryshuar për më shumë se një vit. Ata shtojnë se edhe kompanitë e tjera të autobusëve nuk kanë ndryshuar çmimet e biletave të autobusëve ndërkombëtarë për në Beograd dhe Sofje gjatë vitit të kaluar.

Çmimet e biletave të autobusëve në transportin ndërkombëtar u rritën dukshëm vitin e kaluar, në kohën kur çmimet e derivateve të naftës u ngritën mbi 110 denarë për litër, ndërsa arsye për rritjen e çmimit ishte pikërisht rritja e çmimit të derivateve. Mirëpo, sot çmimi i naftës është rreth 70 denarë për litër, ndërsa benzina shitet për rreth 80 denarë për litër, por korrigjim me ulje të çmimit të biletave nuk do të ketë.

Nga ajo që mundi të shohë Meta.mk, javët e kaluara çmimi i biletës së autobusit në linjën Shkup-Stamboll ka arritur në 80 euro për udhëtim në të dy drejtimet, edhe pse paraprakisht kishte biletë vajtje-ardhje që kushtonte 50 euro. Një transportues autobusi i cili filloi të funksionojë sërish në prill të këtij viti në linjën Shkup-Beograd, ofron bileta autobusi vajtje-ardhje për 2.950 denarë, ndonëse para anulimit të linjës, i njëjti transportues udhëtonte me çmim prej 2.200 denarë në të dy drejtimet.

Meta.mk i krahasoi çmimet e biletave të autobusëve drejt destinacioneve në vendet fqinje. Pra, një udhëtim me autobus në një drejtim për në Tiranë kushton pak më pak se 4.5 denarë për kilometër. Çmim pothuajse i njëjtë prej 4.5 denarë për kilometër paguhet edhe për një udhëtim për në Beograd. Për dallim nga kjo, për të kaluar 244 kilometra në mes të Shkupit dhe Sofjes, bileta në një drejtim kushton 1600 denarë, pra 6,5 denarë për kilometër. Çmimi më i lartë me mbi 9 denarë për kilometër është ai i udhëtimit për në Selanik. Për një biletë deri në këtë destinacion 240 kilometra larg u duhet të paguani 2.200 denarë në një drejtim.

Dërguam pyetje pranë Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve dhe Inspektoratit Shtetëror të Transportit për çmimin e biletave të autobusit për udhëtime jashtë vendit.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Meta.mk thanë se ligjet aktuale përcaktojnë që transportuesi në mënyrë të pavarur ta caktojë çmimin e transportit, gjegjësisht se ata si ministri nuk kanë kompetencë të ndërhyjnë në këtë çështje.

“Transportuesi është i detyruar të lidhë marrëveshje për rregullimin e shërbimeve me stacionet e kategorizuara të autobusëve në përputhje me orarin e linjës dhe të dorëzojë listën e çmimeve në stacionet e autobusëve që përdor në përputhje me orarin e përcaktuar. Transportuesi është i obliguar që përmes mjeteve të informimit publik të njoftojë për fillimin e transportit me linjë ndërurbane sipas orarit të qarkullimit”, u përgjigjën nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Nga Inspektorati Shtetëror i Transportit thonë se nuk kanë asnjë kompetencë për të ndërhyrë tek transportuesit e autobusëve në lidhje me rritjen e çmimit të biletave ndërkombëtare.

Mirëpo, ky Inspektorat shton se në përputhje me nenin 24 paragrafi 2 të Ligjit për Transportin Rrugor, parashihet që transporti i udhëtarëve të bëhet në linjë të caktuar sipas një orari të caktuar paraprakisht dhe çmimi të përcaktuar dhe të publikuar të transportit, të cilët miratohen nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

“Dispozitat që vlejnë për transportin ndërurban të udhëtarëve vlejnë edhe për transportin ndërkombëtar të udhëtarëve, neni 42 i Ligjit për Transport në Komunikacionin Rrugor”, sqarojnë për Meta.mk nga Inspektorati Shtetëror i Transportit.

Ka vite që nuk ka trena ndërkombëtarë drejt vendeve fqinje

Maqedonia është një vend i izoluar sa i përket komunikacionit ndërkombëtar hekurudhor. Më 1 tetor të vitit 2018 u ndërpre qarkullimi i trenit ndërkombëtar Beograd-Shkup-Selanik, ndërsa me fillimin e pandemisë së Covid-19, në vitin 2020 ndaloi qarkullimin edhe treni në mes të Shkupit dhe Prishtinës.

Në ueb-faqen e Hekurudhave të RMV-së ende figurojnë çmimet e biletës vajtje-ardhje të trenit në linjën Shkup-Beograd e që ka kushtuar 1.706 denarë për pasagjer, ndërsa në linjën Shkup – Selanik bileta vajtje-ardhje e trenit ka qenë 19,5 euro për pasagjer në të dy drejtimet. Megjithatë, edhe krahas çmimeve aktuale të biletave të udhëtimit, trena drejt këtyre destinacioneve sot nuk ka.

Pak kohë më parë Meta.mk publikoi edhe një shkrim për çmimin e lartë të biletave të autobusëve dhe transportit ndërurban në vend. Si edhe për destinacionet drejt vendeve të huaja, çmimet e biletave të autobusëve edhe në komunikacionin brenda vendit u rritën gjatë vitit të kaluar në periudhën kur derivatet e naftës shiteshin me çmim prej mbi 110 denarë për litër. Mirëpo, pavarësisht se sot çmimi i naftës dhe benzinës ka rënë, kompanitë e autobusëve nuk vendosën t’i ulin çmimet e biletave që i kishin rritur paraprakisht.