Funksionarët e BDI-së promovojnë projekte që (nuk) janë të fushave dhe institucioneve që udhëheqin ata

Shumë zyrtarë nga Bashkimi Demokratik për Integrim të cilët bartin poste publike në dy ditët e fundit u grumbulluan për tu fotografuar dhe promovuar në Sellcë të Tetovës për hedhjen e gurthemelit të shkollës dhe në Trebosh për qarkoren e Tetovës. Megjithatë në këto promovime u panë figura të cilët nuk korrespondonin me fushën a aktiviteteve që promovoheshin. Analisti Nebiu thekson se grumbullimet e tilla shfrytëzohen për propagandë partiake. Ndërsa kryeministri teknik thekson se këta zyrtarë nuk janë administratorë të thjeshtë dhe se nuk sheh arsye se pse mos të jenë prezent në ngjarjet e tilla, shkruan Portalb.mk.

Ditën e hënë (12.02.2024) në Sellcë të Tetovës u hodh gurthemeli për objektin e ri të shkollës i cili premtohet për shumë vite. Për të shënuar këtë, në Sellcë u mblodhën plot funksionarë të BDI-së shumë prej të cilëve vinin nga institucione pa kompetenca në lidhje me ngjarjen.

Në këtë ngjarje figuruan: kryeministri teknik, zëvendëskryeministri i parë, ministri i Arsimit dhe zëvendësministri, kryetari i Komunës së Bogovinës dhe i Tearcës, drejtori i Administratës së mjedisit në Ministrinë e Mjedisit, zëvendësministri i Transportit dhe Lidhjeve, drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, drejtori i Kodrës së Diellit, drejtori i Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, drejtori i Konviktit të Tetovës, drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës, deputetë, sekretari i përgjithshëm i BDI-së dhe të tjerë.

Duaja gjatë hedhjes së gurthemelit për shkollën e fshatit Sellcë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Duaja gjatë hedhjes së gurthemelit për shkollën e fshatit Sellcë. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Të nesërmen, e martë (13.02.2024) shumica e emrave të lartpërmendur iu grumbulluan në nyjën në Trebosh për të shënuar punimet për Qarkoren e Tetovës. Edhe në këtë ngjarje pati shumë zyrtarë.

Disa nga zyrtarët që u mblodhën në këtë ngjarje ishin: kryeministri teknik, zëvendëskryeministri i parë, ministri i Arsimit dhe zëvendësministri, ministri i Transportit dhe lidhjeve dhe zëvendësministri, ministri i Financave, ministri i Ekonomisë, drejtori i Rrugëve Shtetërore, kryetari i Komunës së Tearcës dhe Bogovinës, drejtori ekonomik i Spitalit të Tetovës, deputetë, sekretari shtetëror nga Ministria e Mjedisit. Drejtori i Klinikës universitare për sëmundjet e fëmijëve Shkup, drejtori i Kodrës së Diellit, drejtori i Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave amë, sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, sekretari i përgjithshëm i BDI-së dhe të tjerë.

Shënimi i punimeve për Qarkoren e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Shënimi i punimeve për Qarkoren e Tetovës. Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Analisti politik, Besim Nebiu për Portab.mk konsideron se këto aktivitete janë pjesë të fushatës zgjedhore, ai thekson se këto janë aktivitete partiake në të cilin marrin pjesë funksionarët shtetëror, por qëllimi i tyre është ekskluzivisht të bëjnë propagandë partiake.

Besim Nebiu (analist). Foto nga profili i tij në Facebook
Besim Nebiu (analist). Foto nga profili i tij në Facebook

“Vlen të theksohet se ndërtimi i shkollës në Sellcë është shembull i një premtimi të recikluar. Ai ka qenë i promovuar edhe më parë, kështu që nuk është gurthemeli i parë. Për ilustrim, në programin zgjedhor të BDI-së për vitin 2020, ndërtimi i shkollës në Sellcë ishte i paraparë të fillojë në vitin 2020 dhe të mbarojë në vitin 2022. Për shkak se janë premtime të recikluara dhe shumë herë të shkelura, qytetarët tani më nuk i marrin seriozisht këto gurhtemele dhe premtime. Kështu që më duket kjo si një kohë e humbur e fotografimit të zyrtarëve para kamerave televizive, pra një propagandë bosh pa efekt, jashtë atyre të krijimit të materialit për komente të ironizimit dhe përqeshjes nëpër media sociale”, tha Nebiu.

Portalb.mk pyeti kryeministrin teknik, Talat Xhaferin nëse si kryeministër ndjen përgjegjësi se përse këta zyrtarë të cilët nuk janë të fushave nga të cilat promovohen projektet, nuk janë në vendet e tyre të punës por në promovime të tilla. Por, Xhaferi nuk mendon kështu.

“Çështja e promovimeve dhe pjesëmarrja e tyre është pjesë e punës së tyre, kështu që ata nuk janë administratorë që duhet edhe janë të lidhur me procesin e punës në praktikë, ata janë menaxhues të institucioneve, në kontekst të kryerjes së punëve kanë organizuar punimet e tyre dhe obligimet e tyre, dhe pjesëmarrja e tyre është e domosdoshme janë pjesë e Qeverisë dhe s’do mend që janë pjesë edhe e vendimmarrjes së këtyre projekteve dhe pse mos me qenë prezent”, tha Xhaferi.

Për këto raste kontaktuam edhe Kabinetin e zëvendësministres të ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovskës. Nga atje thonë se me që zgjedhjet ende nuk janë shpallur, gjegjësisht Kryetari i Kuvendit pritet ta bëjë këtë gjatë ditës së sotme, njoftuan se në këto dy raste nuk janë shkelur dispozitat e Ligjit Zgjedhor që rregullojnë këto çështje.

“Zyra e Zëvendëskryeministres përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë u bën apel të gjithë funksionarëve që në periudhën pas shpalljes së zgjedhjeve, të respektojnë plotësisht dispozitat e Kodit Zgjedhor gjatë ushtrimit të aktiviteteve të tyre të udhëhiqen nga interesi publik në veprimet e tyre dhe të zbatojnë në mënyrë konsekuente parimet e ndarjes së interesave partiake dhe shtetërore, duke përfshirë edhe rastet kur flitet për përdorimin e burimeve publike”, thanë nga kabineti i Gërkovskës.

Përndryshe, kryetari i Kuvendit Jovan Mitreski sot pasdite pritet të shpallë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vitit 2024.

Zgjedhjet e shtata presidenciale, sipas marrëveshjes politike, duhet të mbahen më 24 prill, ndërsa zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare do të mbahen më 8 maj, të cilat kësaj radhe do të jenë të rregullta. Nëse do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale, ato do të përkojnë me zgjedhjet parlamentare dhe do të mbahen më 8 maj.