Kur festat e nëntorit më gjejnë larg vendit, i përjetoj ato me një ndjenjë të veçantë malli. Largësia të bën ta ndiesh më shumë mungesën e gjërave që në përditshmëri shpesh i merr si të mirëqena: gjuhën që dëgjon përreth, atmosferën festive, kujtimet e fëmijërisë dhe atë ndjenjë të natyrshme të përkatësisë. Por krahas mallit dhe krenarisë, këto festa më zgjojnë edhe një ndjenjë shqetësimi. Ku na gjejnë sot festat e nëntorit? Sa kemi arritur të ndërtojmë mbi themelet që na lanë paraardhësit tanë dhe sa duhet ende të sakrifikojmë për ta ruajtur, kultivuar dhe zhvilluar identitetin tonë?
Ka muaj që i shënojmë në kalendar dhe ka muaj që i mbajmë në kujtesën tonë kolektive. Për shqiptarët, nëntori është një muaj i tillë. Është muaji i gjuhës dhe i flamurit, i dijes dhe i lirisë. Nuk është rastësi që dy nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare lidhen pikërisht me këto vlera. Më 22 nëntor të vitit 1908, në Manastir, përfundoi Kongresi i Alfabetit, ndërsa vetëm katër vjet më vonë, më 28 nëntor të vitit 1912, në Vlorë u shpall pavarësia e Shqipërisë.
Sa domethënës është fakti që përpara se të shpallnim pavarësinë e shtetit, punuam për njësimin e shkrimit të gjuhës sonë! Ata që vunë themelet e shtetit shqiptar e kishin kuptuar se liria fillon nga mundësia për të menduar, për të mësuar, për të shkruar dhe për të krijuar në gjuhën tënde. E kishin kuptuar se emancipimi i një populli nuk mund të ndodhë pa arsimim dhe se dija është ndër parakushtet më të rëndësishme të lirisë.
Kongresi i Manastirit mbetet një nga shembujt më të bukur të pjekurisë sonë kolektive. Njerëz me bindje, përkatësi fetare dhe prejardhje të ndryshme krahinore arritën të gjenin gjuhën e përbashkët, në kuptimin më të plotë të kësaj fjale. Ata nuk kishin nevojë të mendonin njësoj për gjithçka, për të kuptuar se disa çështje ishin më të mëdha se dallimet ndërmjet tyre. Kishin aftësinë të mendonin për brezat që ende nuk kishin lindur dhe të merrnin vendime, frytet e të cilave ndoshta nuk do t’i gëzonin plotësisht as vetë.
A jemi ne sot po aq të gatshëm të mendojmë për brezat që do të vijnë?
Më shumë se një shekull më vonë, ende përballemi me sfida që lidhen me të drejtën për ta përdorur gjuhën tonë, për t’u arsimuar në të dhe për të jetuar me dinjitet identitetin tonë. Në të njëjtën kohë, përballemi edhe me një sfidë tjetër, që varet shumë më tepër nga ne: sa kujdesemi vetë për gjuhën tonë, sa lexojmë në shqip, sa krijojmë në shqip dhe sa përpiqemi që fëmijëve tanë t’ua përcjellim atë në gjithë pasurinë e saj?
Sepse identiteti nuk ruhet vetëm duke kërkuar nga të tjerët që ta respektojnë. Ai ruhet edhe duke e respektuar, kultivuar dhe pasuruar vetë. Gjuha nuk mbijeton vetëm përmes garancive kushtetuese e ligjore, sado të rëndësishme të jenë ato. Ajo jeton përmes njerëzve që e flasin, librave që shkruhen në të, dijes që krijohet në të dhe brezave që mësojnë ta duan atë.
Çdo brez ka sakrificat e veta. Sakrificat që kërkohen prej nesh sot nuk janë domosdoshmërisht të njëjta me ato të paraardhësve tanë. Ato mund të nënkuptojnë përkushtimin ndaj arsimit, këmbënguljen për barazi, punën e ndershme, ndërtimin e institucioneve të denja, por edhe gatishmërinë për të hequr dorë nga interesat e ngushta personale në emër të një interesi më të madh e afatgjatë. Edhe këto janë forma të patriotizmit, ndonëse më pak të dukshme dhe shpesh të pashoqëruara me duartrokitje.
Në festat e nëntorit, fëmijët tanë vishen me ngjyrat kuqezi, recitojnë poezi dhe këndojnë këngë patriotike. Janë çaste të bukura që krijojnë kujtime dhe forcojnë ndjenjën e përkatësisë. Por do të doja që, krahas këtyre emocioneve, t’u përcillnim edhe vetëdijen se dashuria për kombin nuk shprehet vetëm në ditë festash. T’u mësonim se mund ta duan gjuhën e tyre pa nënçmuar gjuhën e tjetrit, të krenohen me historinë e tyre pa mohuar historinë e të tjerëve dhe të jenë njëkohësisht shqiptarë të denjë e qytetarë të përgjegjshëm të botës.
Identiteti nuk është diçka që duhet ta izolojmë nga bota për ta mbrojtur. Përkundrazi, ai duhet të jetë aq i kultivuar dhe aq i qëndrueshëm, sa të mund të zhvillohet në bashkëveprim me kulturat e tjera, pa pasur frikë se do të humbasë vetveten.
Nëntori na kujton se kemi trashëguar shumë, por edhe se asgjë nga ajo që kemi trashëguar nuk na është garantuar përgjithmonë. Çdo e drejtë e fituar kërkon kujdes, çdo liri kërkon përgjegjësi dhe çdo identitet kërkon kultivim të vazhdueshëm. Nuk mjafton të jemi krenarë për atë që kanë bërë të tjerët para nesh, nëse nuk jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë të punës.
Ndoshta reflektimi më i rëndësishëm në këto ditë festive nuk është se sa të mëdhenj ishin paraardhësit tanë, por se sa të denjë jemi ne për trashëgiminë që na lanë. Dhe nëse, pas një shekulli tjetër, brezat që do të vijnë do të kenë arsye të na kujtojnë me të njëjtën mirënjohje me të cilën ne kujtojmë sot ata që na dhanë alfabetin dhe flamurin.
Gëzuar festat e nëntorit, kudo që flitet, shkruhet dhe jetohet shqip!
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.