Filluan punimet për qarkoren e Tetovës, në maj 2025 pritet të lëshohet në përdorim
Sot u promovuan punimet për qarkoren e shumëpërfolur dhe të premtuar të Tetovës në nyjën në fshatin Trebosh që del në fshatin Neproshten. Zyrtarët shtetëror dhe partiak të BDI-së të cilët edhe nuk kanë kompetenca të drejtpërdrejta për këtë rrugë sot ishin në këtë ngjarje. Nëse punimet zhvillohen në afatin e paraparë, rruga do të jetë gati në maj të vitit 2025, shkruan Portalb.mk.
Qarkorja planifikohet të ndërtohet nga fshati Trebosh dhe të del në fshatin Neproshten në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, e njëjta lidhet edhe me autostradën Tetovë-Shkup.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Ejup Rustemi theksoi se afati i punimeve është 15 muaj dhe se qarkorja në maj të vitit 2025 do jetë e lëshuar në përdorim.
“Do të ndërtojmë 5.4 kilometra rrugë me gjerësi prej 6.6 metra, gjithashtu për tërë gjatësinë e rrugës së qarkores në të dy krahët e rrugës do të kemi rrugë ndihmëse të tamponuara të servisuara për mjetet të cilat merren me bujqësi me gjerësi prej 3 metra”, tha Rustemi.
Kryeministri teknik i vendit, Talat Xhaferi theksoi se me qarkoren nga rrugët e zonës qendrore të qytetit do largohen kamionët, automjetet e rënda të mallrave, transportuesit, të cilët do të kenë mundësi të lëvizin në një rrugë moderne dhe të sigurt.
“Mjetet për këtë projekt janë siguruar nga buxheti i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore në vlerë mbi 2.2 milionë euro”, tha Xhaferi.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski theksoi se me këtë rrugë do të zhvillohet rrjeti rrugor dhe do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve që gravitojnë në këtë rrethinë
“Ndërtimi i kësaj qarkoreje është projekt që do të përshpejtojë zhvillimin ekonomik të rajonit, do të lehtësojë trafikun dhe do të lehtësojë qasjen e shumë kompanive që veprojnë në këtë pjesë të vendit”, Boçvarski.
Kjo rrugë pritet të lehtësojë komunikacionin për banorët e komunave Tetovë, Tearcë, Zhelinë, Jegunoc të cilët nuk do duhet të futen në Tetovë për t’u lidhur me rrugë të tjera rajonale.

Fillimi i punëve në terren për këtë qarkore disa herë nga drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ejup Rustemi u përmend se do të bëhej gjatë vitit 2023, por kjo nuk ndodhi.
Në vitin 2019 kryetarët e komunave Tetovë, Tearcë, Jegunoc dhe Zhelinë kërkuan ndërtimin e qarkores në hyrje që Tetovës.
Kjo qarkore figuron edhe si premtim parazgjedhor edhe në Programin 2020-24 të Bashkimit Demokratik për Integrim. E njëjta është paraparë te pjesa e infrastrukturës rrugore, konkretisht te zhvillimi i rrugëve rurale thuhet: “Nyja lidhëse e urës Trebosh në vlerë prej 3 milion euro. Komunat Tetovë, Zhelinë, Jegunocë dhe Tearcë”. Megjithatë për disa vite rezultat dhe punë në terren nuk pati.
- LEXO: Pas shumë zvarritjesh filluan punimet për qarkoren e Tetovës, pritet të zgjasin 15 muaj
- LEXO: Punimet për qarkoren e Tetovës nuk filluan në vitin 2023 siç paralajmëroi Rustemi, me 1 shkurt pritet të fillojë ndërtimi
- LEXO: Shtyhet përsëri fillimi i punimeve për qarkoren e Tetovës
- LEXO: Është shtyrë fillimi i punimeve për qarkoren e Tetovës, Rustemi: Çështje procedurash
- LEXO: Tenderi për qarkoren e Tetovës shpallet javën që vjen, punimet nisin në shtator, paralajmëroi Rustemi