Punimet për murin mbajtës në rrugën e Banjës së Tetovës kanë krijuar kolonë veturash, qytetarëve iu kërkohet të reduktojnë lëvizjet

Rruga në Banjën e Tetovës është bllokuar përshkak të punimeve në murin mbajtës që kanë nisur prej disa ditësh. Qytetarë, të cilët nuk kanë qenë në dijeni të nisjes së punimeve, e që kanë shkuar më herët në Banjë tashmë janë bllokuar, ndërkohë është formuar kolonë veturash që presin të lirohet rruga, shkruan Portalb.mk.

Nga Komuna e Tetovës, për Portalb.mk, deklaruan se punimet do të zgjasin për disa ditë me radhe, madje edhe në fundjavë, ndërsa sot deri në orën 17:00.

Ndërkohë, qytetarëve që kanë ngecur, kohë pas kohe, kur të gjendet hapësirë do t’iu lejohet të kalojnë.

Kolonë veturash në rrugën e Banjës së Tetovës. Foto: Portalb.mk
Kolonë veturash në rrugën e Banjës së Tetovës. Foto: Portalb.mk

Komuna e Tetovës më 18 gusht në një komunikatë kërkoi nga qytetarët që të reduktojnë lëvizjen me makina në drejtim të Banjës për të shmangur kaosin dhe të mos pengojnë ecurinë e punimeve.

“Punimet për rregullimin e rrugës së Banjës, murit mbajtës dhe largimin e gurëve që po pengojnë qarkullimin e lirë të qytetarëve po zhvillohen me intensitet të lartë dhe brenda një kohë të shkurtër rruga do të jetë e kalueshme për të gjithë. Komuna e Tetovës kërkon nga qytetarët që të reduktojnë lëvizjen me makina në drejtim të Banjës për të shmangur kaosin dhe të mos pengojnë ecurinë e punimeve. Gjatë fundjavës ky vend shfrytëzohet si rekreacion nga qytetarët dhe si rezultat i kësaj lëvizjet në këtë aks rrugor janë dukshëm më të shtuara, andaj kërkojmë mirëkuptim nga qytetarët”, njofuan nga Komuna e Tetovës.

Kujtojmë se ndonëse ishte paraparë që projekti i UNDP-së me Komunën e Tetovës për punimet ndërtimore për murrin mbajtës të dheut rrëshqitës përgjatë rrugës së Banjës të Tetovës të përfundonte në muajin mars, afati për këtë është shtyrë.

Nga zyrat e UNDP-së në vend për Portalb.mk në prill të këtij viti, theksuan se rikonstruksioni i murit mbajtës në “HEC Pena” në gjatësi prej rreth 120 metra realizohet në kuadër të Projektit për përmirësimin e rezistencës ndaj përmbytjeve në rajonin e Pollogut.

Rrëshqitja e dheut përgjatë rrugës për në Banjën e Tetovës mbetet problem i pazgjidhur, i cili rrezikon qytetarët dhe shpesh bllokon lëvizjen në atë aks rrugor. Dheu që rrëshqet përgjatë kësaj rruge vazhdon të përbëjë rrezik për qytetarët në vazhdimësi, ndërsa situata rrënohet kur ka reshje të shiut ku dheu dhe gurët dalin dhe bllokojnë komplet rrugën.

Punimet në murin mbajtës në rrugën e Banjës së Tetovës. Foto: Portalb.mk
Punimet në murin mbajtës në rrugën e Banjës së Tetovës. Foto: Portalb.mk

Autoritetet deri tani nuk kanë gjetur zgjidhje për problemin e dheut i cili bllokon rrugën çdoherë që ka reshje. Kjo rrugë, edhe pse e rregulluar në vitin 2017, megjithatë nuk është adekuate dhe plotësisht e sigurt për shkak se shpesh herë ka shembje të tokës përreth, duke bllokuar pjesërisht apo tërësisht kalimin.