Rruga e Banjës së Tetovës në gjendje të mjerueshme, rrëshqiti dheu dhe plotë mbeturina (VIDEO)

Reshjet e shiut dje dhe sot kanë bërë që dheu të rrëshqet përgjatë rrugës së Banjës së Tetovës dhe si pasojë i njëjti së bashku me gurë të dalin në mes të rrugës dhe të vështirësojnë kalimin e qytetarëve. Ky skenar përsëritet çdoherë që ka reshje të shiut me intenstitet më të lartë. Problem mbetet muri mbajtës i cili duhet të vendoset në mënyrë efikase, shkruan Portalb.mk.

Pamjet e tilla, tani e me vite e shoqërojnë këtë rrugë dhe qytetarët të cilët lëvizin pikërisht në këtë rrugë ndjehen të rrezikuar çdoherë që ka reshje.

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” njoftoi se kanë pastruar rrugën si pasojë e rrëshqitjes së dheut, por  dheu rrezikon përsëri të bllokojë rrugën nga lagështia dhe reshjet e shiut.

Kështu duket sot kjo rrugë, përveç dheut dhe gurëve në mes të rrugëve aty vërehen mbeturina të shumta, gropa, shtrati i lumit me mbeturina anash dhe të tjera, të cilat mund të shihen në videon më poshtë.

Autoritetet deri tani nuk kanë gjetur zgjidhje për problemin e dheut i cili bllokon rrugën çdoherë që ka reshje. Kryetari i Komunës, Bilall Kasami tha se po punohet në këtë projekt, në bashkëpunim me UNDP-në për sanimin e kësaj rruge.

“Jo vetëm që kemi plan, por veç më me projekt të UNDP-së është dalur në teren janë bërë elaborate dhe jemi në fazën e përpilimit të projektit për realizimin e sanimit të asaj rruge. Pra UNDP, zyra në Tetovë veç më është në përpunim të dokumentacionit bazë që të përpilojmë projektin dhe të shohim mënyrën e financimit”, tha Bilall Kasami me 23 shkurt. 

Sot filloi edhe realizimi i projektit për pastrimin dhe zgjerimin e shtretërve të lumenjve në disa vendbanime në Pollog, projekt ky i cili do të përfshijë nëntë komunat e Pollogut, me qëllim që të parandalohen rreziqet nga vërshimet. I njëjti realizohet nga Ministria e Mjedisit dhe UNDP-ja me financim nga Qeveria e Zvicrës në vlerë prej 12 milion eurosh.

Edhe pse rruga e banjës mund të konsiderohet si rrugë e re, pasi që e njëjta është ndërtuar në vitin 2017, ajo megjithatë nuk është adekuate dhe plotësisht e sigurt për shkak se shpesh herë ka shembje të tokës përreth.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button