Rruga e Banjës së Tetovës vazhdon të mbetet e rrezikshme, Kasami premtoi zgjidhje

Rruga përgjatë Banjës së Tetovës vazhdon të përbëjë rrezik për qytetarët të cilët lëvizin në këtë rrugë, kjo pasi dheu vazhdimisht rrëshqet kështu edhe duke bllokuar në njërën korsi qarkullimin. Autoritetet deri tani nuk kanë gjetur zgjidhje për këtë problem, kurse kryetari i Komunës, Bilall Kasami tha se po punohet në këtë projekt, shkruan Portalb.mk.

Dheu që rrëshqet përgjatë kësaj rruge vazhdon të përbëjë rrezik për qytetarët në vazhdimësi, ndërsa situata rrënohet kur ka reshje të shiut ku dheu dhe gurët dalin dhe bllokojnë komplet rrugën.

Ndonëse aty në një pjesë ishte vendosur një mur mbajtës për të penguar rrëshqitjen e dheut, i njëjti u shtrembërua. Aktivistja Rita Behadini kohë më parë përmes një videoje satirike ironizoi mënyrën se si ky mur ishte vendosur me qëllim që autoritetet të ndërmarrin diçka, por sot që po flasim gjendja në terren lë shumë për të dëshiruar.

“Problemet infrastrukturore në Tetovë, dhe jo vetëm, nuk janë probleme që mund të zgjidhen brenda ditës. Andaj është e nevojshme të ju bëhet presion institucioneve vazhdimisht në mënyrë që të “mos harrojnë” se problemi ekziston. Normalisht, mënyrat kreative dhe artistike janë sipas meje mënyrat më të mira për të tërhequr jo vetëm vëmendjen e institucioneve por edhe vëmendjen e publikut”, tha Rita Behadini.

Rruga në Banjën e Tetovës
Rruga në Banjën e Tetovës

Kryetari i Komunës së Tetovës i pyetur për këtë rrugë tha se kanë projekt në bashkëpunim me UNDP-në për sanimin e kësaj rruge.

“Jo vetëm që kemi plan, por veç më me projekt të UNDP-së është dalur në teren janë bërë elaborate dhe jemi në fazën e përpilimit të projektit për realizimin e sanimit të asaj rruge. Pra UNDP, zyra në Tetovë veç më është në përpunim të dokumentacionit bazë që të përpilojmë projektin dhe të shohim mënyrën e financimit”, tha Bilall Kasami.

Pyetëm edhe në UNDP, por nga atje nuk u përgjigjën.

Edhe pse rruga e banjës mund të konsiderohet si rrugë e re, pasi që e njëjta është ndërtuar në vitin 2017, ajo megjithatë nuk është adekuate dhe plotësisht e sigurt për shkak se shpesh herë ka shembje të tokës përreth. Rikujtojmë që ky problem daton që nga udhëheqja e Teuta Arifit me Komunën e Tetovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button