Federata me masa disiplinore ndaj Shkëndijës së Haraçinës

Federata e Futbollit të Maqedonisë përmes Komisionit Disiplinor e dënoi ekipin e Shkëndijës së Haraçinës për shkak parregullsive në xhiron e dhjetë në Ligën e Parë, transmeton Portalb.mk.

“Është iniciuar procedurë disiplinore ndaj FK Shkëndija Haraçinë 77 për organizim të dobët të ndeshjes së xhiros së 10-të të MFL-së së Parë kundër FK Struga Trim Lum, përkatësisht për praninë e personave të paautorizuar në hapësirat zyrtare”, raportoi Federata.

Komisioni për shkak sulmit verbal dhe kërcënimit ndaj gjyqtarëve, mori masa disiplinore edhe ndaj drejtorit ekzekutiv, Sulejman Alimit.

Shkëndija e Haraçinës më 17 tetor ka mbajtur mbledhje urgjente, duke paralajmëruar masa konkrete prej nesër, në lidhje me arbitrin dhe Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM). Ata paralajmëruan që nga fillimi i javës do të veprojnë, duke vlerësuar se si ekip i durojnë padrejtësitë, por “Haraçina nuk i toleron ofendimet, as edhe për një çast!”, për çka kanë deklaruar “Shihemi të hënën! Dhe besoni, do të shihemi!”.

Ekipi nga Haraçina akoma nuk ka publikuar masat që do të marrë, përkundër asaj se e hëna ka kaluar.

Ndryshe, problemi ka ndodhur në lidhje me ndeshjen ndërmjet Shkëndijës dhe Strugës, ku raportohet që gjyqtari Vllatko Ilioski e ka ofenduar kapitenin e Shkëndijës, Besir Demiri, duke e quajtur “Мајмун неписмен“ (Majmun analfabet).