Llogaritë e tetovarëve u bllokuan, komuna i çoi qytetarët në përmbarues

Shumë banorëve të Tetovës u janë bllokuar llogaritë bankare për shkak se komuna i ka dërguar në përmbarues për shkak të mospagesës së tatimit në pronë dhe taksës për kompanitë, raporton Portalb.mk.

Shumë qytetarë nuk e dinë asyen se pse u janë bllokuar llogaritë.

“Jam i bllokuar por nuk e di nga kush dhe pse”, tha një qytetar.

Komuna e Tetovës thonë se llogaritë janë bllokuar për të gjithë personat fizikë dhe subjektet juridike që nuk kanë shlyer obligimet deri në vitin 2025.

Nuredin Deari nga Sektori i Financave theksoi se borxhi i qytetarëve ndaj komunës është rreth 300 milionë denarë ndërsa me këtë veprim rreth 150 milionë denarë janë dërguar në përmbarues.

“Pas thirrjeve dhe dorëzimit të vendimeve për mbarim, tash ka filluar edhe realizimi, efekti është i kënaqshëm. Bllokimet janë bërë për kompani të cilat nuk kanë paguar taksat për firmë dhe personat fizikë të cilat nuk kanë paguar tatimin në pronë për deri në vitin 2025″, tha Deari.

Kujtojmë se Komuna e Tetovës muaj më parë i paralajmëroi qytetarët dhe kompanitë që nuk i kanë paguar tatimet e pronës dhe taksat e firmave që të shlyejnë të njëjtën, pasi në të kundërtën, do të pasojë procesimi i lëndëve në noterë.

Ndryshe, borxhi i Komunës së Tetovës në përmbarues siç deklaroi para një muaji kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, është rreth 3 milionë euro.

Ndërkohë, sipas analizës ekonomike të Portalb.mk të publikuar në maj 2026, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave, borxhi i Komunës së Tetovës atëherë ishte 11.974.062 euro, duke e renditur Tetovën si komunën e dytë me borxhin më të madh në vend.