Zv.ministri Sulejmani takoi kryetarin e Krushevës, premtoi zgjidhje për shkollat në Nerovë dhe Alldançe

Pas raportimit të Portalb.mk për kushtet e vështira në të cilat vazhdojnë të mësojnë nxënësit shqiptarë në Nerovë dhe Alldançe të Krushevës, zv.ministri i Arsimit, Driton Sulejmani, u takua sot me kryetarin e komunës, Nikolla Çoneski, për të diskutuar për zgjidhjen e këtyre problemeve.

Sulejmani bëri të ditur se në takim është diskutuar për objektin e ri shkollor në Nerovë, i cili u ndërtua me vetëkontributin e banorëve, por ende nuk është përfunduar. Sipas tij, procdurat për planin urbanistik të fshatit janë në fazën përfundimtare dhe pas përfundmit të tyre do të mund të vazhdojnë punimet.

“Kryetari Çoneski na informoi se procedrat për urbanizimin e vendbanimit Nerovë janë në fazën përfundimtare. Përfundimi i tyre do të mundësojë përgatitjen e dokumentacionit projektues dhe vazhdimin e punimeve për përfundimin e objektit shkollor”, shkroi Sulejmani.

Pas takimit, Sulejmani dhe Çoneski po ashtu vizituan shkollat në Nerovë, Alldançe dhe Vërbovec, për t’u njohur nga afër me gjendjen e tyre. Sulejmani tha se MASH-i dhe pushteti lokal do të bashkëpunojnë për zgjidhjen e problemeve në këto shkolla, por nuk tregoi se kur pritet të ndërmerren hapa konkretë.

Portalb.mk ka raportuar disa herë për gjendjen e rëndë në këto shkolla. Në Nerovë, objekti i ri shkollor, i ndërtuar me vetëkontributin e banorëve, ka mbetur i papërfunduar, ndërsa nxënësit vazhdojnë mësimin në ndërtesën e vjetër, në kushte të vështira. Legalizimi i objektit të ri nuk e zgjidhi problemin, pasi punimet ende nuk kanë përfunduar.

Për shkollën në Alldançe, Sulejmani fillimisht deklaroi në Kuvend se MASH-i nuk kishte pranuar kërkesë nga komuna për investime. Megjithatë, Portalb.mk siguroi nga Komuna e Krushevës dokumentin që dëshmon se kërkesa për rikonstruksionin e shkollës ishte dorëzuar në vitin 2022.

I pyetur nga Portalb.mk për këtë, Sulejmani tha se kërkesa ishte dorëzuar gjatë qeverisjes së kaluar dhe se në atë kohë nuk kishin pasur mundësi të ndërhynin për realizimin e projektit. Ai bëri të ditur se në buxhetin e vitit 2026 nuk janë paraparë mjete për këtë investim, ndërsa tha se do të angazhohej për ndarjen e mjeteve për vitin 2027, varësisht nga buxheti i ministrisë.

Nga Komuna e Krushevës thanë se ende nuk kanë marrë përgjigje nga MASH-i për kërkesën e dorëzuar në vitin 2022. Komuna paralajmëroi se do t’i dorëzojë ministrisë kërkesa të reja per rikonstruksionin e shkollave në Alldançe, Sazhdevë dhe Presillë, me qëllim që ato të përfshihen në programin e investimeve për vitin 2027/2028.