Më Mirë për Tetovën: Komuna në krye me Kasamin përgatiten për vjedhje milionëshe, pronën publike te zjarrfikësit duan ta privatizojnë
Nisma qytetare “Më Mirë për Tetovën” sot ka kërkuar që Komuna e Tetovës në krye me Bilall Kasamin të tërhiqen nga studimi i fizibilitetit për parcelën ku ndodhen zjarrfikësit, sipas të cilëve komuna po bëhet gati për “shit-vjedhje” përmes partneritetit publiko-privat e cila shkon në favor të privatit, raporton Portalb.mk.
“Ky objekt prapa nesh ka një sipërfaqe prej 885 m². Sa për ironi vetëm rrënimi dhe bartja e materialit do të kushtojë 350,000 euro. E përsëris, 350,000 euro vetëm për prishje, që i bie 400 euro/m2, kurse ne treg çmimi maksimal është 10euro/m2”, tha Agron Arifi, këshilltar komunal.
Ai thotë se betoni i armuar i objektit të ri është kalkuluar 6 milionë euro, ku siç thotë ai ka dyshime për vjedhje pasi objekti ka një sipërfaqe bruto 22875 m2, dhe sipas çmimit të tregut nuk është më e lartë se 150euro/m2 me çmim total prej 4 milion euro.
“Skenar të ngjashëm tetovarët e kanë parë edhe në qeverisjen e BDI-së, ku me ndërtimin e Teatrit të Tetovës, shuma e investuar ka mbërri diku 40 milionë euro, ndërsa ndërtimi nuk ka përfunduar as pas më shumë se një dekade. Sot lojtarët rezervë të BDI-së po e bëjnë skenarin e teatrit te parcela e zjarrfikësve të Tetovës”, tha Arifi.
Ata apeluan te udhëheqësia komunale, këshilltarët komunalë të shumicës nga VLEN dhe VMRO–DPMNE, si dhe përpiluesve të studimit të tërhiqen nga ky projekt.
“Në bazë të vlerësimeve nga inxhinier të ndërtimit, vlera e objektit sipas kuadraturës që është e cekur në fizibilitet, nuk e kalon shumën prej 13 milionë euro. Hiqni dorë nga çekmexhja e qytetit. Nuk do të lejojmë që në emër të investimit të keqpërdoret pa hesap buxheti i tetovarëve me skemat si të Belinda Ballukut, dhe pasuria jonë e përbashkët të përfundojë në xhepat e privatit”, tha Arifi.
Në ndërkohë kanë reaguar nga Komuna e Tetovës, thonë se “po ngritet pluhur për ndërtimin e objektit të ri të komunës”.
“Nëse kanë fakte dhe dëshmi për keqpërdorime, le t’i paraqesin dhe t’u drejtohen organeve kompetente. Interesi publik kërkon që çdo pretendim të shqyrtohet me përgjegjësi dhe çdo akuzë të mbështetet në prova. Qytetarët meritojnë të dinë si merren vendimet dhe si shpenzohen paratë e tyre. Prandaj, debati duhet t’i shërbejë informimit të tyre dhe të mos përdoret për të krijuar dyshime pa fakte”, thanë nga Komuna e Tetovës.
Këshilli i Komunës së Tetovës javën e kaluar nuk i miratoi dy pikat të cilat nxitën debat, tensione dhe protestë në sallë. Bëhet fjalë për propozim-përfundimin për miratimin e studimit të fizibilitetit për partneritet publiko-privat për ndërtimin e objektit administrativ-komercial për Komunën e Tetovës dhe për propozim-vendim për fillimin e procedurës për dhënien e kontratës për vendosjen e partneritetit publiko-privat për projektimin, financimin, ndërtimin, pajisjen, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të zjarrfikësve dhe objektit komunal.
Këto dy pika nuk janë tërhequr, por janë shtyrë për më tutje, ndërsa në ndërkohë pritet të vijojë debati publik.
Ky vendim erdhi pasi opozita pati kritika për këto dy çështje, akuzuan se udhëheqësia komunale po e vjedh pronën publike, ndërsa përmes protestës me pankarta kërkuan që kjo pikë të shtyhet.