BDI drejtuar Kasamit për partneritetin publiko-privat te zjarrfikësit: I deshët faktet, ja skema e vjedhjes, tani përgjigjuni

Pas akuzave për “skemën e vjedhjes” përmes partneritetit-publiko privat për parcelën ku ndodhen zjarrfikësit e Tetovës dhe reagimit të komunës se nëse dikush ka dëshmi për keqpërdorime t’i paraqesë ato, kanë reaguar nga Dega e Tetovës e BDI-së duke paraqitur disa pika për të cilat kërkojnë shpjegime, raporton Portalb.mk.

Komuna e Tetovës përballet me kritika dhe akuza se përmes studimit për partneritet-publiko privat për parcelën ku ndodhen zjarrfikësit, tenton të dëmtojë pronën e qytetarëve me shifra milionëshe në interes të partnerit privat.

Nga BDI Tetovë thonë se pasi Komuna e Tetovës kërkoi dokumente për dyshimet rreth projektit në parcelën e stacionit të zjarrfikësve, po i paraqesin disa dyshime për të cilat kërkojnë shpjegime konkrete.

“Para se të kërkojë fakte nga qytetarët, Bilall Kasami le të tregojë: a është Prof. Dr. Rametulla Ferati vëllai i ortakut të dajës së tij. Në studimin e fizibilitetit, Prof. Dr. Rametulla Ferati figuron si njëri nga përpiluesit, i angazhuar pikërisht për “interesin publik dhe analizën financiare”. Ndërkohë, në profilin publik të kompanisë PRO INZHINERING, si adresë kontakti figuron emaili [email protected]. Çfarë marrëdhënie ka përpiluesi i studimit me këtë kompani”, thonë nga BDI.

Siç shtojnë nga aty, sipas të dhënave që i paraqesin, po kjo kompani aktualisht po ndërton objektin plotësues të Komunës së Tetovës për 1.350.000 euro nga paratë e taksapaguesve tetovarë.

“Plot një milion e treqind e pesëdhjetë mijë euro për 1.400 m² ndërtim — rreth 964 euro për metër katror. Matematikë interesante e Kasamit. Një shumë që meriton publikimin e preventivit të detajuar, që qytetarët ta shohin saktësisht çfarë po paguajnë. Në fletën pronësore nr. 38951, në zonën kadastrale Tetovë-jashtë qytetit, PRO INZHINERING dhe MURANA-KOMPANI figurojnë si bartëse të të drejtave mbi të njëjtën pasuri të paluajtshme. Në profilin e MURANA-KOMPANI, si drejtor figuron Rakip Alii — “dajxha Rakip”, daja i Bilall Kasamit”, thonë nga BDI Tetovë.

Nga aty pyesin se a është Ibraim Ferati i PRO INZHINERING vëllai i profesorit që ka analizuar interesin publik në projektin e parcelës së zjarrfikësve.

“Nëse kjo lidhje konfirmohet, studimit do t’i duhet edhe një shtojcë, pema familjare pranë tabelave financiare. Që qytetarët ta kuptojnë më lehtë se nga kalon rruga e “ekspertizës së pavarur”. Ironia është te vetë detyra e shënuar në dokument: “interesi publik”. Pikërisht personi i angazhuar për ta vlerësuar atë duhet të ketë marrëdhënie plotësisht transparente me kompanitë e përmendura. A janë deklaruar këto lidhje? A është shqyrtuar konflikti i mundshëm i interesit? Kush e ka vlerësuar pavarësinë e ekspertëve. Z. Kasami, publikoni kontratat e angazhimit, deklarimet e interesave dhe çdo vlerësim për konfliktin e mundshëm të interesit. Publikoni edhe preventivin e objektit plotësues të Komunës”, thanë nga BDI.

Dje me kritika për studimin e fizibilitetit doli edhe nisma Më Mirë për Tetovën, nga ku më pas komuna doli me reagim, ku thanë se po “ngrihet pluhur” mbi këtë çështje.

“Nëse kanë fakte dhe dëshmi për keqpërdorime, le t’i paraqesin dhe t’u drejtohen organeve kompetente. Interesi publik kërkon që çdo pretendim të shqyrtohet me përgjegjësi dhe çdo akuzë të mbështetet në prova. Qytetarët meritojnë të dinë si merren vendimet dhe si shpenzohen paratë e tyre. Prandaj, debati duhet t’i shërbejë informimit të tyre dhe të mos përdoret për të krijuar dyshime pa fakte”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Këshilli i Komunës së Tetovës javën e kaluar nuk i miratoi dy pikat të cilat nxitën debat, tensione dhe protestë në sallë. Bëhet fjalë për propozim-përfundimin për miratimin e studimit të fizibilitetit për partneritet publiko-privat për ndërtimin e objektit administrativ-komercial për Komunën e Tetovës dhe për propozim-vendim për fillimin e procedurës për dhënien e kontratës për vendosjen e partneritetit publiko-privat për projektimin, financimin, ndërtimin, pajisjen, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të zjarrfikësve dhe objektit komunal.

Këto dy pika nuk janë tërhequr, por janë shtyrë për më tutje, ndërsa në ndërkohë pritet të vijojë debati publik.

Ky vendim erdhi pasi opozita pati kritika për këto dy çështje, akuzuan se udhëheqësia komunale po e vjedh pronën publike, ndërsa përmes protestës me pankarta kërkuan që kjo pikë të shtyhet.