PUNA E AVASHTË

Eksploruesit gjerman Edwin Rockstroh-ut i duhej një leje që të udhëtonte nga Shkupi në Tetovë, por nëpunësit nuk ishin në vendin e punës. Kur u ankua te zyrtarët e lartë, ata i thanë me gjakftohtësi se nëpunësit kishin dalë për kafe. Nëse për europianin kjo ishte e çuditshme, për zyrtarët lokalë ishte normale.

Për burokratët e avashtë, që ua nxinin jetën njerëzve duke mos e respektuar orarin e punës, Rockstroh-u shkroi në udhëpërshkrimin “Skica udhëtimi nga Dardania dhe Shqipëria 1874”.

Edhe kapiteni anglez Edmund Spenceri, që i shëtiti disa vende të Ballkanit, i shprehu të njëjtat ankesa. Në librin Udhëtim nëpër Turqinë Evropiane më 1850, ai e kritikoi keqqeverisjen dhe administratën e korruptuar, ku edhe fshatari i thjeshtë bëhej tiran sapo ngrihej në detyrë, kurse grabitjen e përpjesëtonte sipas fuqisë dhe ndikimit në shoqëri. Sipas tij, nëpunësit me paturpësinë e një hajduti krijonin pengesa të qëllimshme që t’i zhvatnin njerëzit, kurse zhvatjen e kishin shndërruar në tarifë.

Gazetari skocez Sir John Foster Fraseri shkroi në librin Pamje nga Ballkani (1906) se parimi i administratës në Turqinë Europiane ishte “avash – avash”.

Ka edhe autorë të tjerë që kanë shkruar për burokracinë torturuese në Ballkanin e shekullit XIX dhe XX.

Tani jemi në shekullin XXI, por ngathtësia institucionale është si në shekullin XIX. Të gjithëve na ndodh që ta përjetojmë të njëjtin ankth si Edwin Rockstroh-u. Por na ndodh edhe vetë të vonohemi në një takim ose ngjarje. Madje e quajmë normale. Jemi ballkanas. Avash, avash. Jemi vonuar në histori. Vetëm luftërat i kemi pasur të shpeshta.

I presim gjatë kohë zyrtarët të vijnë në një ngjarje të paralajmëruar. E ata vonohen edhe qëllimisht që të duken më të rëndësishëm seç janë.

E avashtë është edhe administrata. Ajo funksionon sipas logjikës se qytetari është për institucionet dhe jo institucionet për qytetarin.

Ligjet mund t’i ndryshojmë me shpejtësi, por mendësia ndryshon ngadalë. Pa e ndryshuar veten s’e ndryshojmë shoqërinë. Shoqëria është siç jemi ne. Shoqëria nuk ndryshon duke u ankuar dhe duke e hedhur fajin te të tjerët.

Për të qenë më afër Europës nuk mjaftojnë vetëm ligjet e reja. Duhet zbatimi i tyre. Duhet ndjenjë për jetën e përbashkët. Duhet ta kultivojmë ndjenjën e europianizmës brenda vetes…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.