Këshilli Rinor Lokal i Kërçovës zgjodhi anëtarët: Duam të krijojmë një qytet për të rinj që nuk do e lakmojë perëndimin

Këshilli i komunës së Kërçovës përzgjodhi 9 anëtarët e Këshillit Rinor të kësaj komune me mandat prej dy vitesh. Jonida Jusufi, Arsina Emini dhe Albina Asani janë tre nga anëtarët e këtij këshilli që për Portalb.mk theksuan se bashkë me anëtarët tjerë në dy vitet e ardhshme do të fokusohen në ringjalljen e rinisë dhe qytetit nëpërmjet aktiviteteve kulturore. 

Me qëllim të përfshirjes së të rinjve në politika rinore, në vitin 2020 u miratua Ligjit për Pjesëmarrjen e të rinjve në Politika Rinore që obligon komunat të krijojnë një Këshill Rinor prej nëntë anëtarësh të moshës prej 15 deri në 29 vjeç. Në këtë mënyrë të rinjve u mundësohet të kyçen në çështje të interesit të tyre dhe të reagojnë në tema të caktuara.

Anëtarët e përzgjedhur në Këshillin Rinor të Kërçovës me një mandat prej dy viteve janë: Arsina Emini, Albina Asani, Bojan Kostadinoski, Iva Trpeski, Mateo Minoski, Davor Smileski, Jonida Jusufi, Mateo Nasteski dhe Andrej Spiroski.

Jonida Jusufi, anëtare e Këshillit Rinor Lokal të Kërçovës
Jonida Jusufi, anëtare e Këshillit Rinor Lokal të Kërçovës

Jonida Jusufi është nxënëse e vitit të katër në shkollën e mesme “Drita” të Kërçovës në drejtimin e mjekësisë. Në kohën e saj të lirë ajo lexon libra, por edhe shkruan poezi. Për publikun, Jonida njihet për librin e saj “Mendimet e arratisura” që ajo e botoi kur kishte vetëm 15 vjet, ndërsa tani ajo është edhe pjesë e Këshillit Rinor të komunës së Kërçovës

Jonida për Portalb.mk tha se të rinjtë e Kërçovës kanë aftësi të krijojnë një qytet për të rinj që nuk do e lakmojnë perëndimin.

“Ajo çka më shtyu të aplikoj për anëtarësim në Këshillin Rinor është se doja të kontribuoj te të rinjtë, që t’i motivoj ata të arrijnë potencialin e tyre maksimal të mendimit dhe realizimit të ideve të tyre. Mendoj se ne jemi të aftë të kontribuojmë për rininë dhe të krijojmë një qytet për të rinj që nuk do t’i lakmohen perëndimit”, tha Jonida.

Albina Asani, anëtare e Këshillit Rinor Lokal në Kërçovë
Albina Asani, anëtare e Këshillit Rinor Lokal në Kërçovë

Albina Asani është nxënëse e vitit të dytë në shkollë të mesme në drejtimin e Farmacisë, ajo gjithashtu merr pjesë në klubin letrar të shkollës dhe është aktiviste e Kryqit të Kuq të Kërçovës.

“Jam anëtare e klubit letrat dhe aktiviste e Kryqit të Kuq, kështu që marr pjesë në aktivitete kulturore dhe humanitare. Besoj se me idetë dhe aktivitetin tim do të ndihmoj në këshill po edhe në mjedisin ku jetojmë”, thekson Albina Asani.

Arsina Emini, anëtare e Këshillit Rinor Lokal në Kërçovë
Arsina Emini, anëtare e Këshillit Rinor Lokal në Kërçovë

Arsina Emini është gjithashtu një nga anëtaret e përzgjedhura në Këshillin Rinor, e cila poashtu është nxënëse e vitit të katërt në drejtimin e mjekësisë. Ajo për Portalb.mk tha se arsyeja që e shtyu atë të anëtarësohet në Këshillin Rinor është se në qytet ndjehet mungesa e shoqërimit të të rinjve dhe aktiviteteve rinore.

“Çdo herë që do të kishte ndonjë projekt apo aktivitete të tilla ku përfshihej puna në grup na jepej mundësia që jo vetëm të kryejmë një punë të dobishme, por edhe krijonim një shoqëri të re ku njiheshim më mirë me nxënësit e tjerë dhe krijonim kujtime të pazëvendësueshme. Kjo ishte një ndër arsyet se pse u motivova të aplikoj për tu bërë pjesë e Këshillit Rinor Lokal të Kërçovës, pasi e ndjej mungesën e afërsisë së të rinjve dhe aktiviteteve të cilat janë një mënyrë e rigjallërimit të popullatës dhe krijimit të lidhjeve shoqërore që gjithashtu do të largojë stereotipet e vjetra, paragjykimet dhe ftohtësinë mes nacionaliteteve”, tha Arsina.

Përndryshe, Kërçova që nga viti 2015 e deri në vitin 2021 ka pasur Këshill Rinor Lokal. Në vitin 2018, Komuna e Kërçovës së bashku me Misionin OSBE në Shkup kanë hapur Qendrën Rinore, ku të rinjve u është siguruar një hapësirë në objektin e saj. Gjithashtu me Misionin OSBE në Shkup, Kërçova ka krijuar një strategji rinore e cila parasheh të gjitha aktivitetet që Këshilli Rinor është dashur t’i ndërmerr deri në vitin 2022.

Nga komunat me shumicë shqiptare që  tani më kanë të formuar Këshill Rinor janë Tetova, Gostivari, Kërçova. Komuna e Dibrës gjithashtu ka filluar me procedurën e formimit të këshillit. Ndërsa, Çairi dhe Struga janë të vetmet komuna me shumicë shqiptare të cilat ende nuk kanë filluar me formimin e Këshillit Rinor.