Pronari i “DokazM” kërkoi largimin e prokurorit Rajçev nga procedura në Apel

Pronari i portalit “DokazM”, Marjan Stamenkovski, sot në seancën publike në Gjykatën e Apelit në Shkup, ka kërkuar largimin e prokurorit publik Sasho Rajçev nga procedura, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Menjëherë pasi filloi seanca në shkallë të parë për Stamenkovskin, i cili u dënua me tre vjet e një muaj burg për shumë krime, ajo u shty. Shkak i ndërprerjes ka qenë se pronari i “DokazM” ka kërkuar që prokurori Rajçev të largohet nga Prokuroria e Lartë Publike, e cila është kompetente për përfaqësimin e lëndës para gjykatës së shkallës së dytë.

Stamenkovski pretendon se ka bashkëpunuar me Rajçevin për disa nga rastet për të cilat po gjykohet, gjegjësisht thotë se ka marrë informacion nga ai.

“Kërkoj që prokurori i respektuar të largohet për konflikt interesi, sepse sipas informacioneve të mia të besueshme, personi Sasho Rajçev ka dërguar informacione që janë pjesë e rasteve për të cilat më gjykoni, por edhe për rastet për të cilat kryetarit të Prokurorisë së Lartë Publike, Mustafa Hajrullahi, ka kërkuar falje nga unë, por edhe për çështje tjera”, tha Stamenkovski.

Prokurori Sasho Rajçev i mohoi pretendimet dhe tha se nuk e njeh Stamenkovskin.

“Në lidhje me kërkesën e shprehur, duke qenë se është bazë ligjore për ngritjen e padisë për shpifje, do të konstatoj se të pandehurin nuk e njoh dhe as nuk kemi komunikuar në asnjë mënyrë me të dhe deklaratat e sotme janë krejtësisht të pavërteta. Po ashtu do të them se as nuk e kam lexuar portalin përmes të cilit ka publikuar tekste, për të cilat akuzohet sot, duke qenë se nuk kam profile në rrjetet sociale dhe as nuk e kam ndjekur në ndonjë mënyrë tjetër”, tha Rajçev.

Sipas Ligjit për procedurë penale, pas kërkesës së paraqitur për përjashtimin e prokurorit publik nga prokuroria e caktuar, vendos eprori – udhëheqësi i asaj prokurorie, ose në këtë rast Mustafa Hajrullahi.

Pas sjelljes së vendimit, seanca publike duhet të vazhdojë.

Pronari i portalit DokazM është dënuar me tre vjet e një muaj burg. Përveç kësaj, atij iu ndalua për 10 vjet regjistrimi i portalit të internetit në vend. Stamenkovski akuzohet për pesë krime – dy krime të përhapjes së materialit racist dhe ksenofobik dhe një krim për shantazh, pirateri të veprës audiovizive dhe keqpërdorim të të dhënave personale.

Për veprën e keqpërdorimit të të dhënave personale, Stamenkovski është dënuar me 5000 euro gjobë.