Gazetaret e “Fokus” për rastin “Marjan Dokaz”: Është koha të dihet se kush është gazetar e kush shantazhues

Është koha pëfundimtare që të dihet se kush janë gazetarë dhe kush shantazhues, porositën gazetaret e “Fokus”, Irena Mulaçka dhe Valentina Vurmo, pas seancës së sotme kundër pronarit të portalit “Dokaz”, Marjan Stamenkovski, i cili është i akuzuar për disa vepra penale – shpërndarje të materialit racist dhe ksenofob nëpërmjet të sistemit kompjuterik, shantazh, pirateri dhe keqpërdorim të të dhënave personale, njofton Portalb.mk.

Në seancë sot janë paraqitur gjashtë dëshmitarë të dëmtuar, në mesin e të cilëve edhe dy gazetare të “Fokus”.

“Pres drejtësia të jetë e kënaqur, i akuzuari është gjetur atje ku e ka vendin dhe njëherë e përgjithmonë të dihet se kush është gazetar dhe kush shantazhues”, tha Mulaçka pas mbarimit të seancës.

Vurmo, deklaroi se numri i të dëmtuarve është më i madh se sa personat që ishin sot.

“Nga lënda pres që përfundimisht të ndahemi se cilët janë gazetarët dhe cilët janë ata që kanë ndërhyrë në profesion.  Më shumë pritje kam nga lënda e dytë e prokurorisë për Stamenkovskin, pres të tregojë se cilët janë porositësit dhe ndërmjetësuesit, gjegjësisht kush ka paguar që të publikohen tekste të rrejshme dhe shpresoj që edhe ata të gjenden në bankën e të akuzuarve”, tha Vurmo.

Gjykimi i Marjan Stamenkovskit nga DokazM sot filloi me përjashtim të publikut dhe me dyer të mbyllura. Prokurorja Zorica Pavloviq propozoi përjashtimin e publikut nga çështja pasi bëhet fjalë për vepër penale kundër moralit dhe mbrojtjes së jetës private. Bëhet fjalë për informacione që i referohen edhe jetës intime.

Gjyqtarja Marija Kletniçka Markovska, e cila e udhëheq procesin, e pranoi propozimin që nga hapja e seancës deri në përfundim të seancës publike që publiku të përjashtohet pjesërisht ose në tërë seancën.

Ai akuzohet për disa vepra penale: dy akuza për përhapjen e materialeve raciste dhe ksenofobike përmes një sistemi kompjuterik dhe nga një akuzë për shantazh, pirateri audio-vizuale dhe keqpërdorim të të dhënave personale.

Rasti në Prokurorinë Themelore Publike (PThP) Shkup është formuar pas kallëzimit penal kundër Stamenkovskit gjatë vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti nga disa persona, ndërsa viktima të aktiviteteve dhe teksteve të tij të publikuara ishin priftërinj, gazetarë, hetues nga Ministria e Brendshme, si dhe një televizion.

Stamenkovski është arrestuar më 9 shkurt të këtij viti dhe i është caktuar masa e paraburgimit, ndërsa shtëpia e tij është kontrolluar dhe janë sekuestruar dokumente, telefona celularë dhe pajisje tjera elektronike që janë ende nën hetim, si dhe një shumë e madhe parash. Autoritetet dyshojnë se mund të gjenden prova për vepra të tjera, ndaj nuk përjashtohet mundësia e që të ketë vazhdësi më këtë rast.

Aktakuza, për të cilën gjykimi fillon sot, përfshin disa raste për të cilat Prokuroria Publike e Shkupit ka njoftuar në detaje kur është dorëzuar në Gjykatën Themelore Penale.

Sipas Prokurorisë, dy veprat e përhapjes së materialit racist dhe ksenofobik i ka kryer përmes një sistemi kompjuterik duke publikuar tekste për dy priftërinj në Kishën Ortodokse Maqedonase-Arqipeshkvia e Ohrit dhe për dy gazetare femra.

Priftërinjtë e raportuan pasi përhapte urrejtje dhe intolerancë përmes teksteve. Stamenkovski, tha PThP Shkup, ka publikuar se priftërinjtë ishin të lidhur me shërbimet sekrete vendase dhe të huaja, ndërsa dërgoi fjalë kërcënuese, duke i inkurajuar njerëzit që të vijnë dhe t’i dëbojnë nga manastiri ku kanë shërbyer.

Dy gazetaret, nga ana tjetër, janë nga e përjavshmja “Fokus”, për të cilën nga Prokuroria Publike e Shkupit thonë se i akuzuari kanë promovuar urrejtje dhe ka tentuar t’i frikësojnë që të mos publikojnë artikuj në mediat ku punojnë.

“PThP Shkup ka vepruar dhe ka siguruar prova pas kallëzimit penal nga dy gazetare, të cilat kanë raportuar se tekstet fyese me fotot e tyre janë publikuar në ueb portalin që nga fillimi i vitit 2022 dhe qëllimi përfundimtar i tyre është t’i frikësojë dhe t’i pengojë të publikojnë artikuj në të përjavshmen për të cilën punojnë. Gjatë procedurës, viktimat kanë dhënë deklaratat e tyre para prokurorit publik kompetent në të cilat kanë argumentuar dyshimet e tyre se prapravija e postimeve të ueb portalit ka qenë për të bërë presion dhe censurë ndaj tyre. I akuzuari në tekste ka promovuar drejtpërdrejt urrejtje në bazë të përkatësisë etnike”, kanë thënë nga prokuroria e Shkupit.

Lidhur me veprën e shantazhit, sipas pretendimeve të Prokurorisë Publike të Shkupit, në fillim të këtij viti, Stamenkovski me qëllim të përfitimit pasuror e ka kërcënuar një të dëmtuar se do t’ia dëmtojë reputacionin dhe nderin. Ai e ka kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe e ka ftuar në një takim për ta shantazhuar që do t’i publikojë foto private dhe informacione për të nëse nuk i jepte para. Pasi i dëmtuari nuk ka pranuar të takohet, siç thuhet nga Prokuroria, në portalin Dokaz janë publikuar disa shkrime për të.

Për pirateri të veprës audiovizive dhe keqpërdorim prokuroria e ndjek penalisht në bazë të raportit të një televizioni që kishte të drejta ekskluzive autoriale për të transmetuar përmbajtje të caktuara, por Stamenkovski i publikoi video materialet në portal dhe mundësoi shfaqjen e pakufishme publike.

Përderisa Prokuroria Publike e Shkupit e zhvillonte procedurën, i akuzuari kontaktoi një hetuese në Prokurorinë Publike të Shkupit dhe përmes saj u përpoq të merrte informacione për rastet në procesim, përfshirë edhe të tijin.

“Duke tentuar të ndikojë në procedurën ndaj tij, nga komunikimi privat me hetues, ka përdorur dhe ka publikuar pa pëlqim të dhënat personale dhe fotografitë e katër hetuesve në Prokurorinë Publike Shkup, andaj i akuzuari akuzohet edhe për veprën penale keqpërdorim të të dhënave personale”, njoftoi Prokuroria Publike Shkup.

Hetuesja e punësuar në MPB e cila i ka dhënë informacione nuk është më e punësuar në Qendrën hetimore të Prokurorisë Publike të Shkupit dhe, siç është paralajmëruar, për të do të iniciohet procedurë para Departamentit për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale në Ministrinë e Brendshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button