Nëse i vëreni këto simptoma psikologjike te fëmija juaj, reagoni urgjentisht

Masakra e përgjakshme që ka ndodhur në shkollën “Vlladisllav Ribnikar” në Beograd i ka ngritur në këmbë autoritetet kompetente në Maqedoni, por edhe tërë opinionin e ekspertëve të cilët kërkojnë zgjidhje për atë se si të ndikohet në parandalimin e tragjedive të këtilla. Psikologët, psikiatrët, ekspertët për dhunë fizike dhe kibernetike para ca kohësh kanë mbajtur mbledhje në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës që të këmbejnë mendime dhe të tregojnë se çfarë duhet që të ndërmerret, shkruan Meta.mk.

Niki Ivanovska Kotevska, profesoreshë e psikologjisë në gjimnazet “Georgi Dimitrov” dhe “Nikolla Karev”, bashkë me nxënësit e saj, i kanë shkruar në letër simptomat dhe sinjalet më të rëndësishme dhe me të përfaqësuara te fëmijët, të cilët mund të njihen si alarm për paraqitjen dhe praninë e ndonjë anomalie psikologjike tek ata. Në hulumtimin që e kanë bërë, kanë marrë pjesë 60 prindër dhe 150 nxënës të shkollave të mesme.

“Duke e pasur parasysh se në shtetet fqinje, por edhe te ne, në një gjendje të këtillë urgjente ku është e mundshme paraqitja e shpejtë e “domino efektit” (për çka dhe jemi dëshmitarë), edhe pse ne vazhdimisht në orën e psikologjisë i përpunojmë këto tema, bashkë me nxënësit e vitit të katërt erdhëm në përfundim se patjetër dhe urgjentisht duhet të veprojmë. Formuam grupe dhe hapur, me ndihmën e instrumenteve metodologjike përkatëse të cilët vetë i kemi krijuar, kemi caktuar se çfarë saktë është e nevojshme që të bëjnë mësuesit, fëmijët dhe prindërit, që të rritet vetëdija për shëndet mendor”, tha Ivanovska Kotevska.

Hulumtimin dhe përpunimin e të dhënave e kanë bërë për dy ditë, duke besuar se kjo është gjendje për të cilën nuk ka kohë që të pritet me “duar kryq”.

“Si rezultat fituam se prindërit, mësuesit dhe fëmijët, kanë më shumë nevojë për njohje të simptomatologjisë së anomalive psikologjike, ku dhe si të kërkojnë ndihmë gjatë hetimit të të njëjtave”, tha profesoresha.

Sipas udhëzimeve dhe këshillave të dhëna, duhet që të reagohet nëse te fëmija hetohet mungesa e dëshirës që të dalë dhe të shoqërohet, nëse ka prani të marrëdhënies së dhunshme dhe ofenduese me shokët, nëse kalon gjatë kohë duke luajtur video-lojëra me shokët. Alarm se diçka duhet të ndërmerret është nëse nxënësi në shkollë izolohet ose qëndron vetëm, larg shokëve, pastaj, nëse sillet dhunshëm dhe në mënyrë agresive me shokët, nëse ka lëkundje ose ndryshim në disponim.

Në kushte shtëpiake, prindi duhet që të ketë kujdes nëse reziston të shkojë në shkollë, nëse ka të vjella, kokëdhimbje dhe dhimbje të stomakut, nëse ka probleme me gjumin dhe zvogëlim të apetitit, nëse është i mbingarkuar me suksesin në shkollë dhe identifikohet me notat e tij. Alarm duhet të jetë edhe nëse nxënësi reagon në mënyrë jopërkatëse kur do të marrë notë më të dobët.

Prindërit duhet të kontrollojnë se çfarë kanë nëpër çanta, çfarë përmbajtje ka në ueb-shfletuesit në smartfonët e tyre dhe kontaktet e fëmijëve që kontakton në rrjetet sociale.

“Nëse prindërit hetojnë ndonjë sinjal, duhet të bisedojnë me fëmijën, me kujdes dhe pa gjykim ta dëgjojmë. Për ndihmë duhet të drejtohen te psikologu ose mjeku amë, te mësuesi apo ndonjë mik që mund të ndihmojë. Dhe të mos harrojmë se përgjegjësia më e madhe është mu te prindi, pasi fëmijët janë ashtu siç do të lejojmë të bëhen”, thuhet në udhëzimet dhe këshillat.

Që të parandalohen situatat serioze, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) para ca kohësh ka hapur adresa për paraqitje të dhunës në shkolla – [email protected], gjegjësisht [email protected] si vend qendror ku mund të paraqitet dhuna në shkolla, që të munden institucionet menjëherë të reagojnë dhe të parandalojnë situata serioze.