SHKOLLARIA SI ‘SOCIAL DAMAGE’ (I)

“Në shekullin XXI dialogu do të ngadhënjejë ndaj përplasjes mes kulturave!”

A.Mazrui

Më 18 gusht “Republika.mk” dhe disa portale të tjera publikuan një artikull me nuanca libido-frojdiane të profesoreshës dhe politikanes K. Ristova-Asterud të titulluar “Hajde shkoni në …: Lirisht kërkoni rrugë!” (Преку „таквото“ веќе, ма слободно барајте си пат!) ku shpërfaqej një frymë mllefi, mosdurimi, të fshehura në unin e ngarkuar me fobi shumëpërmasore, me elemente të racizmit, të patologjisë që si shënjestër kishte tjetrin etnik, kulturor, religjioz, historik, botëkuptimor. T’ia fillpojmë nga titulli: Social damage definohet si “impairment” apo prishje e mirëqenies sociale; është një formë e “social harm” (dërrmim shoqëror) që përfshin  aktivitete të dëmshme (detrimnetal activities) për komunitetin. Autorja në tekstin në fjalë flet për vetëperceptimet, për karakteristikat identitare shqiptare krejtësisht të huaja për Europën, si antitezë e gjithçkaje europiane, për “tribalizëm etnik-fetar dhe pastërti tribale”, “agjens dhe kontingjent demografik për fundamentalizëm fetar dhe islam politik/islamizëm/islamofashizëm”, “ithtarë të ISIS”, “kriminalitet”, “pikëpamje kulturore dhe fetare-teokratike”, “mosintegrim dhe jolojalitet imigrant”, dikotomizon shoqërinë duke e ndarë “grupin shqiptaro-turk” dhe atë “sllav” (që në Europë do shkojë në paket me Serbinë dhe Malin e Zi), flet për “preferim e sheriatit si rend juridik”. Profesoresha e “Justiniana Prima”-s shënon edhe se “Shkupi dhe veriperëndimi i Maqedonisë përngjajnë dhe tingëllojnë si pjesë e botës turke/arabe, islamike/myslimane, sikur osmanët janë kthyer” etj.

Nëse këto sekuenca trajtohen nga këndi i antropologjisë të njëjtat flasin se kemi të bëjmë me një tjetërizim, me atë që gjermanët e quajnë Ver-anderung, si një problem edhe i shekullit XXI, si “emëruesi i procesit të krijimit për veten një tjetër”, një të ndryshëm që pastaj vendoset në shënjestër dhe në bazë të së cilit e madhërojmë vetveten. Nga problemet e kohës është ai i vetes superiore dhe tjetrit inferior, i distancimit vetja-tjetri, i hierakizimit, i dehumanizmit të tjetrit, si radiaklisht i huaj (radically alien), çështja e njohjes së diferencës dhe ndërtimit të shoqërive vërtet pluraliste (truly pluralistic society).

Nga analiza e përmbajtjes së tekstit të autores konstatojmë një urrejtje patologjike ndaj gjithçkaje që është islame dhe shqiptare, pra që nuk është kristiane dhe maqedonase dhe sllave. Me siguri autorja ka dëgjuar për relativizmin kulturor që thotë se çdo kulturë ka tërësinë e vet të standardeve kulturore, përkundër absolutizmit që thotë se duhet vendosur rregulla unike pa marrë parasysh përkatësinë kulturore/religjioze. Një nga sfidat e kohës është që “truri shkollar” të kuptojë para qytetarit ordiner dhe “të pashkollë” “trajtimin e dallimeve si fuqi e mundshme” (possible strength), të afirmojë jetesën së bashku përkundër vlerave dalluese (differing values).

Qasja e ligjëratës së sipërcituar është formë e ‘racizmit shkencor’. Nëse shqiptari është i huaj për Europën, atëherë ku mbeten sllavët? Edhe për ta ka qëndrime etiketuese që në asnjë mënyrë s’i aprovojmë sepse janë paragjykuese dhe gjeneralizuese. Meiner (1747-1810), teoria e të cilit është refuzuar si joshkencore, akuzon zezakët për shkak të mënyrës së jetesës dhe mungesën e moralit, ndërkohë pohon se sllavët janë “racë inferiore, më pak sensitive dhe që hanë ushqime të ashpra” (Tania, 2007: 25-26) World World History Encyclopedia i përshkruan sllavët si armiq “barbarë” të dokumentuar të Romës. (Violatti, 2014)

Intelektuali me përgjegjësi duhet të jetë objektiv, sine ira et studio, të reagojë kundër çdo anomalie sociale. Pse Asterud nuk ka reaguar kundër Shkupit 2014 që përbën një përdhosje të kodit të qytetit të natyrshëm dhe autentik? Vallë a është prononcuar kundër ndërtimit të kryqit të Mileniumit, kishës “Shën Elena dhe Konstantini” me paratë e të gjithë qyetarëve (gjashtë donatorë institucione shtetërore). (Блажев, 2020) A e ka ngрitur zërin kundër pengimit të kthimit të funksionit të vërtetë të xhamisë së Prilepit? Po kryqat e vënë në sahat kullat osmane në Manastir dhe Prilep? Mos vallë kjo është në funksion të europianizimit të Maqedonisë? Ende i kemi të gjalla kujtimet nga tentimet për kufizim të fertiliteit shqiptar, listat e emrave të ndaluar për shqiptarët, pra duhej që fëmijëve t’u ngjisnim emra politikisht të përshtatshëm për dominus-in e kohës. Se fryma ekskomunikuese është gjallë vërehet edhe në rastin e fundit të Velesit, ku qytetarët maqedonas etnikë këtyre ditëve protestojnë kundër hapjes së paraleleve në gjuhën shqipe. Absurd par exellence.

Ligjërata e politikanes është në akord me atë të ASHAM-it që shqiptarët i cilëson si malësorë, montanjerë, të Qullafkovës që në kohën e Covid-19 edhe për kurbën e zgjerimit të pandemisë i pati akuzuar shqiptarët: “Çmimin e bashkëjetesës, po e paguajmë me jetë” – pati pohuar ajo. Është në akord me parullat “Еден јазик сакам ја, нејќам три, нејќам два!” (Një gjuhë të vetme dua, s’dua tre as dy!) Sa i përket pastërtisë tribale që përmendet në artikull mjaftojnë si ilustrim grafitet dhe thirrjet nëpër ndeshjet sportive: “Чиста Македонија!” (Maqedonia e pastër!) Në akord me këtë mendësi ishte postimi në rrjetet sociale (3 ditë pas shkrimit që po trajtojmë në këtë kolumnë, me të njëjtën shprehje në të “Преку таквото…”) i një mjeku strugan që mes tjerash shqiptarët i shumëzonte me zero, i quante primitivë, njerëz të thjeshtë, tribu, analfabetë dhe të pacivilizuar, madje dëshironte prej tyre të bënte sapun. (almakos.com, 22.08.2023)  /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.