RMV, raporti për pensionet duhet të jetë gati këtë javë, nuk parashikohet rritje lineare

Raporti i grupit punues për pensionet pritet të jetë gati gjatë kësaj jave. Në masat që do të merren, siç deklaroi sot ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovanka Trençevska, nuk parashihet rritje lineare e pensioneve, sepse siç tha ajo, duhet të merret parasysh stabiliteti i sistemit pensional, transmeton Portalb.mk.

“Pres që këtë javë të dorëzohet raporti i grupit punues, i cili do t’i dorëzohet Qeverisë që së bashku të vendosim se cilat masa shtesë do të miratohen në pakon e re të masave kundër krizës. Ndër këto masa nuk ka rritje lineare sepse një rritje lineare nuk përfiton të gjithë pensionistët. Me metodologjinë e re, vetëm për një vit e gjysmë pensioni më i ulët është rritur për gati 2200 denarë, dhe sipas rritjes së pensioneve do të vazhdojë të aplikohet metodologjia e re dhe do të shkojmë me atë që është zgjidhja ligjore tani për momentin. Do të kemi masa që do të nënkuptojnë të ardhura shtesë, mbështetje financiare për pensionistët, por do të mbulohen ata pensionistë me pensione të ulëta dhe që janë në kategorinë më vulnerabël”, tha Trençevska pas vizitës në kopshtin “13 Nëntori” me rastin e festës së fëmijëve.

Trençevska tha se si qeveri mbeten të hapura për të biseduar me pensionistët, por se nuk pajtohet me rritje lineare të pensioneve siç kërkohet nga pensionistët për shkak të stabilitetit të sistemit pensional.

“Çdo rritje joreale e pensioneve dhe çdo shpenzim joreal i fondeve në fondin e sigurimeve pensionale dhe invalidor do të sjellë në paqartësi pagesën e pensioneve për të gjithë 336 mijë pensionistët. As si Qeveri dhe as si Ministër i Punës dhe Politikës Sociale nuk do të lejoj që të prishet stabiliteti i fondit pensional. Nga viti 2017 e tutje po punohet për rritjen e të hyrave në fondin pensional dhe këtë e tregojmë me uljen e deficitit, i cili në vitin 2017 ishte rreth 47 për qind, ndërsa tani është ulur në 33 për qind”, theksoi Trençevska.

Ai theksoi se për një vit e gjysmë pensionet janë rritur për 24 për qind që nga janari i vitit të kaluar në përputhje me përshtatjen me shpenzimet e jetesës.

“Nuk po them se mjaftojnë pensionet e ulëta. Megjithatë, me mbështetje financiare, pa vënë në dyshim stabilitetin e sistemit të pensioneve, do të krijojmë masa që do të sjellin më shumë fonde në llogaritë e transaksionit të pensionistëve, veçanërisht atyre me pensione të ulëta. Metodologjia jep rezultate të shkëlqyera sepse nga 1 janari 2022, kur pensioni minimal ishte 10.487 denarë, dje është paguar pensioni më i ulët në vlerë prej 13.200. Pra, pensioni është rritur për më shumë se 3.000 denarë për vetëm një vit e gjysmë”, tha Trençevska.

Kujtojmë se dje u bë pagesa e pensioneve në filialet e bankave komerciale. Pensionistët morën pensione më të larta për 5.3 për qind sipas metodologjisë së rritjes së pensioneve. Nga kjo rritje përfitojnë më së shumti shfrytëzuesit e pensioneve më të larta, të cilat sipas llogaritjeve do të jenë rreth 3.700 denarë, ndërsa pensionistët me të ardhura të ulëta marrin vetëm 700 denarë plus në llogaritë e tyre.

Pensionistët protestuan më 20 shtator, duke kërkuar rritje lineare të pensioneve për 3500 denarë, ndërsa pensionin minimal të jetë 45 për qind nga paga mesatare.

“Nivelizim i pensioneve është gjëja e parë që duhet bërë, që pjesa tjetër e pensioneve më pas të përshtatet sipas rritjes së pensionit minimal”,  reaguan pensionistët.

Në Maqedoni jetojnë rreth 330.000 pensionistë, shumica prej tyre, mbi 97.000, kanë pensione deri në 13.000 denarë.