Progresi në zbatimin e rekomandimeve të GRECO-s në Maqedoninë e Veriut: Një shqyrtim i raportit të raundit të katërt të vlerësimit

Raporti i fundit i GRECO-s për Maqedoninë e Veriut për raundin e katërt të vlerësimit ka sjellë dritë mbi progresin në zbatimin e rekomandimeve të dhëna në raportet e mëparshme. Vlen të theksohet që për Maqedoninë e Veriut raundi i katërt i vlerësimit filloi më shumë se dhjetë vite më parë, kur në dhjetor të vitit 2023 u miratua raporti i parë i vlerësimit për këtë raund ku u dhanë 19 rekomandime lidhur me të cilat kishte dy raporte të vlerësimit të përputhshmërisë dhe dy shtojca të raportit të dytë të përputhshmërisë. Raundi i katërt i vlerësimit i dedikohej parandalimit të korrupsionit tek deputetët, prokurorët dhe gjyqtarët. Pas dhjetë vitesh, në seancën plenare të GRECO-s të mbajtur në nëntor 2023, u miratua shtojca e dytë e raportit të dytë me të cilin përfundoi ky raund i vlerësimit me gjithsej 14 rekomandime të plotësisht të zbatuara, 4 rekomandime pjesërisht të zbatuara dhe një rekomandim i pazbatuar. Në bazë të analizës së raportit të fundit, mund të dalin disa konkluzione kyçe.

Në përgjithësi, nga një total prej nëntëmbëdhjetë rekomandimeve të dhëna, katërmbëdhjetë prej tyre janë zbatuar në mënyrë të kënaqshme ose për to është vepruar në mënyrë të kënaqshme. Kjo tregon një përpjekje serioze nga ana e autoriteteve për të përmbushur standardet e kërkuara nga GRECO veçanërisht gjatë viteve të fundit kur edhe është bërë progres i dukshëm në zbatimin e këtyre rekomandimeve. Megjithatë, është e rëndësishme të vërehet se katër rekomandime janë zbatuar pjesërisht, ndërsa një rekomandim mbeti i pazbatuar deri në fund.. Kjo tregon se ende ka hapësira për përmirësime dhe për një përpjekje të vazhdueshme për të arritur standardet e dëshiruara.

Në kontekstin e deputetëve, ka pasur një vlerësim pozitiv për progresin në racionalizimin e Kodit Etik për deputetët dhe në përgatitjen e programeve për trajnimin e tyre në zbatimin e këtij Kodi dhe për standardet e etikës dhe integritetit. Megjithatë, përgatitjet për të përmirësuar rregullat e punës së Kuvendit, si dhe rregullat për ligjin e lobimit, ende janë në proces. Këto aspekte janë thelbësore për të siguruar një ambient sa më të përshtatshëm për funksionimin e proceseve ligjore dhe për të garantuar integritetin në procesin politik.

Një shqetësim tjetër është lidhur me sistemin e sanksionimit të paraparë me Ligjin për parandalim të korrupsionit dhe konflikteve të interesit, për të cilin nuk ka pasur përmirësime të mjaftueshme sipas raportit të GRECO-s. Kjo çështje mbetet të adresohet gjatë përpilimit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për parandalim të korrupsionit dhe konflikteve të interesit.

Gjithashtu, një tjetër çështje e rëndësishme është lidhur me gjyqësinë dhe anëtarësinë me detyrë zyrtare të ministrit të Drejtësisë në Këshillin Gjyqësor, një aspekt që GRECO ka vënë theksin për ta adresuar. GRECO rekomandoi që ministri i Drejtësisë të mos jetë anëtar Këshillit Gjyqësor edhe pse autoritetet disa herë kanë njoftuar që ministri, edhe pse figuron si anëtar i këtij këshilli, ai nuk merr pjesë në mbledhjet e këshillit dhe nuk ka të drejtë vote. Për më tepër, dy herë ka pasur iniciativë për ndryshim të Kushtetutës mes tjerash edhe me këtë qëllim, por kjo nuk ka arritur të diskutohet në kuvend. Rasti i fundit ishte gjatë diskutimeve në grupin punues për ndryshimet kushtetuese që duhet të bëhen sipas Propozimit Francez e me qëllim të inkuadrimit të etniteteve tjera në kushtetutë. Në grupin punues kishte argumentime se duhet të shfrytëzohet kjo mundësi e hapjes së kushtetutës që të zbatohet edhe një rekomandim i rëndësishëm i GRECOS, por, nga ana tjetër, shumica e anëtarëve të grupit punues ishte e mendimit se mandati i këtij grupi punues është i kufizuar, për të gjetur zgjedhje vetëm për Propozimin Francez e jo edhe për çështje tjera me rëndësi.

Për më tepër, jam e mendimit se prezenca e ministrit të Drejtësisë në Këshillin Gjyqësor është çështje e cila duhet ndryshuar sipas rekomandimit të GRECO-s, por në fakt, problemi imediat me Këshillin Gjyqësor nuk është anëtarësia e ministrit aty, por veprimet e anëtarëve të rregullt të cilat shpesh kanë qenë edhe subjekt i kritikave të ndryshme që kemi marrë në raportet relevante ndërkombëtare si që është raporti i fundit i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e integrimit evropian.

Për sa i përket prokurorëve, një nga rekomandimet e mbetura është për të zgjeruar gamën e sanksioneve për shkelje disiplinore. Autoritetet kanë premtuar të marrin këtë në konsideratë gjatë ndryshimeve të ligjit për prokurorinë publike. Ngjashëm si me ndryshimet kushtetuese, vite më parë, kur diskutohej ndryshimi i Ligjit për Prokurorinë Publike, nuk u mor parasysh zbatimi i rekomandimit të GRECO-s  që lidhej me sistemin e sanksioneve ndaj prokurorëve publikë, me të njëjtin sqarim se grupi i atëhershëm punues prioritet e kishte zgjidhjen e statusit të Prokurorisë Speciale të atëhershme. Për fat të keq, shpesh herë grupet tona punuese nuk arrijnë të shohin përtej mandatit imediat të tyre dhe t’i shfrytëzojnë këto procese me rëndësi për të zbatuar rekomandimet e trupave ndërkombëtare siç është GRECO. Kemi humbur në këtë mënyrë dy mundësi të mira për të zbatuar rekomandimet të cilat kanë reflektuar mbi akte ndryshimi i të cilave kërkon shumicë të kualifikuar prej dy të tretave në kuvend.

Në përfundim, me miratimin e Shtojcës së dytë të Raportit të dytë të përputhshmërisë, procedura për raundin e katërt të vlerësimit të Maqedonisë së Veriut është përfunduar. Megjithatë, është e rëndësishme që autoritetet të informojnë GRECO-n për ndryshimet e ardhshme që do të bëjnë në zbatimin e rekomandimeve të mbetura. Kjo do të përshpejtonte procesin drejt arritjes së standardeve të kërkuara dhe do të ndihmonte në thellimin e besueshmërisë dhe integritetit të institucioneve në Maqedoninë e Veriut.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.