Procesverbali nga seanca e demanton Joveskin: Prokurorët e kanë hedhur poshtë ekspertizën gjermane si jo në lidhshmëri me lëndën

Prokurorët kanë kërkuar që gjykata e Tetovës t’i hedhë poshtë ekspertët gjermanë si dëshmitarë me arsyetim se ekspertiza gjermane nuk  ka qenë “në lidhshmëri me lëndën” për këtë rast. Ato vetë e kanë vendosur ekspertizën si dëshmi, pa arsyetuar se për çfarë është dëshmi, e pastaj kërkojnë që për të njëjtën të mos diskutohet. Në audio inçizimin e seancës gjyqësore prokurorët Zorica Pavlloviq dhe Dejan Petreski nga Prokuroria e Shkupit e hedhin poshtë kërkesën për diskutim dhe dëshmi të ekspertit gjerman dhe e akuzojnë mbrojtjen se kanë për qëllim vetëm ta tejzgjasin procesin gjyqësor, shkruan IRL, transmeton Portalb.mk.

Prokuroria publike republikane drejtoi demant publik ndaj IRL-së duke pretenduar se gazetarët gënjejnë se ekspertiza gjermane nuk është propozuar si provë në procedurë. Më pas, në njoftimin publik të shpërndarë më 14 gusht të vitit 2023 pas transmetimit të filmit dokumentar hulumtues “Vrasje në Tetovë” ato pretendonin edhe se ekspertiza gjermane praktikisht e ka konfirmuar se kush ka qenë fajtor për fatkeqësinë, duke aluduar te qarku i shkurtër i kabllos.

Absolutisht të pavërteta janë deklarimet se ekspertiza e ekspertëve gjermanë aspak nuk është parashtruar si provë në procedurën gjyqësore. Ekspertiza zyrtare e Institutit Forenzik pranë Shërbimit dhe Laboratorit Federal Kriminalistik të Gjermanisë ishte pjesë përbërëse e materialit provues. Ajo është dorëzuar në mënyrë të rregullt deri te palët e procedurës, së bashku me aktakuzën dhe gjatë gjykimit u shpalos publikisht si provë para Gjykatës. Seancat gjyqësore mbi këtë lëndë ishin të hapura për publikun, e kështu përhapja e të pavërtetave të këtilla është plotësisht tendencioze”, shkruan në njoftimin e Prokurorisë Publike.

Nga kabineti i Joveskit theksuan se e gjithë kjo ka qenë publikisht e dukshme për të gjithë ato që kanë ndjekur seancat. Ekipi i IRL-së e ndoqi gjykimin në Tetovë dhe i mori të gjithë procesverbalet dhe audio inçizimet dhe të njëjtat ishin bazë që në filmin dokumentar të IRL-së të jepet argumenti se kjo ekspertizë nuk është marrë parasysh. Pikërisht për këtë pretendim të IRL-së prokurori republikan Joveski reagoi më fuqishëm në demant.

Seanca në të cilën u diskutua nëse do të pranohet ekspertiza gjermane si provë apo jo u mbajt më 2 mars të vitit 2023 në Tetovë. Atë ditë në sallën e gjykimit si përfaqësues të akuzës ishin dy prokurorët e prokurorisë së Shkupit, Zorica Pavlloviq dhe Dejan Petreski, të deleguar nga Joveski.

IRL posedon transkript dhe inçizim audio të gjykimit, kur avokatët e mbrojtjes kërkojnë që në sallën e gjykimit të thirret forenziku i policisë gjermane që e ka kryer këqyrjen dhe e ka përpiluar ekspertizën e dorëzuar deri te organet hetimore maqedonase.

Ekstrakt nga transkripti i seancës gjyqësore në Tetovë 02.03.2023. Burimi: IRL
Ekstrakt nga transkripti i seancës gjyqësore në Tetovë 02.03.2023.Burimi: IRL

Konstatimet e forenzikëve të policisë gjermane nuk u prezantuan as në procedurën gjyqësore. Ndërsa, në fakt kjo është një nga eksperizat kyçe, përkrah asaj të elektroekspertit, e cila  i thekson lidhjet shkak-pasojë të zjarrit dhe përhapjes së tij të shpejtë.

Ekspertët gjermanë janë eksplicitë në konstatimet e tyre se materialet dhe vetë ndërtimi kanë qenë problematike dhe kanë mundësuar përhapjen e shpejtë të zjarrit. Ato potencojnë se prania e sasisë së madhe të oksigjenit në kombinim me poliuretanin ose pur-panelet nga të cilat ka qenë e ndërtuar. Pastaj, fakti se në spital nuk ka pasur ndarje kundër zjarrit që do ta kishin penguar përhapjen e mëtutjeshme të zjarrit, ose të paktën do ta kishin vështirësuar përhapjen, gjë që para së gjithash është edhe obligim ligjor që të njëjtat të montohen në pajtim me standardet e sigurisë.

E në fund, si arsye është theksuar edhe konstruksioni i hapur i ndërtesës në pjesën e nënkulmit ku gazi i dëmshëm ka mundur pa pengesë të përzihet me oksigjenin dhe të përhapet gjithkund për shumë kohë të shkurtër. Kjo është edhe arsyeja se pse spitali u dogj deri në themel për kaq kohë të shkurtër.

Prokurorët nuk lejuan pyetje për arsyet që kanë sjellë deri te përhapja e shpejtë e zjarrit në asnjërën nga seancat, sepse ato rrethana nuk kanë qenë lëndë e akuzës. Gjykatësi Jordan Vellkovski i pranoi të gjithë kundërshtimet, sepse siç theksoi disa herë gjykimi është për vepra të tjera penale, gjegjësisht mosveprim sipas dispozitave shëndetësore.

Dokumentari “Vrasje në Tetovë” nga Laboratori i Gazetarisë Hulumtuese (IRLriaktualizoi tragjedinë e zjarrit në spitalin modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Ky dokumentar zbuloi se  veprimet e prokurorëve hapin dyshime se hetimi është sabotuar qëllimisht për të mbrojtur fajtorët nga ndjekja penale. Dokumentari hetues zbulon korrupsion, keqpërdorim tenderi, ndërtim të modularit pa standarde dhe materiale jo të duhura dhe jo në përputhje me rregulloret ligjore, instalim jo i duhur i energjisë elektrike në modular, hetime jo të plota dhe zvarritje e rastit nga ana e Prokurorisë duke mos thirrur në përgjegjësi askënd për shkaqet e zjarrit, por për vepra të tjera penale.

Pas kësaj, ka pasur reagime të shumta në publik, nga qytetarët, aktivistët, politikanët, institucionet dhe të tjera. Në Tetovë qytetarët protestuan dhe kërkuan shkarkim të Ljubomir Joveskit, prokurorëve të tjerë të përfshirë në këtë vepër, politikanët e përfshirë si dhe Koço Angjushev me kompaninë Brako të përgjigjen penalisht.

Për këtë rast, Platforma e Organizatave të Shoqërisë Civile për Luftë Kundër Korrupsionit i bëri kërkesë zyrtare Ljubomir Joveski të japë dorëheqje nga funksioni Prokuror Publik i RMV-së.

Zjarri i tmerrshëm që e bëri hi spitalin modular në Tetovë 8 shtatorin e vitit 2021, mori me vete 14 jetë të pacientëve të trajtuar nga Covid-19, por edhe të anëtarëve të familjeve që ndodheshin brenda. 14 persona u shpëtuan përpara se objekti të digjej plotësisht. Ndonëse pati proces gjyqësor për këtë rast, të akuzuarit nuk u thirrën për shkaqet e zjarrit por për vepra tjera penale.

Me 1 vit e 6 muaj burg me kusht u dënuan ish drejtori mjekësor i Spitalit të Tetovës – Florin Besimi dhe ish drejtori ekonomik – Artan Etemi, kjo domethënë se ata nuk do të burgosen nëse për 3 vjet nuk kryejnë vepër të re penale. Mjeku përgjegjës për qendrën e Kovidit – Boban Vuçevski u lirua nga akuza. Ndërkaq, Spitali i Tetovës mori dënim prej 1 milion denarësh.

Për mosthirrjen në përgjegjësi për shkaqet e zjarrit, Portalb.mk ka raportuar vazhdimisht.

Përndryshe, Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është duke zhvilluar rast tjetër për zjarrin në spitalin modular, por për të ende nuk ka informata për publikun dhe çfarë do të ndodh më tej, nëse dhe kush do të thirret në përgjegjësi.