Shumë zhurmë për asgjë

Në një debat të mbajtur në janar të vitit 2002, në televizionin KISS të Tetovës, tek po bisedonim për konfliktin e posapërfunduar luftarak, pranova mendimin e bashkëbiseduesit maqedonas, se, mes dy etnive më të mëdha të Maqedonisë, ekzistojnë paragjykime të shumta, duke shtuar se ndërmjet paragjykimeve që kanë shqiptarët për maqedonasit dhe anasjelltas ka dallime të mëdha. Paragjykimet e shqiptarëve për maqedonasit janë individuale dhe si të tilla shumëherë më të parrezikshme se paragjykimet institucionale që përhapin pushtetarët maqedonas për ne, sepse prodhojnë urrejtje dhe padurueshmëri ndëretnike, të manifestuara shpesh me britma raciste  për djegien e shqiptarëve në komora gazi.

Si argument të këtij qëndrimi përmenda paragrafet e dy teksteve universitare të lëndëve: Mbrojtje dhe siguri dhe Antropologji, që, edhe pas rrënimit të sistemit monist, helmonin studentët me profkat se gjoja: Shqiptarët paraqesin rrezikun më të madh për Maqedoninë, se  Gratë tona lindin si lavatriçe për të rritur numrin e shqiptarëve…

Mjerisht, vizita e së premtes së shkuar (11 gusht 2023) e kryeministrit të Republikës së Kosovës në komunën e Tetovës dhe Çairit, mjaftoi për ta kuptuar se paragjykimet në fjalë janë aty ku ishin prej dekadash. Kësaj here ato u shfaqën pas reagimit të ashpër të presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovskit dhe kërkesës për ndëshkimin e dy kryetarëve shqiptarë të komunave të posapërmendura, të cilët, sipas tij, paskan injoruar simbolet e shtetit. Zjarrin e albanofobisë kronike e ndezi edhe më shumë profka e kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, sipas të cilit Albini erdhi në Maqedoninë e Veriut për të promovuar Shqipërinë e Madhe.

Kaq u desh për t’u zgjuar urrejtja e fshehur ndaj shqiptarëve, që rrezikuakan sovranitetin e shtetit, pronarë të vetëm të të cilit qenkan maqedonasit “e fyer” rëndë nga ky akt.

Po çfarë e provokoi në të vërtetë histerinë që vlon prej ditësh në mediat e shkruara dhe dixhitale, të Maqedonisë së Veriut?

Asgjë prej gjëje. Albini dhe nikoqirët e tij folën për rrugën Tetovë – Prizren, që do të jetë në favor të zhvillimit të shumanshëm të dy shteteve, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Folën për emërtimin e një rruge në Shkup me emrin e Mandelës së Evropës, Adem Demaçit (fituesit të Çmimit Saharov, të ndarë nga Parlamenti Evropian, për luftën e paepur për mbrojtjen e mendimit të lirë dhe të drejtave të njeriut), për të cilën, njësoj si për rrugën Tetovë – Prizren, janë dakorduar prej kohësh paritë e dy shteteve fqinje. Folën dhe për raportet e mira ndërmjet dy shteteve dhe nevojën për t’u inkuadruar sa më parë në Bashkimin Evropian. Pra, ku qëndron provokimi i rëndë këtu? Ku mbështetet akuza për ndëshkimin e kryetarëve të komunës së Tetovës dhe Çairit?

Askund. Së këndejmi, duhet të ndalet sa më parë kjo maskaradë që mund ta kthejë vendin në kohën që nuk e dëshiron asnjë mendje e esëllt.

Fundja, shqiptarët nuk i meritojnë me asgjë fyerjet pa fund në baza nacionale, veçmas ato që pjell mendja çatrafile e politikanëve dhe gjithë  atyre që kanë kryer çfarëdolloj shkolle, sepse janë të vetmit që i pranojnë maqedonasit ashtu si duan ata, ndërkohë që serbët, grekët dhe bullgarët ua mohojnë shtetin, kombin, gjuhën dhe fenë. A nuk është kjo një e dhënë që duhet t’i bëjë ta mendojnë mirë armiqësimin e kotë me shqiptarët, apo duan edhe neve t’na bëjnë si ata për t’na dashur e respektuar të gjithëve njësoj.

Këtë duhet t’ua thonë troç kolegëve të tyre pushtetarët shqiptarë, pavarësisht hatreve që mund të kenë me Albin Kurtin, që kësaj here nuk i takoi, sepse qe i ftuar prej dy kryetarëve opozitarë të komunave të sipërpërmendura. Atyre u bie hise të ngrenë zërin kundër politikave zjarrvënëse, që, ashiqare, nuk synojnë vetëm ndëshkimin dhe disiplinimin e kryetarëve të dy komunave, po poshtërrimin dhe betonimin e statusit mjeran të gjithë rajës 20%.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.