Presidentja Siljanovska – Davkovka e ka thirrur Këshillin e Sigurimit
Me ftesë të presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska – Davkovka, sot do të thirren anëtarët e Këshillit të Sigurisë në Maqedoninë e Veriut. Kjo ftesë erdhi pas zhvillimeve të fundit në Lindje e Mesme, transmeton Portalb.mk.
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë pritet të mbahet prej orës 18:00 në vilën presidenciale në Vodno.
“Këshilli i Sigurimit është trupi më i lartë këshillëdhënës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që i shqyrton çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes së Republikës dhe u jep propozime Kuvendit dhe Qeverisë”, njoftojnë nga Presidenca, duke sqaruar që mbledhjet e Këshillit janë të mbyllura, por me kërkesë të kryetarit të Këshillit mund të jenë edhe publike.
Kryetare e Këshillit të Sigurimit është presidentja Gordana Siljanovska Davkova, ndërsa anëtarë janë: Afrim Gashi, Hristijan Mickoski, Pançe Toshkovski, Vllado Misajlovski, Timço Mucunski, Xhevdet Hajredini, Malinka Ristevska Jordanova dhe Vllado Spiridonov.
Në përfaqësinë diplomatiko-konsullore në Tel Aviv, njëmbëdhjetë shtetas të Maqedonisë së Veriut kanë kërkuar zyrtarisht evakuim nga Izraeli. Sipas informacioneve të fundit, hapësira ajrore mbetet e mbyllur të paktën deri të hënën.
Maqedonia e Veriut së bashku me Shqipërinë dhe Kosovën dje (28 shkurt) dolën në mbështetje të sulmit të SHBA-ve dhe Izraelit në Iran.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, është vrarë. Trump ka konfirmuar lajmin përmes një shkrimi të postuar në rrjetet sociale ku ka shkruar se, Khamenei, “një nga njerëzit më të këqij në histori”, është i vdekur.
Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur të shtunën sulme në disa qytete të Iranit.