Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova e përkrahin sulmin izraelito-amerikan kundër Iranit

Maqedonia e Veriut së bashku me fqinjët e saj Shqipërinë dhe Kosovën kanë dalë në mbështetje të sulmit të SHBA-ve dhe Izraelit në Iran, raporton Portalb.mk.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, përmes rrjetit social X shprehu mbështetje të qartë për koordinimin aleat në përballjen me kërcënimet destabilizuese në Lindjen e Mesme, duke theksuar rëndësinë e një qasjeje të përbashkët në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

“Qëndrojmë me aleatët tanë amerikanë në përballjen me kërcënimet që minojnë stabilitetin e Lindjes së Mesme. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë se diplomacia është gjithmonë opsioni i parë, por se parandalimi mbetet i domosdoshëm kur ekzistojnë rreziqe të besueshme”, theksoi Mucunski.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një postim në rrjetin X tha se trupat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) janë organizatë terroriste dhe duhet të trajtohen si të tilla.

“Shqipëria është përballur drejtpërdrejt me fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve të tij kibernetike kundër vendit tonë. Për ne, kjo nuk është gjeopolitikë abstrakte. Është siguri kombëtare, qartësi morale dhe ligjore”, tha Rama.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka shprehur mbështetjen ndaj sulmit në Iran në rrjetin social amerikan X, duke postuar edhe video njoftimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për nisjen e operacionit luftarak në Iran.

“Ne gjithashtu dënojmë fuqishëm sulmet e regjimit iranian kundër aleatëve tanë në Lindjen e Mesme. Do të vazhdojmë të mbështesim veprimet e ndërmarra nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për t’i dhënë më në fund një mundësi lirisë dhe paqes”, shkroi Osmani.

Mëngjesin e sotëm Izraeli filloi sulmin ndaj Iranit, ndërsa më pas u bashkëngjitën edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sulmet nisën teksa bisedimet mes Washingtonit dhe Teheranit për programin bërthamor të Iranit kanë qenë në vazhdim nën ndërmjetësimin e Omanit, raundi i fundit i bisedimeve në përfundoi të enjten në Gjenevë.