Presidentja e parë grua në RMV, Siljanovska – Davkova sot e filloi mandatin pesëvjeçar, nuk përmendi emrin e plotë të shtetit

Gordana Siljanovska Davkova, presidentja e parë grua e vendit, sot ka bërë deklaratën solemne para deputetëve të përbërjes së mëparshme parlamentare, pas së cilës edhe zyrtarisht filloi mandati i saj pesëvjeçar, raporton Portalb.mk.

Siç ishte planifikuar, sot u mbajt seanca për inaugurimin e presidentes së re në Kuvend. Presidentja ka bërë deklaratën solemne para Kuvendit, në të cilën merr përsipër të respektojë Kushtetutën dhe ligjet.

Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut nuk e përmendi emrin e ri të shtetit “Republika Maqedonia e Veriut”, derisa po përsëriste fjalët e kryetarit të Kuvendit gjatë leximit të tekstit të betimit. Ajo që në fushatën parazgjedhore kishte sqaruar që do të mundohet të shmang emrin e ri zyrtar të shtetit, për çka kishte reaguar edhe pala greke.

“Deklaroj se funksionin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, do ta kryej..”, ishin fjalën hyrëse të betimit që u lexua nga kryetari i Kuvendit, por gjithë këtë pjesë nuk e përsëriti Siljanovska, duke deklaruar “Deklaroj se funksionin e presidentit të Maqedonisë, do ta kryej…”.

Pjesën më të madhe të fjalimit ajo e pati për të drejtat e grave, duke vlerësuar që në Ballkan akoma është gjallë patriarkati.

“Këtu në Kuvend kam parë shumë gra të guximshme dhe të mençura. Por, jam çuditur pse nuk i kemi grua kryeministre, kryekuvendare, presidente. Dhe, ja tani ndodhi kjo. Unë do ta hap rrugën”, deklaroi Siljanovska.

Ajo theksoi që dëshiron të jetë shembull për gratë tjera se si mund të arrihet te suksesi.

“Fjalët janë në një betejë me emocionet. E kuptoj. Nuk e kam mëndur se do të marrë një betim të tillë prej mbi 560 mijë qytetarë. Akoma nuk më besohet. I vetmi person që ka deklaruar se do të ndodhë kjo është Hristijan Mickoski”, deklaroi Siljanovska.

Kush është dhe çfarë qëndrimesh mban presidentja e parë grua në Maqedoninë e Veriut?

Për herë të parë në politikë hyri në vitet e 90-ta të mileniumit të kaluar, me sugjerim të Partisë Liberale, si ministre pa portofol në Qeverinë e parë të kryeministrit të atëhershëm nga LSDM, Branko Cërvenkovski (1992-1994).

“Hijet” që lidhen me emrin e të shoqit të saj e ndjekin që në atë kohë. Kundërshtarët e akuzojnë edhe sot se si anëtare e qeverisë së atëhershme, Siljanovska-Davkova kinse i ka mundësuar të shoqit të hyjë në biznesin Frishop përmes të cilit dyshohet se kanë fituar mijëra euro në ditë.

Ajo u bë më aktive në vitin 2004 dhe 2005, kur doli kundër Ligjit për Organizimin Territorial i njohur si ndarja e komunave pas Marrëveshjes Kornizë, nënshkruar në Ohër në 2001 dhe që i dha fund konfliktit në Maqedoninë e Veriut. Me këtë ligj u krijuan më shumë komuna me shumicë shqiptare.

Në vitin 2017, ajo ishte e zëshme kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili e bëri gjuhën shqipe gjuhën e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Për këtë ligj, Siljanovska-Davkova tha se është antikushtetues dhe se e shkatërron frymën e Marrëveshjes Kornizë.

Detyrat e presidentes së re

Detyra e Presidentit të Republikës është e papajtueshme me kryerjen e një funksioni, profesioni ose pozicioni tjetër publik në një parti politike. Presidenti i Republikës gëzon imunitet. Gjykata Kushtetuese vendos heqjen e imunitetit të Presidentit me dy të tretat e shumicës së numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë e cakton mandatin për përbërjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë; emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët dhe zëvendësit e Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë vendit; merr kredencialet dhe letrat e revokimit të përfaqësuesve të huaj diplomatikë; propozon dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë; propozon dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor Republikan; emëron tre anëtarë të Këshillit të Sigurimit të Republikës së Maqedonisë; propozon anëtarët e Këshillit për Marrëdhënie Ndërkombëtare; emëron dhe shkarkon bartës të tjerë të funksioneve shtetërore dhe publike; jep dekorata dhe mirënjohje në përputhje me ligjin; jep falje në pajtim me ligjin dhe kryen funksione të tjera të përcaktuara me Kushtetutë.

Presidenti i Republikës i raporton Kuvendit për çështjet e kompetencës së tij të paktën një herë në vit. Kuvendi mund t’i kërkojë Presidentit të Republikës mendim për çështje që janë në juridiksionin e tij.

Presidenti i Republikës është Kryetari i Këshillit të Sigurisë, i cili përbëhet nga: Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryetari i Qeverisë, ministrat që drejtojnë organet e administratës shtetërore në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe punëve të jashtme dhe tre anëtarë të emëruar nga Presidenti i Republikës.

Këshilli shqyrton çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe mbrojtjen e Republikës dhe i bën propozime Kuvendit dhe Qeverisë.

Presidenti i Republikës është përgjegjës për shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve në ushtrimin e të drejtave dhe detyrave të tij. Procedurën për përcaktimin e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës e fillon Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të deputetëve. Përgjegjësia e Presidentit vendoset nga Gjykata Kushtetuese me shumicën e dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve.

Për rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, nuk ka pasur kundërshtime për KSHZ-në

Më 11 maj, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) përmes një konferencë për shtyp i shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale të 8 majit. KSHZ konstatoi se presidente është zgjedhur Gordana Siljanovska Davkova me 561.000 vota, apo 309.101 vota më shumë se kundërshtari i saj, presidenti i deritanishëm Stevo Pendarovski, i cili mori 251.899 vota. Kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski ia dorëzoi certifikatën Gordana Siljanovska Davkovaa dhe në emër të Komisionit i uroi mandat të suksesshëm si shefe e shtetit.

REZULTATI I ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE RMV 2024
Rezultati i zgjedhjeve presidenciale

Në këto zgjedhje presidenciale votuan gjithsej 861.218 qytetarë në 3,508 qendra të votimit. Pjesëmarrja këto zgjedhje ishte 47,47%. Fletëvotime të vlefshme ishin 812.899, ndërsa të pavlefshme 48.289.

Së bashku me zgjedhjet presidenciale u mbajtën edhe zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare, ku nga paritë maqedonase fituese doli koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE, ndërsa nga ato shqiptare koalicioni Fronti Evropian e udhëhequr nga BDI.