SIljanovska Davkova: BE-ja duhet ta rishqyrtojë metodologjinë e negociatave, nuk mund të jetë “hesht dhe dëgjo”
Duhet t’i inkurajojmë qytetarët se parimet dhe vlerat evropiane, ato që janë përcaktuar, por që nuk respektohen në aktet kushtetuese, janë gjithashtu parime dhe vlera maqedonase, dhe se edhe këtu mund të funksionojmë në të njëjtën mënyrë. Kështu u përgjigj presidentja Gordana Siljanovska-Davkova në pyetjen – si të parandalohet që qytetarët ta humbasin besimin në perspektivën evropiane, transmeton Portalb.mk.
Në një intervistë për MIA-n, duke folur për takimet dhe vizitat e saj në kontekstin e integrimeve evropiane, presidentja tha se është koha për politikë të bazuar në fakte.
“Nëse ju i vini në dukje në mënyrë të sjellshme, kulturore, me argumente, se keni vërejtje për disa zgjidhje, se ato zgjidhje nuk përputhen me filozofinë e Bashkimit Evropian, se ato zgjidhje nuk janë të pranueshme për shumicën e qytetarëve, atëherë mendoj se do të reflektojnë, nëse jo vetë ata, atëherë bashkëbiseduesit e tyre. Dhe prandaj unë shpesh them se është koha për politikë të bazuar në fakte”, tha Siljanovska-Davkova.
Ajo vlerëson se në politikën ndërkombëtare shteti nuk duhet të sillet në mënyrë të frustruar dhe nënshtruese, sikur të jetë një shtet i vogël, një president i vogël, dhe se duhet gjithmonë të bindet.
“Ju duhet t’i paraqisni interesat dhe qëndrimet kombëtare dhe t’i mbroni ato. Një sjellje e tillë do të keni edhe ndaj jush, natyrisht, nëse e meritoni atë trajtim dhe nëse jeni të barabartë me ta në bisedë”, tha ajo.
Siljanovska-Davkova tha se kur ajo flet, i thotë gjërat ashtu siç mendon se janë dhe nuk harron kurrë kë përfaqëson.
“Dhe prandaj unë shpesh them se BE-ja duhet të mendojë për metodologjinë e negociatave. Nuk mund të jetë ‘hesht dhe dëgjo’. Si vëlla i madh dhe vëlla i vogël, ose i pasur dhe i varfër. Jo. Edhe kandidatët, edhe kandidatët për kandidatë kanë çfarë të thonë. Çfarë lloj negociatash janë kur ju më thoni – ja korniza, zbatoje, ndrysho Kushtetutën sepse ne jemi brenda, ne jemi një shoqëri ekskluzive, dhe ju prisni? Jo. Edhe BE-së gjithashtu i duhen reforma të thella”, tha Siljanovska-Davkova.
Kujtojmë se marrëdhëniet me Sofjen u ftohën në vitin 2020, kur Sofja vuri veton në kornizën negociuese për vendin për shkak të një mosmarrëveshjeje mbi gjuhën, historinë dhe pakicën bullgare.
Me ndërmjetësimin e partnerëve evropianë, u gjet një kompromis, Maqedonia e Veriut pranoi të shtonte komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës, përveç atyre ekzistuese, ndërsa nga ana tjetër, u ruajt formulimi i pastër për gjuhën maqedonase, me Bullgarinë që lëshoi një deklaratë duke shprehur qëndrimin e saj për këtë çështje.
Me një kompromis të tillë, më 19 korrik 2022, Maqedonia e Veriut mbajti Konferencën e Parë Ndërqeveritare me BE-në në kuadër të procesit të pranimit. Që të mbahet e dyta dhe që të fillojnë hapjet e kapitujve, parlamenti i Maqedonisë duhet të votojë për ndryshimet kushtetuese. Qeveria aktuale në Shkup, e përbërë nga VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM, e cila u formua në qershor 2024, është e mendimit se nuk do të hyjë në një proces të tillë derisa të marrë garanci se nuk do të ketë kushte të reja dypalëshe nga pala bullgare.
Paraprakisht në vitin 2017, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan një Marrëveshje për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim.