Delegacioni i RMV-së në samitin e NATO-s, opozita kritikon për mungesën e shqiptarëve në përfaqësim
Samiti dyditor i NATO-s ka nisur sot në Ankara, ku Maqedonia e Veriut do të përfaqësohet nga një delegacion i lartë shtetëror i udhëhequr nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova. Presidentja nesër do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Atlantikut të Veriut në nivel të liderëve të shteteve dhe qeverive, e cila do të zhvillohet në kompleksin presidencial “Beshtepe”. Në delegacionin maqedonas janë edhe ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski, ministri për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme Timço Mucunski, si dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-majori Sashko Lafçiski, transmeton Portalb.mk.
Gjatë qëndrimit në Ankara, Siljanovska-Davkova pritet të zhvillojë edhe takime të veçanta me përfaqësues të vendeve aleate, krahas pjesëmarrjes në sesionet zyrtare të samitit.
Programi i samitit nis sonte me darkën solemne të organizuar nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan për nder të liderëve pjesëmarrës dhe bashkëshortëve të tyre.
Për përbërjen e delegacionit ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke shprehur pakënaqësi për mungesën e përfaqësuesve shqiptarë në delegacionin shtetëror. Nga kjo parti vlerësojnë se një përbërje e tillë nuk pasqyron realitetin multietnik të vendit dhe përbën një hap prapa në raport me parimet e përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë.
BDI thekson se pjesëmarrja e përfaqësuesve shqiptarë në delegacionet shtetërore, veçanërisht në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, është e domosdoshme për të reflektuar karakterin e Maqedonisë së Veriut si shtet i përbashkët i të gjithë qytetarëve.
“Në Samitin e NATO-s në Turqi, Maqedonia e Veriut paraqitet me një delegacion pa asnjë përfaqësues shqiptar. Kjo është pasqyrë e një mentaliteti politik që e sheh shtetin si pronë të një etnie, ndërsa shqiptarët vetëm si dekor të brendshëm. Maqedonia e Veriut është shtet multietnik dhe anëtare e NATO-s falë një arkitekture politike që ndërtohet mbi barazi, përfaqësim dhe Marrëveshjen e Ohrit. Delegacionet shtetërore duhet ta reflektojnë realitetin e vendit, jo ta fshijnë atë. Përjashtimi i shqiptarëve nga përfaqësimi më i lartë ndërkombëtar është mesazh i gabuar për qytetarët, për aleatët dhe për vetë karakterin e shtetit. Shteti nuk përfaqësohet drejt kur gjysma e realitetit të tij lihet jashtë”, thonë nga BDI.
Samiti dyditor në Ankara mbledh liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s, mes tyre presidentin amerikan Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin kanadez Mark Carney, presidentin finlandez Alexander Stubb, presidentin sllovak Peter Pellegrini, kryeministrin shqiptar Edi Rama, kryeministrin bullgar Rumen Radev, kryeministrin malazez Milojko Spajiq dhe liderë të tjerë.
Në samit do të marrin pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Përveç 32 krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s, në samit marrin pjesë edhe rreth 100 ministra, diplomatë të lartë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, si dhe mijëra diplomatë, gazetarë dhe mysafirë të tjerë.
Samiti do të fokusohet në zbatimin e vendimit të NATO-s për rritjen e investimeve në mbrojtje, forcimin e kapaciteteve të parandalimit dhe mbrojtjes, si dhe objektivat strategjikë të ardhshëm të Aleancës.
Liderët do të shqyrtojnë përparimin e bërë që nga samiti i vitit të kaluar në Hagë dhe do të përcaktojnë planin për realizimin e mëtejshëm të objektivave kryesore të NATO-s.
Në agjendë do të jenë edhe kërcënimet, rreziqet dhe sfidat me të cilat përballet rajoni euroatlantik, përfshirë zhvillimet që lidhen me luftën në Ukrainë dhe situatën e sigurisë në krahun jugor të NATO-s.
Në fund të samitit pritet të miratohet një deklaratë përfundimtare, në të cilën do të përcaktohen prioritetet dhe drejtimet strategjike të Aleancës. Sipas draftit të deklaratës, aleatët do të riafirmojnë “angazhimin e palëkundur” ndaj mbrojtjes kolektive sipas nenit 5 të Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Samiti pritet të shërbejë si platformë për vlerësimin e sfidave të sigurisë me të cilat përballet Aleanca dhe për vendosjen e bazave për vendime që synojnë forcimin e bashkëpunimit mes aleatëve.
Gjithashtu pritet të shpallet ndihma për Ukrainën prej 70 miliardë eurosh për këtë vit dhe 70 miliardë euro të tjera për vitin e ardhshëm, pra gjithsej 140 miliardë euro. Përveç kësaj, ndihma përfshin edhe një hua prej 60 miliardë eurosh që Bashkimi Evropian e ka siguruar për Ukrainën për këtë dhe vitin e ardhshëm.
Në deklaratën përfundimtare pritet të përfshihet edhe pjesa ku thuhet se Rusia përbën një kërcënim afatgjatë për sigurinë dhe stabilitetin euroatlantik, si dhe se Irani nuk duhet të posedojë kurrë armë bërthamore. Liderët do t’i bëjnë thirrje Teheranit të respektojë lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.
Në kuadër të samitit do të zhvillohet edhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes së NATO-s, ku do të marrin pjesë zyrtarë të lartë politikë dhe ushtarakë nga 32 vendet anëtare, vendet partnere dhe përfaqësues të kompanive të industrisë globale të mbrojtjes. Pritet nënshkrimi i disa marrëveshjeve me industrinë e mbrojtjes, me vlerë që mund të arrijë miliarda euro.
Në forum do të marrë pjesë ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, i cili do të zhvillojë edhe takime pune me homologët e tij nga vendet aleate.
Samiti zhvillohet në Pallatin Presidencial luksoz të Ankarasë, një kompleks i madh që shtrihet në më shumë se 200 mijë metra katrorë, me mbi 1.100 dhoma, ndërtimi i të cilit ka kushtuar mbi 500 milionë euro.
Për shkak të samitit, në Ankara janë vendosur masa të shtuara sigurie, veçanërisht rreth Pallatit Presidencial. Masa shtesë do të zbatohen edhe në hapësirën ajrore, rrugë dhe pika kritike.
Gjithsej 56.927 pjesëtarë të shërbimeve të sigurisë, përfshirë 48.841 policë, 7.447 pjesëtarë të xhandarmërisë dhe 639 ekspertë të sigurisë kibernetike, janë angazhuar për sigurimin e samitit.
Në pallat, sallat e takimeve të liderëve, hapësirat për bisedime dypalëshe dhe zonat për konferenca të përbashkëta për shtyp janë pajisur me infrastrukturë moderne komunikimi.
Qendra Ndërkombëtare Mediatike, e vendosur në Bibliotekën Kombëtare Presidenciale, ka nisur gjithashtu punën, duke ofruar mbështetje teknike për gazetarët vendas dhe të huaj. Për samitin në Ankara është krijuar një grup pune mediatik me 850 anëtarë.
Përveç kësaj, mijëra persona janë angazhuar në sektorët e protokollit, sigurisë, kujdesit shëndetësor, transportit, logjistikës, shërbimeve të përkthimit dhe mbështetjes teknike për zhvillimin pa probleme të ngjarjes.
Gjatë samitit janë planifikuar edhe takime dypalëshe mes liderëve, si dhe një sërë aktivitetesh shoqëruese.
Dhjetë limuzina të projektuara posaçërisht nga prodhuesi turk “Togg” janë përgatitur për transportin e liderëve gjatë samitit të 36-të të krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s në Ankara.
Automjetet, të ekspozuara para Qendrës së Kongreseve ATO, përfshijnë modele me ngjyrat kombëtare turke – të kuqe dhe të bardhë – si dhe versione të dizajnuara posaçërisht me nuanca bruz dhe motive tradicionale.
Pritet që limuzinat të përdoren për transport në distanca të shkurtra brenda zonës ku mbahet samiti, me shpejtësi rreth 50 kilometra në orë.
Gjithashtu është planifikuar që ato të sigurojnë transport të kontrolluar në rrugët e përcaktuara sipas protokollit gjatë gjithë kohëzgjatjes së samitit.