Kush është dhe çfarë qëndrimesh mban presidentja e parë grua në Maqedoninë e Veriut

Gordana Siljanovska Davkova prej tani do të ushtrojë detyrën e politikanes, në vend se të ligjërojë për politikën si lëndë në fakultet. Në paraqitjet e saj publike nuk do të përdorë përcaktimin gjeografik “e Veriut” pas emrit Maqedoni. Ndryshimet kushtetuese do t’i pranojë, vetëm nëse të njëjtat miratohen nga Kuvendi. Personalisht, Siljanovska Davkova e përshkruan veten si legaliste, rebele, luftëtare për drejtësi. Do të përpiqet për më shumë gra në postet kyçe, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

Maqedonia e Veriut e fitoi presidenten e saj të parë grua pas rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale më 8 maj, në të cilin garuan dy kandidatët me më shumë vota në raundin e parë. Profesoresha universitare Gordana Siljanovska Davkova, e mbështetur nga partia e djathtë opozitare VMRO-DPMNE, fitoi më shumë se dyfishin e votave se presidenti aktual Stevo Pendarovski, sipas rezultateve të Komisioni  Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ).

“Sinqerisht, kam disa orë që pyes veten se si e kam merituar këtë nder. E di që isha duke u përgatitur, iu përkushtova fushatës, thashë atë që mendoja dhe jo atë që donte të dëgjonte dikush. Ky shpërblim nuk ka çmim për mua, por është edhe përgjegjësi e madhe”, ishin këto fjalët e Siljanovska-Davkovës pas rezultateve fillestare që treguan se ajo ishte në epërsi bindëse ndaj kundërshtarit të saj.

Pendarovski ishte kandidati i LSDM-së, një parti e majtë që ka udhëhequr Qeverinë e Maqedonisë së Veriut gjatë shtatë viteve e fundit.

Zgjedhjet presidenciale të këtij viti ishin përpjekja e dytë e Davkova-s për të mposhtur kundërshtarin Pendarovski, pasi të dy u përballën në raundin përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2019. Hera e parë ishte e pasuksesshme për të, Pendarovski e mposhti me një diferencë prej rreth 58.000 votash.

Evropianizimi po, ndryshimet kushtetuese në pikëpyetje

Detyra e parë e qeverisë së re do të jetë integrimi evropian. Për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, në programin e Davkovës thuhet se “si presidente do të ndërtojë konsensus me mazhorancën, por edhe me opozitën.”

“Qëllimi i integrimit evropian është evropianizimi sipas kritereve të Kopenhagës. Në Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim nuk ka asnjë pjesë për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë”, thuhet në programin e saj.

Qeveria e Maqedonisë e miratoi tekstin për ndryshime kushtetuese në korrik 2023. Sipas tekstit, në Preambulën e Kushtetutës duhet të përfshihen disa popuj, përfshirë popullin bullgar. Përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e Maqedonisë është kusht që Maqedonia e Veriut të vazhdojë negociatat për anëtarësim në BE-në.

Davkova në paraqitjet e saja publike u shmang përgjigjeve politike për disa nga çështjet aktuale dhe qëndroi kryesisht në përgjigjet e dhëna nga teoria e së drejtës.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Siljanovska thotë se presidenti nuk vendos nëse do të ketë ndryshime në Kushtetutë. Por e pyetur nëse përbërja e re e Kuvendit i miraton amendamentet kushtetuese, dhe ajo është presidente e Maqedonisë së Veriut, Siljanovska Davkova tha: “Sigurisht që do ta respektoj sepse Kuvendi është organ kushtetues. Nuk kam problem”.

Pa përcaktuesin gjeografik “e Veriut” pas Maqedonisë në paraqitjet publike

Duke prezantuar platformën me të cilën mori pjesë në zgjedhjet presidenciale, Davkova tha se “është program për mbrojtjen e interesave shtetërore dhe për të rikthyer krenarinë e Maqedonisë”.

Në atë drejtim slogani i fushatës ishte “Maqedonia përsëri krenare!”.

Në fushatë ajo nuk përdori mbiemrin “e Veriut” pas emrit Maqedoni, siç është emri i ri i shtetit sipas Marrëveshjes së Prespës të nënshkruar me Greqinë në vitin 2018.

“Duke respektuar vullnetin e shprehur qartë të qytetarëve të Maqedonisë nga shtatori i vitit 1991, si dhe nga shtatori i vitit 2018, por edhe si qytetare, nuk do ta përdor mbiemrin “e  Veriut” në fjalimet e mia drejtuar publikut”, shkruan në programin me të cilën u paraqit në zgjedhje.

Marrëveshja e Prespës u nënshkrua në vitin 2018 nga ministrat e atëhershëm të Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikola Dimitrov dhe Nikos Kozias, si zgjidhje e mosmarrëveshjes maqedono-greke për emrin Maqedoni, e cila u negociua mes dy vendeve për 27 vjet.

Marrëveshjen e Prespës në pikëpyetje

Në sferën e politikës së jashtme, Siljanovska-Davkova gjithashtu u zotua të jetë një “lobiste aktive” para se gjithash, në vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), për hapjen e rrugës së Maqedonisë drejt BE-së. Megjithatë, ajo ende e konsideron të hapur çështjen e Marrëveshjes së Prespës “ligjërisht dhe politikisht”.

“Marrëveshja e Prespës, së bashku me amendamentet kushtetuese, është miratuar në kundërshtim me të drejtën kombëtare dhe kontestohet në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, veçanërisht në lidhje me të drejtën për vetëvendosje, parimin e barazisë së shteteve, ndërhyrjen në punët e brendshme të një shteti sovran, dhe cenimi i identitetit është gjithashtu shkelje e rëndë e të drejtave kolektive dhe individuale të njeriut të qytetarëve të Maqedonisë”, shkruan ajo në programin e saj.

Davkova tha se në lidhje me Marrëveshjen e Prespës “të gjitha veprimet e saj do të jenë në kuadër të së drejtës vendore dhe ndërkombëtare”.

Më herët, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, e pyetur se si do të paraqitet para organizatave ndërkombëtare, Siljanovska-Davkova tha se nuk do t’i heqë tabelat e emrave me emrin Maqedonia e Veriut, “sepse dikush ka nënshkruar këtu, ky është fakt”.

Më shumë përvojë në shkencë, më pak në politikë

Siljanovska-Davkova do të mbushë 71 vjet më 11 maj, një ditë para skadimit të mandatit të presidentit aktual Pendarovski.

Fjalimet e saj më të gjata në mitingje i dhanë asaj një stil “akademik” në fushatën zgjedhore, në vend të fjalimeve patriotike karakteristike të një partie të djathtë si VMRO-DPMNE. Megjithatë, nuk u shmangën ofendimet dhe zënkat mes kundërshtarëve.

Ndonëse me kalimin e viteve herë pas here hyri në arenën politike, në role të ndryshme, Davkova është më e njohur në publik si eksperte juridike.

Ajo që nga viti 2004 është profesoreshë e rregullt e së drejtës kushtetuese, sistemit politik, sistemeve moderne politike dhe vetëqeverisjes lokale në Fakultetin Juridik “Justiniani I” në Shkup. Më parë, ajo mbrojti doktoratën e saj në shkencat juridike në Universitetin e Lubjanës në vitin 1993.

Në angazhimin e saj akademik është autore e më shumë se 200 punimeve shkencore në fushën e së drejtës kushtetuese. Ajo është edhe themeluese e Këshillit të parë të lëvizjes evropiane në Maqedoni. Ajo ishte anëtare e shumë instituteve dhe shoqatave ligjore vendase dhe ndërkombëtare, duke përfshirë Komisionin e Venedikut për Çështjet e Minoriteteve.

Ministreshë e Qeverisë së Cërvenkovskit në vitet e 90-ta

Për herë të parë në politikë hyri në vitet e 90-ta të mileniumit të kaluar, me sugjerim të Partisë Liberale, si ministre pa portofol në Qeverinë e parë të kryeministrit të atëhershëm nga LSDM, Branko Cërvenkovski (1992-1994).

“Hijet” që lidhen me emrin e të shoqit të saj e ndjekin që në atë kohë. Kundërshtarët e akuzojnë edhe sot se si anëtare e qeverisë së atëhershme, Siljanovska-Davkova kinse i ka mundësuar të shoqit të hyjë në biznesin Frishop përmes të cilit dyshohet se kanë fituar mijëra euro në ditë.

Ajo u bë më aktive në vitin 2004 dhe 2005, kur doli kundër Ligjit për Organizimin Territorial i njohur si ndarja e komunave pas Marrëveshjes Kornizë, nënshkruar në Ohër në 2001 dhe që i dha fund konfliktit në Maqedoninë e Veriut. Me këtë ligj u krijuan më shumë komuna me shumicë shqiptare.

Në vitin 2017, ajo ishte e zëshme kundër Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili e bëri gjuhën shqipe gjuhën e dytë zyrtare në Maqedoninë e Veriut. Për këtë ligj, Siljanovska-Davkova tha se është antikushtetues dhe se e shkatërron frymën e Marrëveshjes Kornizë.

Deputete në radhët e VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Davkova ishte bartëse e listës së kandidatëve për deputete të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit në njësinë e parë zgjedhore. Prej gushtit 2020 është deputete në Kuvend.

Luftëtare për më shumë gra në postet kyçe

Personalisht, Davkova e përshkruan veten si legaliste, rebele, luftëtare për drejtësi. Ajo bëri të ditur se do të afirmojë nevojën për sa më shumë gra në postet kyçe të shtetit.

“A ka ndryshim më të madh se ai, për herë të parë në këtë vend një grua bëhet presidente? A ka një frymëzim më të madh për gratë e zgjuara? Nuk ka asnjë. Unë mendoj se me mua, më mbani për fjale, kur rrethohem me gra të ngjashme me mua, gra sipas modelit të Vaclav Havel: të veta, të forta, subversive, që mund të shprehin një qëndrimn dhe ta mbrojnë atë, kjo është një hap reformues për mua”, tha Davkova në konferencën për media në mbrëmjen e zgjedhjeve të 8 majit.

Kompetencat e kreut të shtetit

Presidenti, sipas kompetencave të tij, përcakton mandatin për përbërjen e Qeverisë, emëron dhe shkarkon me dekret ambasadorët jashtë vendit, merr letra kredenciale dhe tërheqje të përfaqësuesve të huaj diplomatikë, lidh marrëveshje ndërkombëtare në emër të Republikës, jep dekorata dhe mirënjohje dhe jep falje për të burgosurit.

Presidenti gjithashtu nënshkruan dekrete për shpalljen e ligjeve. Presidenti i Republikës mund të vendosë mosnënshkrimin e dekretit, të vërë veton ndaj tij dhe ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim.

Presidenti i Shtetit është edhe Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura si dhe Kryetar i Këshillit të Sigurimit dhe emëron dhe shkarkon drejtorin e Agjencisë së Zbulimit.

Sipas Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, mandati i presidentit të shtetit është pesë vjet, me të drejtë për edhe një rizgjedhje.

Gordana Siljanovska-Davkova është presidentja e gjashtë e Maqedonisë së Veriut.

Pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë (RSFJ) në referendumin e 8 shtatorit 1991, pesë burra udhëhoqën me detyrën e presidentit: Kiro Gligorov (1991-1999), Boris Trajkovski (1991-2004), Branko Crvenkovski ( 2004-2009), Gjorge Ivanov (2009-2019) dhe Stevo Pendarovski (2019-2024).

Dje, më 8 maj, në të njëjtën ditë me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, qytetarët e Maqedonisë së Veriut votuan edhe për zgjedhjet parlamentare. Rezultatet fillestare janë se VMRO-DPMNE, partia që propozoi Davkovën për postin presidencial, është në kryesimin e trefishtë pas mandateve të fituara parlamentare.