Policia tregoi masat e sigurisë dhe gjërat që s’lejohen në stadium gjatë ndeshjes me Izraelin

Policia ka marrë masa sigurie për ndeshjen kualifikuese që zhvillohet në kuadër të UEFA-s për kualifikime EURO 2024, të dielën mes kombëtares së Kosovës dhe Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri”, raporton Koha.net. Policia ka hartuar urdhrin operativ policor me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes së ndeshjes dhe rregullat që duhet të zbatojnë ata që duan ta shikojnë ndeshjen nga stadiumi.

Gjërat që nuk lejohen në stadium:

  •  Mjetet piroteknike,
  •  Shishet e qelqit pavarësisht madhësisë,
  •  Shishet e plastikës pavarësisht madhësisë,
  •  Pijet alkoolike dhe substancat narkotike,
  •  Ushqim i çfarëdo lloji (përveç ushqimit të fëmijëve 24 muajsh),
  •  Ombrella,
  •  Armë zjarri ose armë të ftohta apo çfarëdo mjeti tjetër që mund të përdoret si armë,
  •  Sende të rënda (çanta shpine, karrige të palosshme etj.),
  •  Kamera profesionale dhe video kamera,
  •  Çdo material promovues racist, ksenofobik, politik, fetar.

Ndeshja Kosovë – Izrael ka qenë e paraparë të luhej muajin e shkuar, por është shtyrë për shkak të luftës atje.

Rruga rreth stadiumit do të jetë e bllokuar për qarkullim të automjeteve, lejohet vetëm lëvizja e këmbësorëve dhe Policia e Kosovës do të jetë e vendosur në perimetrin e sigurisë, me ç’rast do të bëjë filtrimin e shikuesve për moslejimin e bartjes së gjësendeve të palejuara apo të rrezikshme në portat hyrëse.

Përveç tjerash përfshihen edhe rregullat për hyrje në stadium, andaj nga qytetarët/pjesëmarrësit në stadium që kanë siguruar bileta kërkohet që të kenë parasysh dhe t’iu përmbahen rregullave të parapara duke përfshirë:

  •  Hapja e dyerve të stadiumit do të bëhet në orën 18:00, ku rekomandohet që ardhja në stadium të bëhet më herët, për shkak të shmangies së tollovive dhe   krijimit të qasjes më të lehtë dhe të shpejtë në stadium.
  •  Kërkohet posedimi i dokumentit identifikues së bashku me biletë, përderisa ata që nuk posedojnë bileta nuk do të kenë mundësi të afrohen te portat e stadiumit.
  •  Veturat për qasje në parkingun zyrtar duhet të jenë të pajisura me parking PASS, në të kundërtën nuk do të lejohet parkimi në atë zonë (me përjashtim të   veturave të FFK-së dhe personave të pajisur me biletën VIP).