Komunat që dhanë më së shumti leje ndërtimi në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut janë dhënë gjithsej 326 leje ndërtimi vetëm në muajin shtator, për ndërtimin e objekteve në vlerë mbi 109 milionë euro, transmeton Portalb.mk.

“Gjatë muajit shtator të vitit 2023 janë dhënë 326 leje ndërtimi, që është për 17.7 % më shumë se në muajin e njejtë të vitit paraprak”, njoftoi Enti Shtetëror i Statistikave, duke theksuar që vlera e objekteve është rritur për 43.8 % në krahasim me shtatorin e vitit të kaluar.

Më së shumti leje ndërtimi ka dhënë Gostivari (41), Strumica (25), Kërçova (24), Tearca (16), Kavadari (13) dhe Bërvenica (13).

“Nga numri i përgjithshëm i numrit të lejeve të dhëna për ndërtim 186 (57.1 %) janë të dedikuara për objektet e ndërtimit të lartë, 79 (24.2 %) për objektet e ndërtimit të ulët dhe 61 (18.7 %) objektet për rikonstruim. Nga gjithsej 326 objekte, te 192 (58.9 %) si investitorë na paraqiten persona fizik, ndërsa tek 134 (41.1 %) objekte si investitorë janë subjektet afariste”, sqaroi Enti.

Ndryshe, në Çair ekzistojnë shumë ndërtime pa leje, të cilat janë legalizuar pas vitit 2011, kur normalisht nuk duhej të mund të legalizohen. Komuna e Çairit tha se ka dhënë 8 leje për ndërtimin e objekteve me qëllim A2. Por në realitet, shumë më tepër se vetëm tetë ndërtesa banimi janë ndërtuar në Çair në pesë vitet e fundit. Ky fakt të çon në një përfundim – qindra, ndoshta mijëra apartamente po ndërtohen në mënyrë të egër në Çairin me popullsi të dendur.

Lokacionet e ndërtesave të reja më të mëdha gjatë vizitave në terren dhe për të cilat Komuna nuk na dha informacion se kishin leje ndërtimi, më pas i kontrolluam përmes bazës elektronike të të dhënave të Kadastrës në dispozicion të publikut. Fakti që u vërtetua se këto ishin ndërtime pa leje dhe se disa prej tyre ishin ndërtuar në tokë shtetërore, ishte thuajse e parëndësishme me një zbulim tjetër, shumë më të pabesueshëm.