Platforma për Barazi Gjinore: Të garantohet siguria e gazetares Rita Behadini

Platforma për Barazi Gjinore dënon ashpër gjuhën e urrejtjes dhe kërcënimet ndaj gazetares dhe aktivistes Rita Behadini dhe apelon që t’i garantohet siguri.

Bëhet fjalë për postimin e saj në rrjetin social Facebook në lidhje me hoxhën nga Saraji. Sipas raportimeve, ajo ka qenë shënjestër e kërcënimeve nga persona me profile të rrejshme në rrjetin social, e mes tyre binte në sy një që përmbante një kërcënim eksplicit.

Në postimin e një profili me emrin Fisnik Hoxha, theksohet kërcënimi: “Fshijeni postimin që ke shkruar kundër hoxhës…Nesër vij në Alsat, të të pres veshin me thikë”.

“Në solidaritet me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë (ShGM), kërkojmë reagim të menjëhershëm sepse kërcënimi me jetë janë krime të përfshira në Kodin Penal, për të cilat është paraparë dënim me burg për autorët. Prandaj, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike kanë për obligim që menjëherë të hetojnë dhe procedojnë këto kërcënime të qarta dhe të ndëshkojnë ata që shkelin ligjin, por edhe të parandalojnë krime të tilla në të ardhmen”, thuhet në Platformën për Barazi Gjinore.

Rastin Rita Behadini e ka raportuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) në Departamentin e Krimeve Kompjuterike dhe Forenzikës Digjitale, ndërsa nga Platforma për Barazi Gjinore thonë se do të monitorojnë nga afër veprimet e ndërmarra nga MPB.

Sipas hulumtimit të PINA-s, mbi 81% e 103 gazetarëve të anketuar në vend deri më tani janë përballur me kërcënime online për shkak të punës së tyre, kryesisht përmes rrjetit social Facebook.

“Ky sulm ndaj Ritës është vetëm një nga kërcënimet dhe sulmet e shumta që e synojnë atë personalisht, veçanërisht sepse ajo është një grua që mbron publikisht çështjet gjinore”, thuhet në Platformën për Barazi Gjinore.