“Vera Tetovare 2023” motivon artistët e vendit

Nesër, pra më datë 26 korrik do të hapet zyrtarisht ”Vera Tetovare 2023” që për shumë netë me radhë do të ofrojë muzikë, humor, grupe folklorike dhe argëtim, njofton Portalb.mk.

Kanë filluar të shpërndahen fletushka me programet dhe përmbajtjet e netëve. Rrjedha është siç vijon; 26- 28 korrik –Nata rinore, 30 korrik – Nata maqedonase, 31 korrik- Nata turke, 1 gusht – Nata maqedonase, 2 gusht- Nata rome, 3- 4 gusht- Netët shqiptare.

Vera e Kulturës Tetovare
Vera e Kulturës Tetovare

“Edhe këtë vit Komuna e Tetovës organizon Verën Tetovare nën moton “Festojmë në Vendlindje”. Organizim ky i cili filloi për të nderuar të gjithë mërgimtarët, për t’i mirëpritur dhe argëtuar, i cili sot vazhdon me moton e njëjtë dhe i fton gjithë tetovarët për të festuar. Sa i përket pjesës së artistëve, esenca ka qenë që të dominojnë artistët e rinj lokalë, për t’i motivuar dhe promovuar për talentin e tyre. Ky organizim do të fillojë me tre netët rinore te Parku i Gruas, ndërsa ajo që duam të arrijmë është ringjallja e çdo pike të këtij qyteti. Vazhdon te sheshi ”Iliria” me netët maqedone, turke, rome dhe përfundon me netët shqiptare ku do na argëtojnë këngëtarë dhe grupe të njohura folklorike.” shprehet koordinatorja e kësaj ngjarjeje nga Komuna e Tetovës, Elma Sherifi për Portalb.mk.

Ndërsa të gjithë presin që nesër të fillojnë Netët rinore, në orën 20.30 te Parku i Gruas ku do t’ju argëtojnë: dj Shock, Fjolla Jahiu, Nameless, Elita Ziberi, Illmill, dj Nikk si dhe “stand up” komedia që e ka mjeshtëri aktori Hasim Memishi Sopi , i cili për Portalbin deklaron: “Vera në Tetovë gjithmonë është e stërngarkuar, sepse gjatë këtyre dy muajve kemi një ardhje masive të mërgimtarëve, kjo ngjarje i jep ngjyra në (kuptimin figurativ) dhe shije të mirë qytetit, pasi është ngjarje kryesisht rinore, ku do ketë muzikë live, dj dhe StandUp. Unë marr pjesë me “StandUp”, shumica e tekstit bazohet mbi realitetin dhe problemet tona të përditshme. Njerëzit e duan humorin sepse i largon nga problemet e përditshmërisë, nga rutina ditore dhe gjithashtu është një ilaç i mirë kundër stresit. Jam shumë i kënaqur kur bëj “StandUp” , sepse edhe i bëj njerëzit të lumtur edhe kënaqem vet” – e përmbyll duke i ftuar të gjithë t’i bashkangjiten kësaj feste.

Verat në Tetovë edhe pse me ditë të nxehta, mbrëmjet do të freskohen me kulturë vendore. Më datë 28 korrik te Parku i Gruas do të performoj dhe Shpëtim Mustafa i cili është një këngëtar edhe pse i ri në moshë me një repertor mbresëlënës. Tani për tani kaq emra dimë. Portalb.mk do vazhdojë t’ju mbajë të informuar për emrat e rinj pjesëmarrës në këtë aktivitet qoftë përmes Ciceronit kulturor, qoftë përmes shkrimeve si ky.

Tetova e cila braktiset çdo ditë e më shumë nga të rinjtë, po zbrazet krejt, është koha t’i mbush rrugët me njerëzit e saj që mezi presin të kthehen në vendlindje. Emra te njohur të muzikës do jenë pjesë e kësaj pritjeje kaq të bukur, duke i argëtuar dhe duke i bërë të marrin me vete kujtime të bukura nga vendlindja. Shpëtim Mustafa në repertorin e tij e ka dhe këngën:

”Sharrit do të ngjitem
eci ditë e natë
m’pyesin zogjtë e malit
nuk më lënë rehat
m’pyesin ata m’pyesin
sikur nuk e dinë
ku shkojnë tetovarët
pse n’Tetovë nuk rrinë.

Vera Tetovare 2023 - '' Festojmë në vendlindje''
Vera Tetovare 2023 – ” Festojmë në vendlindje”
Vera e Kulturës Tetovare
Vera e Kulturës Tetovare
Vera e Kulturës Tetovare
Vera e Kulturës Tetovare