Platforma e organizatave civile letër të hapur Kovaçevskit: Ndalni presionet ndaj institucioneve të pavarura në luftën kundër korrupsionit

Platforma e organizatave civile për luftë kundër korrupsionit i ka dërguar një letër të hapur kryeministrit Kovaçevski, me kërkesë që të ndalet presioni ndaj institucioneve të pavarura në luftën kundër korrupsionit. Platforma kërkon nga përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që të ndalojnë presionin mbi institucionet e pavarura që punojnë në fushën e luftës kundër korrupsionit dhe të sigurojnë funksionimin e tyre të qetë dhe realizimin e kompetencave të tyre, transmeton Portalb.mk.

“Vërejmë se kritikat për kryerjen e mandatit të çdo institucioni janë me qëllime të mira dhe të pranueshme për sa kohë që bazohen në prova dhe në rezultatet e arritura ose të paarritura. Ndryshe, kur kritikat bazohen në perceptime personale, të përgjithshme, dhe vijnë nga zyrtarë të lartë, konsiderohen si presion i drejtpërdrejtë në funksionimin e institucioneve”, thuhet në letrën dërguar Kovaçevskit.

Platforma thekson se duke mohuar përgjegjësinë e institucioneve për mospërmarrjen e detyrimeve të kompetencës së tyre, tregon vetëm papjekuri dhe papërgatitje dhe përveç angazhimeve deklarative për luftën kundër korrupsionit, nuk ka rezultate reale që do të kontribuojnë në një sitatë më të mirë në shoqëri.

“Është për t’u habitur që ende nuk ka bashkëpunim funksional mes institucioneve, me gjithë rekomandimet dhe konkluzionet tona shumëvjeçare për promovimin e tij, për të mundësuar masa dhe politika që synojnë shtypjen e korrupsionit. Apelojmë që në këtë moment ajo që duhet të jetë prioriteti i çdo ministri dhe i qeverisë në tërësi është që të fokusohet në premtimet kundër korrupsionit që vendi u bëri qytetarëve dhe komunitetit ndërkombëtar, ndër të cilat janë reforma dhe pavarësia e gjyqësori, departamentizimi i administratës publike, profesionalizimi i shërbimit drejtues”, thuhet më tej në letrën dërguar Kovaçevskit.

Duke marrë parasysh të gjitha këto, Platforma këmbëngul që të ndalen presionet ndaj organeve të pavarura antikorrupsion, veçanërisht ndaj Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe të mundësohet funksionimi i tyre pa probleme për ruajtjen e shtetit ligjor. Derogimi i punës së këtyre institucioneve nga zyrtarë të lartë të qeverisë është në kundërshtim me përkushtimin për të luftuar korrupsionin dhe pritshmërinë e qytetarëve për përmirësimin e situatës në të cilën korrupsioni është problemi më i madh social për ta.

Reagimi i platformës në fjalë i referohet zvëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili nga Komisioni për Antikorrupsion është akuzuar për presion të orkestruar.

Grubi një paraqitje në TV Sitel, tha se nuk beson në kapacitetin e përbërjes aktuale të KSHPK-së.

“Ditëve të fundit nga KSHPK refuzuan paraqitjen kundër meje për parashtresën e VMRO – DPMNE-së. Shumica e madhe e rasteve janë ose të humbura në procedura administrative apo të refuzuara nga gjykatësit dhe shpresoj se përbërja e ardhshme do të jetë më serioze. Nuk ka asnjë sukses. Unë atëkohë i kam intervistuar dhe kam pritur më shumë. Besoj në institucionin, por kam dyshime në kapacitetet e njerëzve. Në mandat prej katër – pesë viteve kanë një rast të vetëm të suksesshëm në procedurat”, tha Grubi.

KSHPK në reagimin ndaj kësaj deklarate, kanë rikujtuar se katër vite me radhë, në raportin e Komisionit Evropian për përparimin evendit, komisioni merr vlerësime pozitive për proaktivitetin e tyre dhe për hapjen e rasteve kundër funksionarëve të lartë, që është konfirmim direkt për arsyetimin e punës.

“Habit fakti që ju nuk e pranoni këtë vlerësim të KE-së si organ më i lartë i BE-së dhe thoni akuza të pabaza, ndërsa njëkohësisht synoni anëtarësim të shpejtë në BE. Keni të drejtë z. Grubi, Antikorrupsioni nuk ka kapacitet të vozutet me vetura zyrtare 24/7 edhe për qëllim personale, të keqpërdorë hapësira shtetërore, të shfrytëzojë përfaqësi dhe kartela pagesore zyrtare, as të shpërdorojë para të buxhetit, por të jeni të bindur se ka kapacitet t’i përmbush obligimet dhe kompetencat e tija ligjore dhe të punojë iniciativa të shumta të cilat ende presin radhë dhe kohë që të veprohet për to”, thuhej në kumtesën e Antikorrupsionit.

Nga komisioni kanë shtuar se, kualifikimet për kapacitetin e Antikorrupsiomit nga ana e një funksionari të lartë të Qeverisë së RMV-së për të cilin ka lëndë të hapur, nuk është asgjë tjetër përpos ushtrim i presionit ndaj punës së komisionit dhe tentim i orkestruar për shpërqëndrim të opinionit.

“Aq më shumë që së fundmi, kabineti i zëvendëskryeministres për qeverisje të mirë akuzoi komisionin për akuza paushalle dhe të pabaza në lidhje me lëndën për kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, edhepse në konferencë për media të KSHPK, nuk u përmend diçka e tillë, ndërsa zëvendëskryeministri për eurointegrime në skriningun bilateral për arsim, kulturë dhe sportë kërkoi nga kryetarja të mos e njoftonte KE-së për padinë e ngritur për shpifje nga ana e drejtorit për rini dhe sport, Numçe Mojsoski”, thanë nga komisioni.

Në shkurt të këtij viti, KSHPK hapi lëndë për pronën e zëvendëskryeministrit Artan Grubi, pasi në opinion u publikuan informata për rritjen e pronës së tij dhe të anëtarëve të familjes së tij.

Së fundmi, Antikorrupsioi hapi lëndë për projektin për ndërtimin e autostradave të Korridoreve 8 dhe 10d për të cilin është nënshkruar marrëveshje me “Bechtel dhe Enkën”, pas publikimeve në media rreth procedurës së zgjedhjes së kompanisë për mbikëqyrje. Për të njëjtën, lëndë ka hapur edhe Prokuroria Publike. Koordinator për ndërtim është pikërisht Grubi.