Një vit pas premtimit, Komuna ende nuk ka instaluar kamerat për identifikimin e ndotësve në Banjën e Tetovës

Një ndër pikat e rralla për rekreacion në Tetovë, Banja e Tetovës vazhdon të jetë ndër pikat më të nxehta ekologjike në këtë qytet. Për të zgjidhur problemin, një vit më parë, kryetari i Komunës së Tetovës – Bilall Kasami tha se do të instalohen kamera sigurie për të identifikuar ndotësit. Një vit më vonë, këto kamera nuk janë instaluar. Komuna thotë se ende e analizojnë formën e vendosjes së tyre, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk sot vizitoi Banjën, ku ndryshe nga herët e tjera, rruga për tu ngjitur lartë ishte e pastër, kontejnerët ishin të pastruar, hapësira te banja nuk kishte mbeturina, ndërsa vetëm në një cep vërehej kontejneri i madh me mbeturina dhe disa të tjera anash tij. Megjithatë, kamera sigurie nuk pamë të instaluara përgjatë rrugës apo edhe në pjesën e banjës.

Në vitin 2022, Kasami i pyetur nga Portalb.mk se si do të veprohet me Banjën e Tetovës pasi e njëjta është ndër pikat më kritike e cila ndotet, ai tha se do instalohen kamera. Konkretisht ai deklaroi:

“Sa i përket Banjës së Tetovës ju e shihni se është një projekt te pjesa rekreative, ne veç më kemi një shoqatë e cila merret me përkujdesjen e kësaj pjese. Aty ku do të jetë e nevojshme, jo vetëm përgjatë rrugës së banjës por edhe në pikat tjera kritike do instalohen kamera, dhe do jenë të përcejellura 24 orë nga persona kompetent, ku do identifikohen qytetarë që ndotin dhe do denoncohen konform procedurave ligjore. Të njëjtën do mund ta bëjnë edhe qytetarët, sepse kamerat do të jenë në një faqe publike ku qytetarët do mund t’i përcjellin. Jemi në fazën e rregullimit të platformës e cila do jetë 24 orë në dispozicion”, deklaroi me 7 maj 2022 Kasami.

Sot, një vit e tepër më vonë, kamerat nuk janë instaluar. Portalb.mk sot vërejti vetëm një kamerë të instaluar te Banja, e cila ishte përpara një restoranti që ndodhet aty, por Komuna për Portalb.mk tha se nuk e kanë instaluar ata.

Nga Komuna e Tetovës thonë se e analizojnë formën se si do i vendosin të njëjtat në këtë lokacion.

“Jemi duke e analizuar formën e vendosjes së tyre pasi me prioritet do të jenë vendosja e kamerave të sigurisë në disa pika të grumbullimit të mbeturinave (kontejnerë) ku mendojmë se janë më se të nevojshme dhe pas përfundimit të të njëjtave do të vendosen edhe në vendin e apostrofuar nga Ju. Në Banjën e Tetovës mbeturinat për momentin rregullisht grumbullohen (merren) 1 herë në javë. Gjatë stinës së verës, për shkak të frekuentimit më të madh të qytetarëve në këtë pjesë të qytetit,  do të grumbullohen 2 herë në javë.  Njëkohësisht apelojmë deri te qytetarët që gjatë kësaj periudhe të jenë sa më vigjilent dhe ta ruajmë ambientin”, thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Shoqata “Eco Life” e cila vullnetarisht mirëmbante rrugën e Banjës ka ndaluar me këtë aktivitet, pasi siç thonë nuk kanë kushte dhe janë me shumë borxhe. Ata theksojnë se në këtë periudhë verore pasi gati të gjithë qytetarët vijnë e relaksohen në lumin Shkumbin dhe Banjat, është bërë një ngarkesë e madhe në komunikacion po ashtu edhe dita ditës shtohen mini-deponitë në këtë rajon.

“Rruga e Banjës nuk pastrohet rregullisht, pra nuk menaxhohet nga Komuna e Tetovës. Këtë mund ta vëreni nëse ecni rrugës: kullosat i kanë mbuluar trotuaret, mbeturina në secilën metër, kontejnerët e mbushura plot, drunjt e pa lyer dhe shumë probleme tjera! Edhe pse vitin e kaluar (2022) patëm një marrëveshje me Kryetarin e Komunës së Tetovës; që ta pastrojmë, mirëmbajmë dhe kujdestari për këtë vend ato nuk u përgjigjën kërkesave tona. Arsyeja pse Komuna nuk mori asnjë vendim për financimin e Shoqatës “Eco Life” është politike”, thanë nga Eco Life për Portalb.mk.

Përveç mbeturinave, te Banja e Tetovës, problem në vete është dheu i cili rrëshqet dhe del në rrugë, kështu duke vënë në rrezik qytetarët, për të cilin autoritetet me vite nuk kanë gjetur zgjidhje.