Grkovska përgënjeshtroi Ivanovskën: Akuzat e Antikorrupsionit janë paushalle dhe të pabaza

Zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë, Slavica Grkovska ka përgënjeshtruar deklaratën e kryetares së Komisionit Antikorrupsion, Biljana Ivanovska, e cila tha se, Grkovska ka zvarritur lëndët për korrupsion të kryetarit të Strugës, Ramiz Merko, transmeton Portalb.mk.

Nëpërmjet një reagimi me shkrim, nga kabineti i zëvendëskryeministres e kanë vlerësuar këtë akuzë si paushalle dhe të pabazë.

“Fatkeqësisht, KSHPK i udhëhequr nga kryetarja Ivanovska, në tentim të arsyetojë veprimet apo mosveprimet e KSHPK-së, po tenton që t’ua hedh kompetencat dhe përgjegjësinë institucioneve tjera, pa marrë parasysh nëse ata janë kompetent apo jo për raste konkrete, ndërsa në këtë kontekst edhe me çfarë mekanizma disponojnë. Në atë drejtim, i njoftojmë anëtarët e KSHPK-së se, zëvenskryeministrja, Slavica Grkovska, në pajtueshmëri me kompetencat që i ka nga kryeministri është kompetente për zbatimin e kodit për sjellje etike të anëtarëve të Qeverisë dhe funksionarëve të zgjedhur nga Qeveria”, thuhet në reagim.

Më tej theksohet se, Grkovska nuk ka dhe nuk mund të ketë kompetenxa ndaj një funksionari që është zgjedhur në zgjedhje të drejtpërdrejta.

“Për këto arsye, zëvendëskryeministrja Grkovska në këtë drejtim mund të jap vetëm rekomandime në lidhje me respektimin e parimeve për qeverisje të mirë dhe asgjë më shumë. Fatkeqësisht nuk është hera e parë që Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit t’i dorëzojë kabinetit të zëvendëskryeministrjes Grkovska lëndë për të cilat zëvendëskryeministrja nuk ka kompetenca, siç ishte rasti së fundmi me një Agjenci e cila për punën e saj përgjigjet para Kuvendit. Njëkohësisht ia rikujtojmë KSHPK-së se kabinet për politika për qeverisja të mirë nuk është organ hetues dhe i prokurorisë. Kjo do të thotë se, të gjitha rastet dhe informatat që i arrijnë kabinetit përcillen në kompetenca të institucioneve të cilat sipas ligjit, duhet të veprojnë dhe t’i procesojnë”, qëndron në reagim.

Kryetarja e Antikorrupsionit, Bilajana Ivanovska, sot prezantoi se si një lëndë kundër Merkos është zhdukur në Këshillin Gjyqësor, ndërkaq të tjerat janë zvarritur nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, Prokuroria e Strugës, kryetari i Gjykatës Themelore të Strugës, Sektori për Ekspertiza në MPB, Qeveria dhe zëvendëskryeministrja për Qeverisje të Mirë, e cila ka marrë kohë duke kontrolluar nëse Merko e ka shkelur Kodin, në situatë kur, siç tha Ivanovska “ne nuk e kemi paraqitur për kod, por për korrupsion.

Më 20 qershor Departament Amerikan i Shtetit shpalli non grata, Ramis Merkon.

Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.

Përveç Merkos, në listën e zezë të SHBA-ve ishin edhe bashkëshortja e tij Shpresa dhe tre fëmijët e tij.

 11 prill të vitit 2022 për shkeljet ligjore dhe prishje të demokracisë nëpër institucione publike, shoqëruar me korrupsionin, Departamenti i Shtetit Amerikan i shpalli nongrata edhe Nikolla Gruevskin, Sasho Mijallkovin dhe një politikane nga Bosnja.

Paraprakisht, SHBA i ka shpallur nongrata, Menduh Thaçin, Lube Boshkoskin, Xhevat Ademin dhe të tjerë.

SHBA, ka paralajmëruar se Merko nuk është i fundit që është shpallur “nongrata”, por se do të ketë edhe të tjerë.