Komisioni për Antikorrupsion akuzoi Grubin për presion të orkestruar

Komisioni për Antikorrupsion ka kapacitet të luftojë me sulmet e juaja të orkestruara, e porositën nga Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit zëvendëskryeministrin, Artan Grubi, pasi ai mbrëmë në një paraqitje në TV Sitel, tha se nuk beson në kapacitetin e përbërjes aktuale të KSHPK-së, transmeton Portalb.mk.

“Ditëve të fundit nga KSHPK refuzuan paraqitjen kundër meje për parashtresën e VMRO – DPMNE-së. Shumica e madhe e rasteve janë ose të humbura në procedura administrative apo të refuzuara nga gjykatësit dhe shpresoj se përbërja e ardhshme do të jetë më serioze. Nuk ka asnjë sukses. Unë atëkohë i kam intervistuar dhe kam pritur më shumë. Besoj në institucionin, por kam dyshime në kapacitetet e njerëzve. Në mandat prej katër – pesë viteve kanë një rast të vetëm të suksesshëm në procedurat”, tha Grubi.

KSHPK në reagimin ndaj kësaj deklarate, kanë rikujtuar se katër vite me radhë, në raportin e Komisionit Evropian për përparimin evendit, komisioni merr vlerësime pozitive për proaktivitetin e tyre dhe për hapjen e rasteve kundër funksionarëve të lartë, që është konfirmim direkt për arsyetimin e punës.

“Habit fakti që ju nuk e pranoni këtë vlerësim të KE-së si organ më i lartë i BE-së dhe thoni akuza të pabaza, ndërsa njëkohësisht synoni anëtarësim të shpejtë në BE. Keni të drejtë z. Grubi, Antikorrupsioni nuk ka kapacitet të vozutet me vetura zyrtare 24/7 edhe për qëllim personale, të keqpërdorë hapësira shtetërore, të shfrytëzojë përfaqësi dhe kartela pagesore zyrtare, as të shpërdorojë para të buxhetit, por të jeni të bindur se ka kapacitet t’i përmbush obligimet dhe kompetencat e tija ligjore dhe të punojë iniciativa të shumta të cilat ende presin radhë dhe kohë që të veprohet për to”, thuhet në kumtesën e Antikorrupsionit.

Nga komisioni kanë shtuar se, kualifikimet për kapacitetin e Antikorrupsiomit nga ana e një funksionari të lartë të Qeverisë së RMV-së për të cilin ka lëndë të hapur, nuk është asgjë tjetër përpos ushtrim i presionit ndaj punës së komisionit dhe tentim i orkestruar për shpërqëndrim të opinionit.

“Aq më shumë që së fundmi, kabineti i zëvendëskryeministres për qeverisje të mirë akuzoi komisionin për akuza paushalle dhe të pabaza në lidhje me lëndën për kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko, edhepse në konferencë për media të KSHPK, nuk u përmend diçka e tillë, ndërsa zëvendëskryeministri për eurointegrime në skriningun bilateral për arsim, kulturë dhe sportë kërkoi nga kryetarja të mos e njoftonte KE-së për padinë e ngritur për shpifje nga ana e drejtorit për rini dhe sport, Numçe Mojsoski”, thanë nga komisioni.

Në shkurt të këtij viti, KSHPK hapi lëndë për pronën e zëvendëskryeministrit Artan Grubi, pasi në opinion u publikuan informata për rritjen e pronës së tij dhe të anëtarëve të familjes së tij.

Së fundmi, Antikorrupsioi hapi lëndë për projektin për ndërtimin e autostradave të Korridoreve 8 dhe 10d për të cilin është nënshkruar marrëveshje me “Bechtel dhe Enkën”, pas publikimeve në media rreth procedurës së zgjedhjes së kompanisë për mbikëqyrje. Për të njëjtën, lëndë ka hapur edhe Prokuroria Publike. Koordinator për ndërtim është pikërisht Grubi.