Plani urbanistik për Kodrën e Diellit nuk u miratua para Vitit të Ri siç u paralajmërua

Plani urbanistik për Lagjen e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit nuk u përfundua para Vitit të Ri (2024) ashtu siç paralajmëroi nëntorin e vitit të kaluar (2023) kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Sot nga Komuna e Tetovës thonë se janë duke punuar në vërejtjet teknike të cilat ua kanë kthyer nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, shkruan Portalb.mk.

18 nëntor 2023 gjatë promovimit të rikonstruimit të rrugës në Lagjen e vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit, Kasami paralajmëroi miratimin e planit urbanistik për këtë zonë para përfundimit të vitit 2023.

“Dua të garantoj se angazhimi, interesimi jonë për Kodrën e Diellit do të vazhdojë, besojmë fuqishëm që shpejti, para përfundimit të vitit do të kemi edhe përfundimin e planit urbanistik me çka nga pranvera do të mund të nis edhe ndërtimi apo zhvillimi i pjesës së resorteve turistike por edhe ndërtimit të vikend shtëpizave në bazë të lejeve që do të jepen, në bazë të planit urbanistik”, tha Kasami me 18 nëntor 2023.

Megjithatë plani urbanistik për këtë zonë nuk është miratuar ende edhe pse viti 2023 ka mbaruar dhe kanë kaluar dhjetë ditë nga vitit 2024.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk theksojnë se planin urbanistik për zonën e Lagjes së vikend shtëpizave në Kodrën e Diellit e kanë dërguar në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, e cila na ka kthyer me disa vërejtje teknike.

“Jemi duke punuar për t’i plotësuar këto kërkesa dhe shpresojmë që në një kohë sa më të shkurtër të marrim miratimin e ministrisë”, thanë nga Komuna e Tetovës më 10 janar 2024.

Kujtojmë që në debatin e organizuar për Kodrën e Diellit me 28 janar të vitit 2022, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami deklaroi se ishin të përkushtuar që në vitin 2022 të ketë përfundimisht plan të miratuar urban për Kodrën e Diellit. Por, kjo nuk u realizua në afatin e paralajmëruar.

Nga ana tjetër, qendra turistike Kodra e Diellit ende po pret investuesin italian, kompaninë “TechnoAlpin”, ku nuk dihet ende se kur do të fillojnë punimet pasi nuk është nënshkruar ende marrëveshje. Institucionet nuk japin datë konkrete, thonë se vijojnë bisedimet pa dhënë detaje.

Kodra e Diellit për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet e mëdha janë kaosi urbanistik, infrastruktura e dobët, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.

Kujtojmë që në nëntor 2023, në Kodrën e Diellit, konkretisht në oborrin e manastirit “Shën Naumi i Ohrit” u vendos një kryq pa leje të Komunës së Tetovës i cili shkaktoi bujë të madhe në opinion. Inspektorati Komunal i Tetovës më 25 dhjetor 2025 bëri të ditur se ky kryq ka vendim për prishje, por nuk dihet ende se kur do të largohet i njëjti.