Vijojnë bisedimet për investimin në Kodrën e Diellit, në tavolinë edhe teleferiku nga Tetova

Bisedimet do të vazhdojnë deri në arritjen e marrëveshjes së plotë. Kështu u përgjigjën nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor (MMJPH) për Portalb.mk pas takimit të djeshëm në Ministrinë e Financave për investimin strategjik nga kompania italiane në Kodrën e Diellit, duke mos specifikuar afat se kur pritet të arrihet marrëveshja. 

Dje në Ministrinë e Financave është mbajtur takim ku është folur për investimin strategjik për zhvillimin e qendrës turistike Kodra e Diellit. Megjithatë nuk ka ende marrëveshje konkrete.

“Në Ministrinë e Financave u bisedua në mes institucioneve kompetente dhe investitorit për projektin strategjik investues “Qendra e skijimit Kodra e Diellit”. Janë shqyrtuar dhe diskutuar të gjitha pikat e investimit të ofruar. Bisedimet do të vazhdojnë deri në arritjen e marrëveshjes së plotë. Nga aspekti mjedisor, investitori është njoftuar për vendndodhjen e saktë ku mund të ndërtohet qendra e skijimit dhe teleferiku (që çon deri në Kodër), në përputhje me ligjet, veçanërisht Ligjin për shpalljen e PK “Mali Sharr” park kombëtar”, thanë nga Ministria e Mjedisit.

Pyetëm Ministrinë e Financave për takimin dhe se kur pritet të nënshkruhet marrëveshja, por nga atje deri në publikimin e artikullit nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.

As Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe kompania italiane “TechnoAlpin” nuk japin datë konkrete se kur pritet të nënshkruhet marrëveshja, theksojnë se vijojnë bisedimet.

Para dy ditëve, ministrja Kaja Shukova tha se janë përmbushur të gjitha kushtet që investitori duhet t’i sigurojë që të mundet pastaj Qeveria dhe më pas edhe Kuvendi të miratojë një investim të tillë strategjik. Megjithatë theksoi se shikohen dokumentet pasi është proces që duhet bërë dhe se mblidhen mendime nga ministritë resore, pasi duhet të shihen më shumë aspekte.

“Pra nuk është e thjeshtë, vetëm me dorëzim dhe miratim në Qeveri dhe Kuvend. Por mendoj se është drejt fundit, do të sillet vendim nëse i përmbush kushtet investitori dhe nëse mund të lidhet kontratë për investim strategjik që do ta kalonte Qeveria dhe më pas Kuvendi. Nga ana jonë janë plotësuar kushtet”, tha Shukova.

TechnoAlpin” në dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.

Kohë më parë, u formua ndërmarrje re e cila do të menaxhojë me Kodrën e Diellit me emër “Kodra e Diellit”.

Kjo qendër turistike për vite me radhë është lënë pas dore duke mos u investuar në të. Ndër problemet më të mëdha janë kaosi urbanistik, mungesa e parkingjeve, menaxhimi jo i mirë me mbeturinat, ndërtimet pa leje dhe të tjera.