Një javë pas hapjes, për shkak mungesës së borës, Qendra e Skijimit “Kodra e Diellit” prej nesër nuk do të funksionojë

Një javë pas fillimit të sezonit të skijimit, Qendra e Skijimit “Kodra e Diellit” njofton se për shkak të temperaturave të larta, qendra nuk do të jetë në funksion, njofton Portalb.mk.

“Njoftojmë dashamirët e skijimit se për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të pafavorshme për skijim, nga nesër Qendra e Skijimit “Kodra e Diellit” nuk do jetë në funksion deri në reshje të reja dëbore.  Për çdo ndryshim do të jeni të informuar me kohë. Na ndiqni!”, njoftojnë nga Qendra e Skijimit “kodra e Diellit”.+

Edhe vitin e kaluar për shkak të mungesës së borës dhe ndryshimeve klimatike, sezoni i skijimit u hap me vonesë, në fund të muajit janar ndërkaq përfundoi në muajin mars.

Kujtojmë që vijojnë bisedimet me kompaninë italiane “TechnoAlpin” e cila është e interesuar për investim në Kodrën e Diellit, marrëveshja nuk është nënshkruar ende. Ndërkaq institucionet nuk japin detaje de kur e njëjta pritet të nënshkruhet.

TechnoAlpin” në dhjetor 2022 e prezantoi planin e tyre për zhvillimin e kësaj qendre turistike. Investimi është paraparë të realizohet në shtatë faza dhe kap vlerën e rreth 180 milionë eurove. Në fazën e parë prioritet pritet të ketë ndërtimi i sistemeve për borë artificiale, pasi planifikohet që sezoni të zgjasë më gjatë dhe jo të varet nga reshjet e borës. Faza e parë e cila kap vlerën prej 55 milionë eurove kap periudhën 2023-2028 ndërsa fazat e tjera (2-7) nga viti 2028 e tutje.