MPB-ja hapi pika lokale kontakti për gazetarët që marrin kërcënime

Komiteti Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve u formua sot, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka krijuar pika lokale kontakti për trajtimin më të shpejtë të kërcënimeve, sulmeve dhe ngacmimeve ndaj gazetarëve, përfshirë edhe ato në internet, transmeton Portalb.mk.

Mekanizmi i ri synon të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve dhe të sigurojë mbrojtje më efikase për gazetarët dhe punonjësit mediatikë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në mbledhjen e parë të Komitetit deklaroi se formimi i këtij trupi është pjesë e aktiviteteve të Qeverisë për avancimin e lirive mediatike dhe sigurisë së gazetarëve, në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës.

“Gazetaria e lirë dhe e sigurt nuk është privilegj i gazetarëve, por e drejtë dhe nevojë e çdo shoqërie demokratike”, tha Toshkovski.

Ai shtoi se sulmi ndaj një gazetari për shkak të punës së tij profesionale është edhe sulm ndaj të drejtës së publikut për t’u informuar.

Përveç pikës nacionale të kontaktit, janë krijuar edhe pika kontakti në të gjithë sektorët për punë të brendshme, si dhe një pikë e veçantë për sigurinë kibernetike. Ato duhet të mundësojnë komunikim dhe reagim më të shpejtë ndaj kërcënimeve dhe ngacmimeve të gazetarëve në internet.

Toshkovski theksoi se mbrojtja e gazetarëve nuk është përgjegjësi vetëm e policisë, por kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet MPB-së, prokurorisë, gjyqësorit, organizatave të gazetarëve dhe institucioneve të tjera kompetente.

Nga Delegacioni i Bashkimit Evropian më herët paralajmëruan për “Sloboden Peçat” se mbrojtja e gazetarëve nuk duhet të shndërrohet në mjet për ndikim politik mbi vendimet editoriale dhe punën gazetareske.

Prej atje theksuan se formimi i një mekanizmi koordinues të udhëhequr nga Qeveria, në të cilin shumica e anëtarëve janë përfaqësues të institucioneve shtetërore, në vetvete nuk e rrezikon pavarësinë e mediave. Megjithatë, Delegacioni theksoi se duhet të bëhet dallim i qartë ndërmjet mbrojtjes institucionale të gazetarëve dhe ndërhyrjes në punën e tyre.

Sipas Delegacionit, institucionet kanë përgjegjësi t’i mbrojnë gazetarët nga kërcënimet, frikësimet dhe dhuna, por edhe të sigurojnë hetim efikas të sulmeve dhe ndjekje penale të autorëve.

“Një mekanizëm i tillë nuk duhet të shndërrohet kurrë në mjet për ndikim politik mbi vendimet editoriale ose aktivitetet gazetareske”, deklaruan nga Delegacioni.