Ministria e Brendshme nuk i ka zbardhur ende alarmet e rreme për bomba në Gjimnazin e Tetovës
Mbi 300 njoftime të rreme për bomba në shkollat e RMV-së gjatë vitit 2025
Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka zbuluar ende se kush i ka dërguar njoftimet e rreme për vendosjen e bombave në Gjimnazin e Tetovës, ku vetëm muajin e fundit ka pasur tetë herë njoftime për këtë rrezik. Nxënësit dhe stafi i shkollës dje protestuan para Policisë së Tetovës duke kërkuar zbardhje të rastit, shkruan Portalb.mk.
Ministria e Punëve të Brendshme për Portalb.mk theksoi se nga ana e Sektorit për Krim Kompjuterik, në bashkëpunim me sektorin për terrorizëm, ndërsa përmes sektorit për bashkëpunim ndërkombëtar policor po ndërmerren masa.
“Përkatësisht po zhvillohet hetim lidhur me atë se kush është pronari i postës elektronike, respektivisht nga janë dërguar njoftimet e rreme për bomba”, thanë nga MPB.
Ky lloj kërcënimesh hibride, me të cilat si në të kaluarën ashtu edhe tani janë sulmuar një numër i madh shtetesh në pjesën lindore të Evropës, por edhe më gjerë, nuk e ka anashkaluar as RMV-në.
Ndërkaq vetëm javëve të fundit, në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejçinoviq” ka pasur tetë herë njoftime për vendosje të bombave.
Lidhur me këtë problem dhe moszbardhjen e rastit, dje nxënësit së bashku me profesorët, prindërit dhe drejtorinë e shkollës sot kanë protestuar para Stacionit të Policisë në Tetovë, duke kërkuar që këto njoftime të zbardhen dhe ata të vijojnë mësimin në formë të rregullt dhe sigurt.
Edhe pse deri më tani të gjitha paraqitjet janë konstatuar si të rreme, megjithatë përmes mënyrës së veprimit dhe përmasave të tyre, nga MPB-ja theksojnë se qëllimi është krijimi i ndjenjës së pasigurisë dhe frikës, çka e bën këtë vepër penale të terrorizmit.
“Kërcënimet më së shpeshti vijnë nga adresa VPN. Duhet theksuar se në këto kërcënime hibride të organizuara përfshihen edhe persona të tjerë, të cilët për shkak të interesave personale, naivitetit, kureshtjes apo motiveve të tjera futen në këtë sistem. MPB po ndërmerr masa dhe aktivitete përkatëse për zbulimin e kësaj dhe të veprave të tjera penale, për çka publiku do të njoftohet me kohë”, theksojnë nga MPB-ja.

Gjatë periudhës së kaluar të vitit 2025, deri më 29.10.2025, në territorin e shtetit janë evidentuar gjithsej 329 paraqitje. Bëhet fjalë për paraqitje elektronike për vendosje të mjeteve shpërthyese, bomba në shkolla fillore dhe të mesme, por nga kontrollet e kryera është konstatuar se në të gjitha rastet bëhet fjalë për njoftime të rreme.
Pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra, janë paraqitur gjithsej gjashtë kallëzime penale kundër shtatë personave (katër prej tyre të mitur), për kryerjen e gjashtë veprave penale “terrorizëm”.
“Vetë hetimet janë jashtëzakonisht komplekse, të ndërlidhura me shkëmbim ndërkombëtar të informacioneve dhe mbështetje, si dhe me kërkesa për ndihmë juridike ndërkombëtare. Në këtë proces janë përfshirë të gjitha institucionet shtetërore nga sektori i sigurisë, si dhe institucionet e vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s, Interpoli, Europoli dhe të gjitha organizatat partnere, ndërsa me të gjitha kapacitetet në dispozicion po merren masa për zbardhjen e rasteve”, sqaroi Ministria e Brendshme.
Ndryshe, kërcënime me bomba nëpër shkollat e Maqedonisë së Veriut ka pasur vazhdimisht nga viti 2022 e këndej, por që rezultonin të rrejshme.
Kërcënimet me bomba kanë qenë gjithashtu të përhapura edhe në rajon.