Reforma e arsimit të lartë dhe nevoja për ndjeshmëri disiplinore në vlerësimin shkencor

Emin Durmishi
Shkruan: Emin Durmishi

Jemi në javën e tretë të shqyrtimit të Propozim-ligjit për arsimin e lartë, teksti i të cilit duhet theksuar se mund të gjendet vetëm në gjuhën maqedone. Iniciativa për ndryshimin e ligjit aktual, me të drejtë, erdhi para së gjithash si pasojë e dobësive të tij në lidhje me kushtet për avancimet akademike. Megjithatë, propozim-ligji në këtë version ka ndërhyrë në shumë dimensione të tjera.

Komuniteti akademik ka reaguar dhe vazhdon të reagojë duke kontestuar shumë nga dispozitat e propozim-ligjit. Më të zëshme janë reagimet në lidhje me dispozitat që cenojnë autonominë e universiteteve (Nenet 73, 86 dhe 87), kushtet për hapjen e programeve studimore në ciklin e tretë (Neni 124) dhe kushtet për thirrjet akademike (Neni 161). Reagime ka edhe për Propozim-ligjin për cilësinë e arsimit të lartë. Po ashtu është paralajmëruar edhe një Propozim-ligj për veprimtari hulumtuese-shkencore.

Në tekstin në vijim do të përqendrohem vetëm në aspektin hulumtues-shkencor të propozim-ligjit. Do të mundohem të sqaroj diversitetin e praktikave të punës dhe publikimeve shkencore dhe të tregoj se si ky Propozim-ligj, në formën aktuale, penalizon dhe favorizon disiplina të caktuara shkencore.

Diversiteti i praktikave të punës dhe publikimeve shkencore:

Obligim i institucioneve të arsimit të lartë, mes tjerash, është edhe puna shkencore. Cilësia e punës shkencore zakonisht merret si indikator i cilësisë së institucionit. Janë zhvilluar metoda të ndryshme për matjen e cilësisë, por në fakt ato matin ndikimin dhe produktivitetin, jo domosdoshmërisht cilësinë në kuptimin përmbajtësor. Edhe nëse kufizohemi vetëm në ndikimin dhe produktivitetin, ekziston një dallim i madh në praktikat e punës dhe publikimit në varësi të disiplinave.

Në vijim do të paraqes se si vendi ynë ka përcaktuar klasifikimin e fushave shkencore (klasifikimin sipas Fraskatit) dhe më pas do të mundohem të paraqes disa nga variablet më të rëndësishme që sqarojnë diversitetin e praktikave të punë në varshmëri të fushave shkencore.

Klasifikimin nacional i fushave shkencore [5], i miratuar nga qeveria në vitin 2024, është ndarë në katër nivele: sferat, fushat, nënfushat dhe disiplinat shkencore. Për shembull, logopedia është disiplinë e nënfushës së rehabilitimit në shëndetësi, që i përket fushës së shkencave shëndetësore dhe sferës së shkencave të mjekësisë dhe shëndetësisë. Për shkak të specifikave praktike, në këtë tekst do të referohem kryesisht në nivelin e fushave ose disiplinave shkencore.

Për të kuptuar se pse kriteret uniforme të vlerësimit mund të prodhojnë padrejtësi ndërdisiplinore, është e nevojshme të analizohen disa dimensione konkrete të praktikës shkencore. Këto dimensione nuk kanë të bëjnë vetëm me përmbajtjen e kërkimit, por me mënyrën se si prodhohet, publikohet dhe qarkullon dija në komunitetet e ndryshme shkencore. Variabla si koha e nevojshme për realizimin e një hulumtimi, ritmi i publikimeve, struktura e autorësisë, kultura e citimit dhe format e produktit shkencor ndryshojnë ndjeshëm nga një disiplinë në tjetrën. Pa marrë parasysh këto dallime strukturore, çdo sistem vlerësimi rrezikon të favorizojë disa fusha dhe të penalizojë të tjera.

  • Shpejtësia e publikimeve:

Koha nga ideja e deri te publikimi i një punimi shkencor përcakton shpejtësinë e publikimit. Është e vështirë të gjenden prova që masin kohën nga ideja fillestare deri tek dorëzimi, por zakonisht hulumtimet teorike kërkojnë më shumë kohë krahasuar me ato eksperimentale, edhe pse ekzistojnë përjashtime të shumta. Procesi nga dorëzimi deri tek publikimi njihet si peer-review dhe kohëzgjatja e këtij procesi është lehtë e dokumentueshme nga revistat. Për të ilustruar dallimet e kohëzgjatjes së peer-review po përmend dy raste ekstreme: punimi “A Novel Coronavirus from Patients with Pneumonia in China, 2019” [4] është publikuar vetëm 48 orë pas dorëzimit, ndërsa punimi “Generators of matrix algebras in dimension 2 and 3” [1] është botuar pas më shumë se 13 vitesh dorëzimi. Nuk është rastësi që punimi i parë i takon sferës së shkencave mjekësore dhe shëndetdësore, ndërsa i dyti fushës së matematikës.

  • Shpeshtësia e publikimeve:

Shpeshtësia e publikimeve i referohet numrit të publikimeve në një periudhë të caktuar kohore. Zakonisht ajo është në korelacion me shpejtësinë e publikimeve. Tabela në vijim na jep një pasqyrë të numrit të punimeve brenda një viti, sipas fushave shkencore. Vërehet një dallim i madh ndërmjet numrit të publikimeve në biokimi dhe biologji molekulare (45 721) dhe ekonomi (7 346).

Tabela 1
  • Popullariteti i disiplinës:

Popullariteti i një tematike shkencore mund të vlerësohet nga perspektiva e numrit të hulumtuesve aktivë dhe produktivitetit të tyre. Tematika si inteligjenca artificiale apo zhvillimi i qëndrueshëm janë mjaft atraktive aktualisht. Këto tematika zakonisht kanë karakter interdisiplinar dhe aplikativ. Nga ana tjetër, shumë probleme teorike, edhe pse mund të jenë fundamentale, për shkaqe të ndryshme (si mungesë fondesh apo niveli i vështirësisë) nuk tërheqin mjaftueshëm hulumtues.

  • Numri i autorëve:

Nëse i klasifikojmë disiplinat në bazë të numrit të bashkëautorëve në një punim, dallimet lidhen me natyrën e tematikës – eksperimentale apo teorike. Për të ilustruar diversitetin, si rast ekstrem mund të përmendet: një grup prej 15 025 autorësh CovidSurg Collaborative [6] në vitin 2021 thyen rekordin që më parë mbahej nga 5 154 fizikantë [2]. Nga ana tjetër, në matematikë dhe filozofi janë të zakonshme punimet me një autor të vetëm.

  • Renditja e autorëve:

Ekzistojnë praktika të ndryshme në lidhje me renditjen e bashkëautorëve në një punim në varshmëri të disiplinave shkencore, rregullave të revistave shkencore apo edhe kulturës së vendit nga vijnë autorët. Edhe pse ka tendenca që renditja të bazohet nga përqindja e kontributit në punim (kryesisht nga shkencat mjekësore dhe të natyrës), renditja alfabetike dominon në disiplina të caktuara shkencore (në matematikë për shembull) dhe renditja në bazë të senioritetit në vendet postkomuniste.

  • Rëndësia e databazave:

Në përgjithësi, Web of Science (WoS) konsiderohet databaza që përfshin revistat më cilësore në pothuajse të gjitha disiplinat shkencore. Pas saj renditet Scopus, me një shtrirje më të gjerë. Megjithatë, ekzistojnë edhe databaza specifike për disiplina të veçanta. Kështu, IEEE përfshin revistat më cilësore në fushën e teknologjisë së informacionit, PubMed ato të mjekësisë dhe shëndetësisë, ndërsa MathSciNet dhe zbMATH Open revistat në matematikë. Këto databaza, përveçse kujdesen për cilësinë, mundësojnë edhe lexueshmëri më të madhe brenda disiplinave përkatëse.

  • Pagesa për publikim:

Disa revista shkencore kërkojnë pagesë (Article Processing Charges, ose shkurt APC) në mënyrë që punimi të jetë i qasshëm për të gjithë lexuesit (Open Access). APC mesatarisht është 2000-3000 euro, por mund të arrijë deri në +10 000 euro dhe zakonisht praktikohet në revista që trajtojnë tematika me aplikime direkte në industri dhe me citueshmëri të madhe, si në shkencat biomedicinale dhe inxhinieri. Nga ana tjetër, ekzistojnë disiplina ku pagesa për publikim konsiderohet praktikë e keqe dhe cënon seriozisht kredibilitetin e autorit. Në disiplina si matematika, fizika, filozofia dhe shkenca të tjera humane, revistat serioze zakonisht nuk kërkojnë pagesë për publikime.

Në lidhje me këtë pikë, duhet patur kujdes ndaj keqpërdorimeve nga revistat predatore, të cilat publikojnë gjithçka për pagesë.

  • Metrikat cituese:

Në mënyrë që të matet ndikimi i punimit, autorit ose revistës, janë ndërtuar metrika të ndryshme. Numri i citimeve, h-indeksi (numri maksimal h i h punimeve me të paktën h citime) dhe i10-indeksi (numri i punimeve me të paktën 10 citime) janë më të njohurit. Natyrisht, të gjitha këto vlera dallojnë në varësi të asaj se cilën databazë marrim për referencë. Zakonisht vlen renditja: WoS < Scopus < Google Scholar.

Edhe këtu dallimi ndërmjet disiplinave është shumë i madh. Në shkencat mjekësore, shkencat e të dhënave dhe shkencat e natyrës, secila nga këto metrika ka vlerë shumë më të madhe krahasuar me shkencat humane apo matematikën. Sa për ilustrim, mund t’i referohemi tabelës së mësipërme, ku në afat prej tetë vitesh një punim në matematikë mesatarisht është cituar 3,4 herë, ndërsa në biokimi dhe biologji molekulare pothuajse dhjetë herë më shumë.

Për ilustrim, h-indeksi i Maryam Mirzakhani, fituesja e parë femër e Medaljes Fields (ekuivalenti i çmimit Nobel për matematikë), është relativisht modest krahasuar me standardet e shkencave biomedicinale.

Këtu duhet të sqarojmë edhe një keqkuptim që shpesh ndodh edhe në mesin e hulumtuesve shkencorë: metrikat cituese masin ndikimin, por jo domosdoshmërisht cilësinë. Për të adresuar këtë keqkuptim ka pasur iniciativa ndërkombëtare, ndër to San Francisco Declaration on Research Assessment (DORA) [7] dhe Agreement on Reforming Research Assessment (ARRA) [8].

  • Kompleksiteti i problemit që hulumtohet:

Në çdo disiplinë shkencore, problemet mund të jenë më pak ose më shumë komplekse. Nuk është një rregull i përgjithshëm, por vërehet një tendencë që problemet më pak komplekse të jenë më të frekuentuara.

  • Forma e produktit shkencor:

Edhe pse ekziston një perceptim i përgjithshëm se produkti shkencor klasik duhet të jetë punim i botuar në një revistë relevante, në disa shkenca, sidomos në shkencat humane, librat akademikë dhe monografitë shfaqin peshën shkencore dhe kontributin disavjeçar të autorëve.

Propozim-ligji përballë realitetit të praktikave shkencore:

Nga ajo që u tha më sipër, vlerësimi i performancës shkencore duhet të jetë i ndjeshëm ndaj specifikave disiplinore. Kjo nuk reflektohet aspak në dispozitat e Propozim-ligjit.

Më tej, në perspektivën e praktikave të punës dhe të publikimeve, do të shqyrtoj disa dispozita të Propozim-ligjit të arsimit të lartë që, sipas mendimit tim, duhet të modifikohen ose hiqen.

  • Përjashtimi i databazave relevante:

Në nenin e dytë, paragrafet 20 dhe 33, të propozim ligjit me “Revistë shkencore” kuptohet vetëm revista e cila ndodhet në databazat WoS ose Scopus, ndërsa me “Faktorë ndikimi” kuptohet metrika e cila përcakton cilësinë dhe ndikimin e revistës shkencore sipas citimeve e vërtetuar nga databaza WoS. Propozoj që të merren parasysh edhe databaza tjera relevante për disiplina të veçanta të përpiluar dhe miratuar nga Këshilli nacional i arsimit të lartë dhe veprimtarisë shkencore-hulumtuese. Gjithashtu, në përkufizimin e faktorit të ndikimit duhet të hiqet fjala ‘cilësinë’.

  • Numri i punimeve shkencore në ciklin e dytë dhe të tretë dhe kriteri për autor të parë:

Në nenin 123, paragrafi 9, në mënyrë që studenti i ciklit të dytë të fitojë të drejtën për të mbrojtur tezën e magjistraturës, duhet të ketë të paktën dy punime të botuara si autor i parë.

Në nenin 125, paragrafi 11, në mënyrë që studenti i ciklit të tretë të fitojë të drejtën për të mbrojtur disertacionin e doktoraturës, duhet të ketë të paktën tre punime të botuara si autor i parë, prej të cilave dy në revista të indeksuara në WoS.

Këto kritere bien ndesh me diversitetin e praktikave publikuese, prandaj propozoj që:

  1. i) pjesa “autor i parë” të fshihet nga tekstet në fjalë dhe
  2. ii) në ciklin e dytë të kërkohet minimumi një punim shkencor, ndërsa në ciklin e tretë dy punime ku të paktën njëri të jetë i publikuar në listën e databazave sipas disiplinave të propozuara nga Këshilli nacional.
  • Numri i punimeve shkencore si kriter për avancime akademike:

Neni 161, për thirrjen docent në pesë vitet e fundit kërkohen të paktën gjashtë punime shkencore prej të cilave të paktën tre në WoS; për thirrjen inordinar të paktën gjashtë punime shkencore prej të cilave të paktën katër në WoS; për thirrjen ordinar dhe rizgjedhjen në thirrjen ordinar të paktën shtatë punime shkencore prej të cilave të paktën katër në WoS.

Duke u bazuar në diversitetin e shpejtësisë dhe shpeshtësisë së publikimeve në varshmëri të disiplinave shkencore, ky kriter është i padrejtë. Gjithashtu edhe kufizimi vetëm në databazën WoS është i papranueshëm. Propozoj që numrin e publikimeve si dhe databazat e revistave shkencore në varshmëri të disiplinave shkencore të përcaktohen nga ana e Këshillit nacional.

  • h-indeksi si kriter për avancim:

Në të njëjtin nen (161), për thirrje është përcaktuar gjithashtu vlera minimale e h-indeksit, si vijon: 3 për docent, 5 për inordinar, 8 për ordinar dhe 11 për inordinar. Nga ajo që u tha më lartë në lidhje me metrikat cituese mendoj se është mjaftueshëm bindëse që h-indeksi është i dëmshëm të përfshihet si kriter. Tjetër arsye është edhe rreziku i ‘lojës’ me citime ku autorët mund të bashkëpunojnë për të cituar njëri-tjetrin pa nevojë vetëm  për të arritur në vlerat e dëshiruara.

  • Numri i punimeve shkencore si kriter për mentorim:

Propozim-ligji për cilësi në arsimin e lartë, neni 33, paragrafi i dytë, parasheh që për mentor në ciklin e tretë të mund të akreditohen profesorët ordinarë dhe inordinarë, të cilët në pesë vitet e fundit kanë të publikuar të paktën katër punime në revista të indeksuara në WoS. Për arsye të njëjta si më lartë, propozoj që edhe për këtë çështje, numri i publikimeve, si dhe databazat e revistave shkencore në varshmëri të disiplinave shkencore, të përcaktohen nga ana e Këshillit nacional.

Përfundimi:

Kriteret për publikime shkencore të përcaktuara në mënyrë eksplicite nga ligji duhet të jenë të drejta dhe të përshtatshme për të gjitha disiplinat. Në formën aktuale, Propozim-ligji vendos standarde uniforme mbi një realitet thelbësisht heterogjen.

Pasojat e një qasjeje të tillë mund të jenë:

  • margjinalizimi i disiplinave teorike dhe humane,
  • orientimi drejt publikimeve për numër dhe jo për përmbajtje,
  • deformimi i sjelljes akademike përmes ndjekjes mekanike të metrikave.

Reforma është e nevojshme, por ajo duhet të ndërtohet mbi parimin e ndjeshmërisë disiplinore dhe jo mbi uniformizimin mekanik të performancës shkencore.

Referencat:

[1] Aslaksen, H., & Sletsjøe, A. B. (2009). Generators of matrix algebras in dimension 2 and 3. Linear Algebra and Its Applications, 430(1), 1–6. https://doi.org/10.1016/j.laa.2008.03.017
[2] Castelvecchi, D. (2015). Physics paper sets record with more than 5,000 authors. Science.
https://www.science.org/content/article/physics-paper-sets-record-more-5000-authors
[3] Waltman, L., van Eck, N. J., van Leeuwen, T. N., Visser, M. S., & van Raan, A. F. J. (2011). Towards a new crown indicator: An empirical analysis. Scientometrics, 87(3), 467–481. https://doi.org/10.1007/s11192-011-0354-5
[4] Zhu, Na, et al. (2020). A novel coronavirus from patients with pneumonia in China, 2019. New England Journal of Medicine, 382(8), 727–733. https://doi.org/10.1056/NEJMoa2001017
[5] Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut. (2024). Klasifikimi i fushave dhe nënfushave shkencore (sipas Fraskatit), nr. 91, 19 prill 2024.
[6] Guinness World Records. (2021). Most authors on a single peer-reviewed academic paper.
https://www.guinnessworldrecords.com/world-records/653537-most-authors-on-a-single-peer-reviewed-academic-paper
[7] San Francisco Declaration on Research Assessment. (2012). Declaration on Research Assessment (DORA). https://sfdora.org
[8] Science Europe. (2022). Agreement on Reforming Research Assessment.
https://scienceeurope.org/our-resources/agreement-reforming-research-assessment/